Aktualitet

Pijet alkoolike, në krizë nga akciza

Me rritjen e akcizës nga 1 janari 2023 dhe vijimit të shtrenjtimit të lëndëve ambalazhuese, prodhuesit e pijeve alkoolike janë në vështirësi nga kostot e larta. Në janar-shkurt, prodhimi ra rreth 23%. Shtrenjtimi i çmimeve dhe emigrimi kanë ulur konsumin deri në 15% krahasuar me vjet. Kompanitë kërkojnë ndihmë nga shteti për fuqizimin e eksporteve. Nisën shkurtimet e punonjësve…

Rritja e akcizës për pijet alkoolike, nga 1 janari 2023, vijon të japë efekte negative te prodhimi vendas. Sektori tjetër që po vuan rënien e prodhimit nga mospërballimi i kostove të shtuara të akcizës, pas prodhuesve të birrës, janë edhe operatorët e pijeve alkoolike.

Për shkak të ndryshimit të akcizës, prodhuesit vendas shtrenjtuan çmimet e pijeve alkoolike deri në 20%. Kompanitë pohojnë se nga shtrenjtimi i çmimeve ra konsumi, duke i detyruar të pakësojnë prodhimin. Prodhues të rakisë, kryesisht ata në veriun e Shqipërisë, e lidhin rënien e konsumit tërësisht me emigrimet masive të popullsisë.

Për të mos rënduar aktivitetin e tyre, këto kompani po tregtojnë rakinë e magazinuar të muajit dhjetor, e prodhuar me kosto më të ulët. Çmimi më i lirë nuk arrin të kompensojë rënien e kërkesës nga emigracioni.

Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve në ligjin “Për akcizat” u unifikua edhe akciza e pijeve të forta alkoolike, me nivel tarife 84,500 lekë për HL alkool.

kciza për pije alkoolike nga prodhues vendas e të huaj, të përfituara nga distilimi i verës së rrushit apo të përbërësve të rrushit, për pije alkoolike, si: uiski, rum dhe të tjera pije të përfituara nga distilimi i produkteve të fermentuara nga kallami i sheqerit, si xhin dhe xheneva, vodka, likere tonike dhe uzo, më parë ishte e ndarë në dy fasha.

Për prodhuesit vendas dhe të huaj deri në 20,000 hl/vit, akciza është 65,000 lekë për Hl. Për fashën prodhuese mbi 20,000 hl/vit, akciza është 84,500 lekë për Hl.

Prodhues vendas kanë paralajmëruar më parë se ndryshimet fiskale do të favorizojnë shitjen e pijeve të importit, gjë që do të ndikonte në shkatërrimin e industrisë vendase deri në praninë e rrezikut për faliment të prodhuesve vendas.

“Heqja e fashës dhe unifikimi i akcizës do të favorizojë shitjen e pijeve nga importi. Vodka e prodhuar në vend ka çmim më të lirë se ajo që importohet nga Polonia.

Nëse çmimi i vodkës shqiptare do të rritet për shkak të shtimit të akcizës, konsumatori nuk do të blejë prodhimin vendas, por do të blejë vodkën polake. Miratimi i këtyre ndryshimeve do të ketë efekte shkatërruese për prodhimin vendas. Industria rrezikon falimentimin”, pohoi një nga prodhuesit.

Sasia e pijeve të forta alkoolike të prodhuara në Shqipëri, sipas të dhënave të Doganave, nga vitet 2015 deri në 2018 ka qenë më e lartë se ajo e importuar. Në periudhën 2019-2022, importet kanë zëvendësuar prodhimin vendas. Në 2018-n, prodhimi vendas zinte 52,5% të konsumit të pijeve alkoolike.

Në vitin 2019, pesha e prodhimit vendas në konsum u zvogëlua, pasi u rrit pesha e importeve. Prodhimi zinte 42% të konsumit. Në 2020-n, pesha e prodhimit te konsumi ishte 39%, kurse në vitin 2021 ra në 35%. Për vitin 2022, pesha e prodhimit u rrit, duke zënë 49% të tregut.

Në relacionin shoqërues të projektligjit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shprehej se propozimi për unifikimin e akcizës te pijet e forta alkoolike është mbështetur te rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ndër të tjera, në relacion thuhej se ky ndryshim pritet të sjellë një efekt shumë të ulët (pothuajse i papërfillshëm) pasi vetëm 1,5% e sasisë së pijeve të forta alkoolike (spiritus) deklarohen në fashën e ulët të akcizës. 98,5% e deklarimeve janë me akcizë 82,450 lekë dhe ky rregull bëhet për të shmangur mundësinë e evazionit.

