Aktualitet

Intervista te Ekathimerini/ Goditjet që Rama i ka paralajmëruar publikisht siç bëri me Belerin

Në intervistën që dha për median greke, kryeministri Edi Rama bëri prapakthehu për sulmet që kishte bërë ndaj Fredi Belerit para se ky të arrestohej nga policia. Ai tha se “nuk ndihej mirë për disa prej gjërave që kishte thënë”, duke ia vënë fajin natyrës agresive të politikës. Video më poshtë:


Para zgjedhjeve, Belerin e kishte quajtur një dru, kokërr injoranti, analfabet, budalla, gdhë, maskara, mi gjirizi, pleh dhe honxho-bonxho, që nëse e shikonin turistët që vinin në Himarë mund të trembeshin se do thonin “mos na i ha kalamajt ky” dhe se nga fytyra që kishte nuk do ta punësonte as roje te dyqani Vodafonit se trembte klientët.


Këto kunja dhe epitete janë normale në mënyrën se si Rama përballet me kundërshtarin, madje është në të drejtën e gjithkujt të mendojë se një personazh si Fredi Beleri meriton shumë më shumë. Por Rama kishte një merak tjetër, kur tha se ishte penduar për fjalët që kishte thënë.

Disa prej deklaratave të tij në fushatë, nëse dëgjohen më vonë lexohen si paralajmërime m të cilat kryeministri parapërgatiti arrestimin e Belerit dhe kjo nxjerr një anë tjetër të tij.

Sepse para arrestimit, Rama tha se “në Himarë e kam personale, është personale”. Nga mitingu i Kamzës ai paralajmëroi direkt Pandeli Kokaveshin, bashkëpuntorin e Belerit se do të merrej personalisht me të. Dhe disa orë më pas, Kokaveshi u arrestua.

Edhe në emisionin Opinion, Rama pranoi se kandidimi i Fredi Belerit në Himarë “mua më çmend” dhe se “ka akoma njerëz në këtë vend që çmenden nga gjëra të tilla, se gjëra të tilla janë me rrezik shumë të madh” duke e kaluar përplasjen me Belerin në nivel tjetër.

ka bërë bashkë disa deklarata të Ramës që të çojnë të mendosh se arrestimi i Belerit në 12 Maj u bë me urdhër politik. Një pjesë të tyre mund t’i shihni në videon më poshtë:

 

Por në intervistën për Ekathimerini, Rama e hodhi poshtë interpretimin se akuzat i paraprinë arrestimit,  kur tha se, nëse ai do ta dinte për arrestimin nuk do fliste në një mënyrë që e ekspozon si urdhërues të burgosjes.

“Nëse une do e dija që kishte një hetim nisur nga denoncimi i dikujt, dhe i nisur nga prokuroria a do ta ekspozoja veten me këtë gjuhë kaq të ashpër? Nëse unë e dija që do arrestohej a do ta ekspozoja veten me një gjuhë kaq të drejtpërdrejtë? Nuk besoj” tha Rama për Ekathimerini.

Logjika që përdor Ed Rama i jep atij një alibi të vlefshme, por eksperienca tregon të kundërtën.

sjell disa shembuj që tregojnë se Edi Rama nuk e ka problem të të paralajmërojë apo të të kërcënojë publikisht dhe në shumicën e rasteve ndëshkimi ndodh vërtetë. Në një mënyrë apo tjetër, janë disa raste që dëshmojnë se nëse i bëhesh pengesë Ramës, goditja nuk vonon.

Arjan Ndoji Edi Rama
Arjan Ndoji Edi Rama

Paralajmërimi për prokurorin Arjan Ndoji

Në 9 Tetor 2019, kryeministri Edi Rama lëshoi në parlament disa deklarata të forta kundër prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji. Më herët, ky prokuror kishte çuar në burg një drejtor të kadastrës së qytetit, madje ish-zv.kryeministri Erjon Braçe shkoi në sallën e gjyqit duke bërë presione publike për lirimin e tij. Pas kësaj ngjarjeje, Rama doli në parlament dhe u bëri thirrje deputetëve të Partisë Socialiste të reagojnë me forcë.

“Duhet të reagojmë me forcë ndaj prokurorëve dhe gjykatësve që nuk e kanë kaluar vetting-un, që nuk do ta kalojnë vetting-u dhe kanë krijuar një grup “kap çfarë të kapësh” u shpreh kryeministri që kaloi në sulmin e përveçëm. “Një prokuror në Durrës, punon për grupet kriminale dhe iu bën shantazh punonjësve të shtetit”, deklaronte Rama.

Tre javë më pas, prokurori Arjan Ndoji ra pre e një atentati ku mbeti i vdekur shoferi i tij. Ngjarja ndodhi në 1 Nëntor 2019. Në makinë me Ndojin ishte edhe një person me precedentë penalë. Nga hetimet doli se atentati ishte kryer me pagesë. Mes ekzekutorëve ishte edhe Redjan Rraja që mori dënimin me burg të përjetshëm.

Paralajmërimi për Sali Berishën

Në fillim të shkurtit 2019 Edi Rama i tha Sali Berishës publikisht në parlament se SHBA e kishin shpallur non grata. “Tani kam unë një pyetje të drejtpërdrejtë për ty. Sali, ti e kapërcen dot oqeanin po të duash? Hajde përgjigju. Më bëre një pyetje të drejtpërdrejtë. Ta dhashë përgjigjen e drejtpërdrejtë për të të bërë një pyetje të drejtpërdrejtë. Ti, po të duash, e kapërcen dot oqeanin Sali? Nëse unë do të isha ai që më përshkruani ju, të jeni i sigurt që unë nuk do e kapërceja dot oqeanin e jo më të komunikoja me Shtëpinë e Bardhë, me kërkesë të Shtëpisë së Bardhë, se unë nuk kam mundësi të kërkoj diçka të tillë”, tha Rama në parlament në 1 shkurt 2019.

