Aktualitet

VOA: Pse u sekuestrua një pjesë e pronave të bashkëshortit të Olta Xhaçkës

I ndodhur në arrest më burg nën akuzën e shitblerjes së votës, në zgjedhjet vendore të 14 majit, kryetari i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, depozitoi në muajin gusht një kallëzim penal ndaj rivalit të tij socialist, Jorgo Goro, trashëgimtarëve të një banori të Himarës si dhe ndaj ish-deputetit socialist Artan Gaçi, bashkëshort i ish-ministres së Jashtme, Olta Xhaçka, anëtare e parlamentit, emri i së cilës është po ashtu mes të kallëzuarve.

Zoti Beleri denonconte faktin se bëhet fjalë për një sipërfaqe mbi 5 mijë metra katrorë tokë, të cilat i janë njohur trashëgimtarëve të familjes Mëhilli si pronë, përmes dokumentave të falsifikuar dhe akteve, sipas tij në shkelje të ligjit, nga ana e kryebashkiakut Jorgo Goro dhe zyrës së regjistrimit të pasurive. Ai pretendon se e gjithë kjo praktikë ka patur si synim që kjo sipërfaqe t’i kalojë ish deputetit socialist Gaçi, i cili e ka blerë më pas atë, duke e përfshirë si pjesë të terrenit ku ai ka nisur të ndërtojë një kompleks turistik në bregdet.

Çështja u trajtua më shpejtësi nga Prokuroria e Posaçme e cila ka marrë në pyetje për rastin, pak javë më parë, si zotin Goro ashtu dhe zotin Gaçi, të cilët shmangën komentet për gazetarët. Sot u mësua se ndërkohë, mbi këtë sipërfaqe trualli, është vënë sekuestro preventive. Madje sipas zonjës Olta Xhaçka e cila reagoi në rrjetet sociale, ndaj disa komenteve të ish kryeministrit Berisha, kjo masë është marrë po ashtu disa javë më parë “për të hetuar origjinën e një prone private qysh nga viti 1994”, shkruajti ajo duke shtuar se nuk ka dyshime mbi qëllimin e Prokurorisë së Posaçme e se nuk ka pse ta komentojë.

Ndërtimi i një hoteli me 5 yje, nga zoti Gaçi, u bë objekt polemikash pasi kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik, duke u tërhequr disa muaj më vonë, pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me një kompani të paraqitur si amerikane dhe me përvojë, por që në të vërtetë, ishte themeluar nga e fejuara amerikane e vëllait të zonjës Xhaçka, dhe pa ndonjë eksperiencë në fushën e turizmit.


Ky rast, u bë shkak edhe për vënien në diskutim të mandatit si deputete të zonjës Olta Xhaçka. Ishte opozita ajo që pretendoi se bëhej fjalë për konflikti interesi, duke qenë se kompania e zotit Gaçi përmes statusit të investitorit strategjik, përfitonte shfrytëzimin e bregdetit. Ndonëse shumica nuk pranoi dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, kjo e fundit e konsideroi të gabuar vendimin, dhe i ka kërkuar parlamentit që t’ja përcjellë asaj rastin, si i vetmi autoritet që mund të vlerësojë pavlefshmërine ose jo të mandatit të një deputeti. Por ndonëse Gjykata është shprehur që në muajin Janar, parlamenti nga ana e tij po e zvarrit procedurën dhe çështja është ende pezull. /VOA

#VOA #Pse #sekuestrua #një #pjesë #pronave #të #bashkëshortit #të #Olta #Xhaçkës

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button