“Në pjesën tjetër diferencuese janë vetëm 1,5% e sasisë totale dhe përgjithësisht lë vend për abuzim më shumë se të mbrojë prodhuesit e vegjël”, citohej në relacion.

Prej gati 4 vitesh, në Shqipëri, nuk prodhohet alkooli i misrit që përdoret si lëndë e parë për distilimin e pijeve të forta alkoolike.

Si rrjedhojë, industria e prodhimit të alkoolit nga misri që përdoret për pijet e tjera të forta alkoolike, si konjak, uiski, ponç apo fërnet nuk funksionon më, për shkak të paleverdishmërisë nga kostot e larta të lëndëve djegëse dhe transportit të drithit.

Misri transportohej nga Vojvodina e Serbisë, ndërsa për vënien në punë të industrisë së distilimit përdorej gaz i lëngshëm. Sipas operatorëve, 60% të kostos së prodhimit e zinin lëndët djegëse, si: energjia elektrike, gazi i lëngshëm, mazuti, çmimi i të cilave është shtrenjtuar.

Burimi: Doganat

Shtrenjtimet e çmimeve nga kostot e akcizës ulin konsumin

Sipas të dhënave të doganave, në periudhën janar-shkurt 2023, prodhimi vendas i pijeve alkoolike u tkurr 22,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Këtë vit, rënia e prodhimit që në muajt e parë vjen pas një viti të begatë për pijet alkoolike. Në total, prodhimi vjetor i 2022 u rrit 61% në raport me 2021.

Viti 2022 ka pasur ecurinë më të lartë prodhuese që prej 2019-s, pasi sipas operatorëve ishte viti pas pandemisë, dhe u karakterizua nga një kërkesë e akumuluar dhe rritja e turistëve.

Prodhuesit thonë se këtë vit, konsumi i pijeve alkoolike është ulur ndjeshëm, i ndikuar nga shtrenjtimi i çmimeve. Denis Zhilla, drejtori i kantinës së pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” tha për “Monitor” se nga janari kanë rritur çmimet e pijeve alkoolike 20% më shumë për shkak të ndryshimit të akcizës.

Shkak i rënies së konsumit është rritja e çmimeve. Për shkak të shtimit të shpenzimeve, konsumatorët blejnë më tepër produktet e shportës ushqimore. Konsumi ka rënë 15%. Deri në fund të 6-mujorit të parë të këtij viti përllogarisim rënie të xhiros 7% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.

Burimi: Doganat

Rritja e akcizës ka ndikuar edhe në shtrenjtimin e çmimeve të rakisë. Hidajet Duraku, administratori i kantinës “Ervin Kukës” e specializuar për prodhimin e rakisë tradicionale (të rrushit, kumbullës, dardhës, qershisë, mollës, thanës dhe manaferrës) që i ka fillimet e veta që në vitin 1968, nënvizoi për “Monitor” se pas ndryshimit të akcizës rriti çmimet 100 deri 200 lekë/shishe më shumë se vjet.

Z. Duraku shton se përveç akcizës, industria e prodhimit të rakisë po vuan edhe kostot e shtrenjtuara 70 deri 80% të ambalazhimit.

Në Shqipëri, informaliteti i lartë i tregtimit të pijeve alkoolike, veçanërisht të rakisë që nga operatorët vlerësohet në nivelin 90%, është një ndër plagët kryesore të pashëruara të këtij sektori. Administratori i kantinës së prodhimit të rakisë në Kukës, Idajet Duraku, shton se është e padrejtë që shteti të rrisë akcizën dhe të mos ndërhyjë në zhdukjen e informalitetit.

“Nga 670 lekë akcizë që paguanim për litër, sot me ndryshimet fiskale paguajnë 870 lekë (rritja rreth 30%), kjo na ka detyruar të rrisim çmimet. Por rritja e çmimeve do të favorizojë shtimin e informalitetit, një nga problematikat më të mprehta të sektorit që kërkon zgjidhje.

Rritja e taksave e përfshin sektorin në një situatë pa zgjidhje, shteti nuk po ndërhyn për të luftuar informalitetin. Kjo është e padrejtë”.

