Dorëheqjet/ Bledian Koka: Deri në fund, Alibeajt do i ngelin vetëm 2 kandidatët e tenderave!

Gazetari Bledian Koka u shpreh në Task Force me Sonila Meçon në Syri Tv, se Enkelejd Alibeajt do t’i ngelin vetëm dy kandidatë për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Duke iu referuar dorëheqjeve masive të kandidatëve të grupimit Alibeaj, Koka tha se është tregues i reflektimit të atyre që u shkuan pas fillimisht.
Ai shtoi se të vetmit kandidatë të Alibeajt do të jenë Agron Kapllanaj i Mallakastrës dhe Roland Bejko në Tiranë, të cilët kanë interesa financiare me pushtetin.
“Shoh që deri në fund të kësaj gare do të ngelin vetëm dy njerëz në garë, me shumë gjasa Kapllani i Mallakastrës dhe Ronald Bejko në Tiranë. Që praktikisht nuk janë kandidatët e demokratëve, por janë kandidatët e tenderave. Kjo lloj pasqyre që ata reflektojnë, ky lloj modeli sigurisht është lexuar edhe nga ata që për një mijë arsye nuk janë pajtuar me Berishën“, u shpreh ai.
Koka theksoi gjithashtu se Kujtim Gjuzi, Selami Jenisheri apo edhe “Kërpërata” ishin më dinjitozë se Basha-Alibeaj.
“Ajo që duhet patur parasysh nga demokratët është që të gjithë ata që kanë anatemuar Kujtim Gjuzin, Selami Jenisherin, atë që i mbante femrat me ëhisky apo “kërpëratën” e famshme, duhet t’u kërkojnë falje sepse qëndrimi i tyre ka qenë shumë më dinjitoz në raport me atë që po bën Basha-Alibeaj. Nëse ata ishin fasada e një pushteti, këta janë bashkëpunëtorë të një pushteti që po dhunon, grabit dhe shkreton Shqipërinë“, tha ai./Syri