Tregu i sigurimeve regjistron mbi 13 miliardë lekë më shumë se në janar-korrik 2022

Tregu i sigurimeve u rrit me pothuajse 11% gjatë 7 muajve të parë të vitit. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, primet e shkruara bruto për pjesën e parë të vitit kapën vlerën e 13,1 miliardë lekë ose 11.22% më shumë se në janar-korrik 2022.
Rritja e tregut reflektoi një bazë të gjerë rritje për shumicën e klasave të sigurimit në tregjet e jetës dhe të Jo-Jetës.
Tendenca vijon e njëjtë teksa tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.02% të vëllimit të përgjithshëm të primeve.
Një rritje e lehtë vërehet në portofolin e sigurimeve nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore. Nga rreth 2,7 miliardë lekë që shqiptarët shpenzuan për këtë sektor në 7 muaj, kryeson Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me 66.52%, vijuar më tej nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 24.68% të totalit.
Kjo i atribuohet më shumë sistemit bankar, i cili nuk miraton kredi pa sigurimin e pronës.
Sa i përket tregut të sigurimeve të automjeteve në total, Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar-korrik 2023 arritën rreth 7,5 miliardë lekë, 7.81% më shumë se në periudhën janar-korrik 2022.
Në rritje paraqitet dhe pesha e sigurimeve vullnetare të cilat arritën në 5,6 miliardë lekë, rritje 16.10% se e njëjta periudhë e një viti më parë.
Për aktorët e tregut përtej tendecës rritëse, përsëri sigurimet mbeten në nivel të ulët krahasuar me rajonin, për shkak të mosinformimit të duhur. Sipas Avni Ponarit, anëtar i shoqatës së siguruesve, qeveria është përgjegjëse në krijimin e strategjive për informimin e qytetarëve për sigurimet.
#Tregu #sigurimeve #regjistron #mbi #miliardë #lekë #më #shumë #në #janarkorrik