Tregtia dhe ekonomia janë gurët e themelit për marrëdhëniet kino-amerikane
Sekretarja amerikane e Tregtisë Gina Raimondo ka mbaruar vizitën e saj 4-ditore në Kinë. Kjo është vizita e katërt nga një zyrtar i lartë amerikan qysh prej qershorit të këtij viti. Për sa i përket kësaj vizite, publiku i kushton vëmendje shpalljes prej Kinës dhe ShBA-së të hapjes së “një kanali të ri komunikimi”, duke shprehur mendimin që kjo është në të mirë të “pakësimit të keqkuptimeve”. Raimondo deklaroi qartë që ShBA-ja “nuk kërkon shkëputjen nga Kina” dhe shprehu shpresën që ndërmarrjet amerikane të bëjnë investime në tregun kinez.
Disa ekspertë kanë vënë në dukje në intervista për CMG-në që ky “kanal i ri komunikimi” është në të mirë të dialogut të mëtejshëm ndërmjet të dy palëve, thuhet në një koment të CMG-së.
Që nga viti 2018, ShBA-ja ka vazhduar të vendosë tarifa të larta ndaj mallrave kineze, por vjet vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në afro 760 miliardë dollarë, duke vendosur rekord. Sipas raportit të vitit 2023 për eksportet e ShBA-së në Kinë, të publikuar nga Këshilli i Biznesit ShBA-Kinë, eksportet amerikane në Kinë kanë krijuar më shumë se 1 milion vende pune për ShBA-në. Më shumë se 70 mijë kompani amerikane kanë investuar në Kinë dhe afro 90 % e bizneseve të tyre në Kinë kanë regjistruar fitime. Sipas CNN-it, kompanitë amerikane kanë ndërtuar një rrjet të madh prodhues në Kinë dhe janë shumë të varura nga konsumatorët kinezë.
Ky është pasqyrimi i integrimit të thellë industrial ndërmjet Kinës e ShBA-së dhe i përfitimeve të ndërsjella të marrëdhënieve ekonomike e tregtare dypalëshe, si edhe arsyeja e drejtpërdrejtë pse qarqet amerikane të biznesit janë kundër “shkëputjes” nga Kina. Sipas mediave amerikane, përpara vizitës në Kinë Raimondo bisedoi me afro 150 udhëheqës biznesi, të cilët janë të etur për më shumë komunikim dypalësh. Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë në Kinë, 66 % e kompanive amerikane në Kinë do të ruajnë ose rrisin investimet e tyre në dy vjetët e ardhshëm.
“Tregtia dhe ekonomia janë gurët e themelit për marrëdhëniet kino-amerikane,” shkruan CMG-ja në komentin e saj.
#Tregtia #dhe #ekonomia #janë #gurët #themelit #për #marrëdhëniet #kinoamerikane