Aktualitet

Rama “harron” sulmet ndaj Top Channel: Asnjë presion ndaj tyre

Kryeministri Edi Rama u shfaq mbrëmjen e së hënës në Top Channel në emisionin “Top Story” të Grida Dumës për të folur për sulmin ndaj godinës së kësaj medieje ku humbi jetën një roje e sigurisë. Rama u vu përballë akuzave që shpesh bën ndaj mediave duke i quajtur ato si dezinformuese dhe madje edhe si shantazhuese. Një përplasje të fortë Rama pati pikërisht me këtë TV përpara pak kohësh duke e akuzuar madje se kishte kërkuar “favore të paligjshme”.

“700 mijë shqiptarë kanë ikur 12 vitet e fundit”. “7 punonjës në ditë ikin nga policia”. ”Tre vite pas tërmetit s’kanë shtëpi”. Këta janë tituj lajmesh të rreme në ekrane private kombëtare që kanë një mision: Dizinformim e nxitje kundër qeverisë! Arsyeja? Duan favore të paligjshme! – shkruhej në atë kohë në mesazhin e kryeministrit që reagonte pas disa lajmeve të këtij TV.

Madje në një tjetër reagim pas një emisioni për çështjen e fondeve për bujqësinë, Rama shkoi edhe më tej kur e akuzonte këtë ekran për shantazh.

“Ja për shembull se si funksionon shantazhi mediatik. Kërkohen 120 mln lek nga AZHBR për t’u treguar shqiptarëve kudo ndodhen sa mirë po ecën Shqipëria rurale,” – shkroi Rama atëherë.

Top Media i përgjigjet shantazhit të sajuar të Kryeministrit Rama - Top  Channel

Edhe përgjigja e ekranit ishte se Rama po u bënte presion dhe i cilësoi deklaratat e Ramës “një seri sulmesh” të cilat, sipas televizionit, vijnë “pas transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun”.

Sot që linja editoriale e TCH ka ndryshuar, ka ndryshuar edhe qëndrimi i Ramës.

“Qeveria ka qenë një ndër shënjestrat e Top Channel, jo në një rast, por në shumë raste dhe ja ku jam sot këtu e ajo çfarë mund të them është se përtej polemikave që unë personalisht kam zgjedhur të bëj me Top Channel publikisht, nuk ka mundësi dhe nuk ka shans që të dalë dikush nga Top Channel, qoftë pronarët, qoftë gazetarët qoftë editorialistët qoftë dhe ju që drejtoni këtë emision dhe të thotë që në një fragment sekonde të ketë ndier se qeveria t’i ketë ushtruar një presion. Apo polemikën që unë kam pasur me Top Channel në publik ta ketë përkthyer në veprim abuziv të shtetit ndaj Top Channel” – thotë tani Rama.

Kreu i qeverisë shkon deri aty sa të thotë se asnjëherë nuk ka ndërhyrë në linjat editoriale të mediave.

“Unë ju siguroj që unë dhe qeveria ime që unë drejtoj nuk kanë ndërhyrë kurrë në asnjë milimetër të lirisë editoriale apo lirisë publicistike qoftë të lirisë së medias, qoftë të gazetarëve” – tha Rama

Në fund, edhe pse nuk e përmendi me emër i dërgoi një mesazh edhe Irfan Hysenbelliut të News 24.

“Asnjë pronar mediash që kujton se pas ekranit dhe pas gjethes së fikut të lirisë mund të bëjë evazion fiskal, mund të bëjë ndërtime pa leje, mund të bëjë pastrim parash, mund të bëjë skllavërim të punonjësve pa u paguar sigurimet shoqërore do të mund t’i ikë përballjes me ligjin dhe me shtetin nuk do të jetë kurrë i qetë për sa kohë të jem unë kryeministër” – tha Rama me tone paralajmëruese./Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button