Kompanitë vendase prodhojnë më tepër konjak, i cili kryesisht eksportohet por edhe konsumohet nga konsumatorët shqiptarë. Ky produkt zë 62% të totalit të pijeve alkoolike të prodhuara në vend, ndjekur nga rakia dhe më pas ponçi, fërneti, vodka dhe likeri. Prodhimi i rakisë në Shqipëri, që konsiderohet pija tradicionale alkoolike, mendohet të jetë shumë i madh, në kushtet kur një pjesë e konsiderueshme prodhohet nga familjarë apo në punishte të palicencuara.

Kjo nuk është hera e para që qeveria ndryshon akcizën e pijeve alkoolike dhe nuk merr asnjë masë ndaj prodhuesve.

Nga 1 janari 2022, hyri në fuqi ndryshimi në ligjin “Për akcizat”, që përcaktonte indeksim çdo dy vjet në masën zyrtare të inflacionit për dy vitet paraardhëse shpallur nga INSTAT-i, me përjashtim të duhanit dhe nënprodukteve të tij, për të cilat akciza aplikohet sipas kalendarit specifik.

Ndryshimet përcaktonin se për vitin 2022, akciza indeksohet në masën e normës zyrtare të inflacionit të vitit 2020 dhe 9-mujorit tё vitit 2021.

Prodhuesit vendas dhe importuesit e pijeve alkoolike pohuan në atë kohë se ndryshimi i indeksimit të akcizës ka dhënë efekte te kostot e prodhimit që është reflektuar me rritje çmimesh.

Çmimet e pijeve alkoolike vendase u rritën 30% edhe në janar të vitit 2022. Vjet, rritja e çmimeve, sipas përfaqësuesit të kantinës “Skënderbeu” u ndikua edhe nga shtrenjtimi i energjisë, karburantit, qelqit, plastikës dhe materialeve të tjera të ambalazhimit.

Çmimi i qelqit vjet u rrit 20% krahasuar me 2021, ndërsa materialet e kartonit dhe letrës, tapa dhe plastika u rritën 10 deri në 15%. Shqetësim është edhe rritja e çmimit të energjisë elektrike nga 15 lekë/kwh në 41 lekë (me TVSH).

Ndërsa çmimet e pijeve të importit në 2022 u rritën 5 deri në 10%. Përfaqësues të distributorit “Agna Group” pohuan më herët se çmimet e rritura në janar 2022 erdhën nga shtrenjtimi i çmimeve nga kompanitë e huaja, tarifat e transportit, si dhe rritja 3% e akcizës e indeksuar në masën zyrtare të inflacionit.

Deri në vitin 2022, konsumi i pijeve alkoolike shënoi rritje, duke u rimëkëmbur sidomos nga koha e pandemisë, kur rënia ishte e ndjeshme për shkak të mbylljes së bareve e lokaleve të natës. Rreth 50% e konsumit u mbulua nga prodhimi vendas dhe pjesa tjetër nga importi.

Burimi: Doganat

Ecuria e importeve

Rritja e çmimeve ka goditur edhe importet. Në periudhën janar-shkurt 2023, importet e pijeve alkoolike ranë 15,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ndërsa importet vjetore për 2022 ranë 9% krahasuar me 2021.

Burimi: Doganat

Kompanitë nisin shkurtimet e punonjësve

Rënia e konsumit dhe kostot e larta të prodhimit kanë detyruar operatorët prodhues të pijeve alkoolike të nisin shkurtimet e punonjësve.

Kantina “Asllani” në Shkozet të Durrësit, e specializuar për prodhimin e konjakut, ponçit dhe fërnetit, pohoi për “Monitor” se këtë vit, rënia e xhiros është në nivele ekstreme. Z. Asllani thotë se me rritjen 39% në vlerë të akcizës për shishet 700 ml të pijeve alkoolike, nga 1 janari 2023, dhe dyfishimin e ambalazhimit, kompania ka shtrenjtuar çmimet e pijeve alkoolike deri në 16%.

“Rritja e kostove për prodhuesit e pijeve alkoolike këtë vit ka qenë e lartë.

Së pari, nga 1 janari 2023 akciza u rrit nga 230 lekë për shishe 700 ml në 320 lekë. Rritje të lartë ka pasur edhe për ambalazhimin, ku çmimi i një shishe qelqi me tapë nga 40 lekë ka arritur në 120 lekë. Shtim të çmimit ka pasur edhe për etiketat.

