Aktualitet

Basha përfshin Berishën në historinë e lobimit në SHBA

Në ato pak fjalë që u tha gazetarëve, ndërsa po dilte nga oborri i parlamentit, Lulzim Basha lëshoi një thagmë, me të cilën e shtoi akoma më shumë mjegullën që vesh historinë e 500 mijë dollarëve, të paguara në SHBA para zgjedhjeve të 2017.

Pikëpyetjet mbi të vërtetën e këtyre parave e ndjekin Lulzim Bashën prej thuajse 5 vitesh, por në vend se ta sqarojë një herë e mirë, ai e komplikoi më tej me deklarata gjysmake.

Shkaku që gazetarët e pyetën për këtë çështje ishin deklaratat e Berishës nga seia e PD-së. Auditi që urdhëroi ai doli në përfundimin se paratë nuk kanë qarkulluar nga financat Partisë Demokratike.

“Edi Rama me akuzën për larjen e parave e shpëtoi Lulzim Bashën nga 6 vite burg dhe e shndërroi në një peng, që e përdor për çdo gjë kundër opozitës dhe kundër pluralizmit në Shqipëri” shtoi Berisha në konferencën për mediat.

Dukshëm i irrituar nga akuzat, Basha ka lëshuar versionin e radhës për burimin e parave.

“Të pyesi listën e të ftuarve në festën e tij familjare” u shpreh Basha për gazetarët.

Ky është një pohim që e ndërron krejt narrativën e deritanishme për financimin e lobimit të PD-së në SHBA. Basha pohon me këtë rast, se njerëzit që financuan lobimin e tij janë në Shqipëri dhe jo në SHBA siç kishte thënë më parë. Në anën tjetër, ai përfshin në këtë çështje edhe ish-kreun e PD-së, i cili deri tani ka pranuar se nuk di asgjë për këtë çështje.

Berisha: Shqiptaro-amerikanët firmosën fatura false të mbulonin Bashën

https://lapsi.al/2022/10/17/berisha-shqiptaro-amerikanet-firmosen-fatura-false-te-mbulonin-bashen/embed/#?secret=jaZP1U3JJ0

Ky është version i tretë që jep Basha për origjinën e parave me të cilat pagoi lobistin amerikan Nick Muzin. Kompania e tij i garantoi një foto me Trump, takime me kongresmenët republikanë dhe një shkrim në Breitbart News, pak para zgjedhjeve të 2017, kur Basha ishte kandidat për kryeministër i Partisë Demokratike.

Në versionin e parë, në Nëntor të 2017, Basha tha se “Kjo kompani ka marrë dhe kontribute të tjera. Ka marrë një kontribut me një shumë prej 500 mijë dollarësh, përmes një skeme plotësisht në përputhje me ligjin amerikan, nga shqiptaro-amerikanët që kanë bërë grumbullim fondesh”.

Në versionin e dytë disa muaj më vonë, Basha tha se nuk kishte asnjë lidhje me këto para dhe nuk mbante asnjë përgjegjësi.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, deklaroi Basha disa muaj më pas, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. “Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, u shpreh Basha pas disa kohësh.

Akuzat për financime rus

Një shkrim i medias amerikane Mother Jones zbuloi se kompania që kaloi paratë në SHBA “Biniatta Trade LP” ishte regjistruar në Edinburg të Skocisë. Zinxhiri i kompanive guaskë të çonin tek dy shtetas rusë, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Nga këtu lindën dyshimet se lobimi i Bashës në SHBA ishte i financuar nga Rusia.

Në Shtator të vitit të kaluar, Zëri i Amerikës citoi një raport të komunitetit të inteligjencës amerikane sipas të cilit 500 mijë dollarët e financimit për lobimin e Bashës u dhanë nga Rusia.

“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane për Zërin e Amerikës.

Ky raportim e ka bërë akoma më të besueshëm këtë version të ngjarjes, ndërsa shpjegimet gjysmake të Lulzim Bashës vetëm sa e kanë shtuar amullinë.

Sipas deklarimeve të kompanisë “Muzin” ajo mori tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra për 25 mijë dollarë, dhe tjetra për 500 mijë dollarë.

Vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh është pranuar nga Basha. Dy të tjerat mbeten të paqarta ende sot.

Ambasadori i Rusisë në Tiranë: E vërteta e kontratave të lobimit të PD-së…

https://lapsi.al/2019/03/28/ambasadori-i-rusise-ne-tirane-e-verteta-e-kontratave-te-lobimit-te-pd-se/embed/#?secret=83hyFJk8sS

Rama inicioi hetimin ndaj Lulzim Bashës

Lulzim Basha është hetuar në Shqipëri për këtë çështje, pas disa letër-porosive që erdhën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të procesit, Basha nuk u dënua, ndërsa grupi i prokurorëve që hetoi çështjen u përfshi në një konflikt të fortë mbi rrjedhën e hetimit.

Por hetimet e para për këtë çështje u nisën fillimisht nga zyra e FBI-së në New York.

Siç doli më vonë, hetimet nisën pasi kryeministri Rama zhvilloi një takim me ish-shefin e zyrës së FBI-së në New York, Charles McGonigal. Në takim, veç Ramës dhe McGonigal ishin të pranishëm edhe shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe përfaqësuesi i firmës kineze CEFC, Dorian Duçka.

Materialet e para për FBI dolën nga zyra e kryeministrit Edi Rama, ndërsa këshilltari i tij Dorian Duçka pagoi për shpenzimet e dëshmitarëve për këtë çështje.

Pasi mori në pyetje lobistin amerikan Nick Muzin, FBI nuk nisi asnjëherë një procedim penal për këtë rast.

E vërteta e nxitjes së hetimeve për Bashën nga Rama doli pas arrestimit të ish-shefit të FBI-së në New York, Charles McGonigal. Ishte ai që i shërbente një oligarku rus Oleg Deripaska dhe që kishte fshehur udhëtimet në Shqipëri dhe paratë që kishte marrë nga Agron Neza./Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button