Lexo edhe: Rama e pati paralajmëruar/ Sali Berisha shpallet person non-grata në SHBA

Ajo që kishte paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë u bë realitet në Maj të vitit 2021, pak pas përfundimit të zgjedhjeve. Sali Berisha u shpall “non grata” nga Departamenti amerikan i Shtetit. Sipas sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken “veprimet e Sali Berishës minuan demokracinë në Shqipëri”. 

Paralajmërimi për Arben Ahmetajn

Arben Ahmetaj ishte mënjanuar nga qeveria dhe nga partia shumë kohë para se të arrestohej. Në vetvete, kjo lloj shmangie që i bëri Rama e bënte arrestimin e tij thjesht çështje kohe, por kryeministri nuk ngurroi të ekspozohej publikisht kur gazetarët e ftuan në replikë me Ahmetajn.

Në 9 Mars 2023, kryeministri Edi Rama deklaroi “nëse unë do të kisha bërë rolin e gjykatësit, gjërat do të kishin qenë shumë më keq për ata që duan që unë të bëj gjykatësin”.

Dhe vërtet. Gjërat u bënë shumë më keq për Arben Ahmetajn. Në 7 Korrik, rreth 4 muaj pas deklaratës së Edi Ramës, SPAK dërgoi në kuvend kërkesën për arrestimin e Ahmetajt që tashmë ishte arratisur jashtë vendit.

Paralajmërimi për Irfan Hysenbelliun

Në dukje, goditja në kompleksin “Prestige” të Irfan Hysenbelliut ishte një punë e institucioneve që po e ndëshkonin biznesmenin se nuk kishte paguar taksat.

Por në realitet, shkatërrimi i pishinës dhe hotelit Prestige ishte hakmarrje e kryeministrit Rama për biznesmenin e pabindur. Në 2 Shtator në shenjë paralajmërimi u prish pishina e hotelit, e realizuar sipas një vizatimi të vetë Edi Ramës dhe që pronarët e kishin ruajtur.

Lexo edhe: Hysenbelliu: Edhe në kohën e Hoxhës njerëzit flisnin, sot Rama i ka terrorizuar

Pronari i Neës24 akuzonte direkt kryeministrin Rama se prishja e pishinave në shtator ishte vetëm një paralajmërim. Dhe ashtu ishte. Marrëdhëniet mbetën të ngrira deri kur në Dhjetor të vitit 2022, Rama paralajmëroi shpërthimin e hotelit duke deklaruar: “Të gjithë të barabartë përpara ligjit, nuk do të ketë asnjë tolerim”. Vërtet që nuk pati asnjë tolerim.

Në 4 Dhjetor, hoteli i Irfan Hysenbelliut u hodh në erë me dinamit.

Paralajmërimi për Ervis Martinajn

Historia e Ervis Martinajt ngërthen brenda saj politikë, krim, korrupsion dhe biznes. Për asgjë që lidhet me këtë histori nuk ka asnjë provë zyrtare.
Ervis Martinaj u zhduk në 9 Gusht 2022 dhe familjarët ia kërkojnë kufomën kryeministrit Edi Rama.

Shkak për këtë është një paralajmërim që sipas tyre Rama i ka bërë direkt Ervis Martinajt gjatë një mitingu me socialistët në Tiranë në 18 Prill 2021.

“I them edhe atij drejtorit të basteve të kohës, bashkë me vullnetarët që kanë humbur licencat e basteve. Ne jua dimë targën e makinës. Dhe kur them ne, jo regjimi por patronazhimi.”, dëgjohet të thotë Rama në miting.

Xhaxhai i Ervis Martinajt, në një intervistë pas zhdukjes së nipit të tij, tha se Edi Rama e paralajmëroi zhdukjen dhe siç e deklaroi, ashtu e bëri.

“Po e di unë se në fushatën e prillit të vitit të kaluar, na ka thënë. Ka dalë në miting dhe e deklaroi: “Unë i them atij drejtorit të basteve…” Po deshe e kam këtu videon ta çoj në ëhatsapp, por deshe ta çoj. “Unë i them atij drejtorit të basteve, betohet, unë ia di targën e makinës, edhe në brimë të miut po u fut, ne do të të gjejmë”. Edhe e gjeti. Ashtu siç deklaroi edhe e bani, e gjeti. Dëgjo motër, hasmi nuk ka interes me të zhduk xhenazen dhe kufomën, mua baba nuk më ka lënë hasmëri me askënd. Kurse ky qafiri i kombit, Edvini…” u shpreh Faik Martinaj.

Lexo edhe: Xhaxhai i Ervis Martinajt akuzon live kryeministrin: Ideatori i zhdukjes është Edi Rama (Intervista)

Shumëkush sot mund të fërkojë duart për burgosjen e Fredi Belerit. Izolimi i tij në qeli perceptohet një lloj “karma” për grisjen e flamurit shqiptar apo për akuzat e vrasjes së ushtarëve shqiptarë në kufi. Por në anën tjetër, disa ngjarje po tregojnë se nuk ka rëndësi nëse je me kombësi shqiptare apo greke, maqedonase, boshnjake apo çfarëdo. Receta është e njëjtë për këdo që tenton t’i bëhet pengesë pushtetit dhe Rama nuk i trembet ekspozimit, siç tentoi të manipulojë tek Ekathimerini./



#Intervista #Ekathimerini #Goditjet #që #Rama #paralajmëruar #publikisht #siç #bëri #Belerin

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button