Tech

Historiani kinematografik tregon si përzgjidheshin filmat në kohën e Enver Hoxhës

Zoti Abaz Hoxha, sot 93 vjeç erdhi në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTv për të na treguar jetën e tij këto 9 dekada e pak. Në pjesën e parë të emisionit, zoti Hoxha na tregoi për kohën kur luftonte si partizan, arrestimin e babait nga Enver Hoxha dhe shumë të tjera. Ndërsa në pjesën e dytë foli për jetën dhe punën si kryeinxhinier në Kinostudio. Zoti Hoxha tregon për gazetaren Rudina Xhunga se si përzgjidheshin filmat që do të dilnin në premierë, në kohën e komunizmit.

“Unë isha kryeinxhinier në Kinostudio dhe drejtoja sektorin e kinemave. Një ditë më merr në telefon drejtori i kinemave të Tiranës. Do mbyll kinematë, më thotë se nuk ka filma për premierë. Unë sapo kisha marrë filmat “Helena e Trojës” dhe “Rroftë Zapata”, që të dy filma të shkëlqyer. Por atëherë ekzistonte një rregull. Para se të nxirreshin filmat në premierë, duhet t’i miratonte edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Unë mora zëvendësministrin që të vinte të shihte filma. Fillimisht pamë filmin “Rroftë Zapata” dhe pasi mbaroi më tha: ka fe në film, ishte trupi i Zapatës te burimi. Ndërsa unë i thashë që nuk ka gjë më simbolike që vihet trupi i një revolucionari mbi burim. Nuk më dha përgjigje, ta nxirrnim filmin apo jo. Kur pa filmin “Helena e Trojës” tha që ka shumë skena erotike, orgji. I presim disa i thosha unë. Iku dhe nuk më dha asnjë përgjigje. Unë mora iniciativën dhe i nxora vetë filmat në premierë, nuk ndryshova asgjë. Po ju tregoj dhe një rast tjetër. Erdhi drejtor i Kinostudios Vaskë Aristidhi dhe ai ishte ndihmës i Ramiz Alisë. Meqë kishte bërë liceun francez, ai shkonte kontraktonte filmat jashtë, merrte literaturën, lexonte përmbajtjet e filmave dhe shkonte te Ramiz Alia dhe e bisedonin. Praktikisht ai i importonte filmat, pastaj përgjegjësinë për nxjerrjen e filmave ma linte mua. Megjithëse e kundërshtova, më mbeti si përgjegjësi. Mora një herë filmin “Bel Ami”. Ata e kishin hequr nga qarkullimi, unë e vendosa, por ata e hoqën sërish. Kam shpëtuar për një qime. Sekretarët e rinisë së qendrave të punës ishin kundër nxjerrjes së këtij filmi, ndërsa sekretarët e rinisë së shkollave ishin pro. Kështu që unë e hodha filmin. Mendoja deri sa ishte botuar romani në Shqipëri, pse nuk mund të jepej filmi. Megjithatë ma hoqën pas një jave.”, tregon zoti Hoxha ndër të tjera.

#Historiani #kinematografik #tregon #përzgjidheshin #filmat #në #kohën #Enver #Hoxhës

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button