Rritja e kostos na detyroi të shtrenjtojmë sërish çmimet. Konjaku në ambalazhim 700 ml nga 600 lekë po tregtohet me çmim 700 lekë. Pavarësisht rritjes së çmimeve, kostot e larta të prodhimit, duke përfshirë edhe çmimin e karburantit, kanë sjellë, si rrjedhojë, fitime minimale.

Në këto kushte e kemi të pamundur të mbajmë punëtorët me rroga mbi pagën minimale. Disa prej tyre janë larguar, të tjerë i kemi shkurtuar. Edhe nëse kërkojmë punonjës të rinj, asnjë nuk është i interesuar të punësohet me këtë nivel page”.

Shqetësim për prodhuesit është edhe mbytja e tregut nga pijet e importit, kryesisht të verës nga Maqedonia e Veriut, që po tregtohet shumë herë më lirë se prodhimi shqiptar.

Administratori i fabrikës, Kejsi Asllani, nënvizon se dy janë faktorët kryesorë të tkurrjes së kërkesës, rritja e çmimeve dhe largimet masive të popullsisë.

“Arsyeja kryesore e rënies së konsumit janë çmimet e rritura. Së dyti, po ndikon edhe largimi i popullsisë. Kjo ndihet në qytetet e mëdha, si: Tirana, Durrësi, Elbasani dhe Fieri, ndërsa rrethet janë boshatisur”.

Kompanitë kërkojnë ndihmë nga shteti për fuqizimin e eksporteve. “Shteti duhet të ndërhyjë me eksportet, duke nisur që nga lehtësimi i certifikimeve, deri te pagesat e taksave në dogana”, nënvizon z. Asllani.

Fermerët braktisin vreshtat; Emigracioni godet konsumin e rakisë

Vreshtat e mbjella me rrush në 2022 janë ulur 5,4 herë në raport me vitin 2018 kur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përfundoi kadastrën për regjistrimin e vreshtave dhe ullishtave.

Sipas raportit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për monitorimin e realizimit të buxhetit, në vitin 2022 ishin të regjistruara 350 njësi vreshti, kundrejt 2,250 njësi të regjistruara në 2018.

Profesori i Universitetit Bujqësor të Tiranës, Drini Imami, pohoi për “Monitor” se rënia e sipërfaqeve me vreshta ka ardhur për disa arsye.

“Në vitin 2022, fermerët u përballën me rritje të lartë të çmimeve të inputeve bujqësore, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë. Rritja e çmimeve ishte e veçanërisht problematike për fermerët shqiptarë sepse ata kanë shumë më pak mbështetje, me subvencione nga shteti, sesa fermerët e vendeve fqinje”.

Sipas tij, përveç shtimit të kostove, faktor tjetër që ka ndikuar në rënien e sipërfaqes me vreshta është edhe tkurrja në vazhdimësi e konsumit të rakisë.
Rënia e konsumit të pijeve alkoolike është një nga shqetësimit kryesore të prodhuesve vendas.

Idajet Duraku, administrator i kantinës “Ervin Kukës” shton se arsyeja kryesore e rënies së konsumit është emigrimi i popullatës dhe tkurrja e numrit të lokaleve.

“Rënia e konsumit është problematika kryesore e Qarkut të Kukësit. Kryesisht te rakia që ne prodhojmë, tkurrja e lartë e konsumit nuk është ndikuar nga çmimi, pasi në treg është hedhur edhe produkt i magazinuar në muajin dhjetor para rritjes së akcizës.

Rënia e konsumit ka ardhur tërësisht nga emigrimi i njerëzve. Kjo konstatohet edhe tek ulja e numrit të lokaleve që furnizoheshin me raki nga kompania jonë”.

Z. Duraku thekson se tendenca rënëse e konsumit ka nisur që në vitin e pandemisë, e ndikuar nga mbyllja e ekonomisë dhe më tej nga shtimi i kostove të lëndëve të para nga lufta Rusi-Ukrainë dhe rritja e akcizës.

“Tashmë prej tre vitesh, aktiviteti ynë është në vendnumëro. Por nëse kjo vazhdon, rrezikon të shkosh drejt fundit. Nuk po shohim asnjë zgjidhje”. Qarku i Kukësit rezulton me numrin më të lartë të të larguarve dhe shpopullimin më të shpejtë në Shqipëri./Monitor.al

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button