Rama lan duart me Ilir Beqen, “kush kapi mandarina rrugës, do paguajë”
Mesazhet e fundit të Edi Ramës nuk paralajmërojnë asgjë të mirë për Ilir Beqajn, ish-Ministrit të Shëndetësisë që po hetohet për aferën e sterilizimit. Nëse Rama e ka paralajmëruar burgun për ish bashkëpuntorë të tij nëpërmjet metaforës së ngrënies së frutave pas krahëve, për Beqajn përdori të njëjtën figurë letrare me të cilën janë “djegur” edhe të tjerët.
Para urdhër-arrestit për Arben Ahmetajn, kryeministri kishte përmendur mollët dhe dardhat, ndërsa sot përmendi “mandarinat”.
“Sa herë do ua u shpjegoj këtë gjë “njerëzit më të besuar”, njerëzve iu jap besim për të bërë punën që iu takon për qëllimin e përbashkët. Nëse dikush shfrytëzon rrugën e përbashkët për qëllimin e përbashkët për të kapur mandarina, ndërkohë që ne shkojmë në luftë, do paguajë. Kaq e thjeshtë është kjo” tha Rama, që gjithnjë e më shumë është nën presion nga opinioni publik për përgjegjësinë që mban si politikan për aferat e mëdha të korrupsionit, që po godet SPAK në nivelet e larta të qeverisjes.
Lexo edhe: U zhduk kontrata origjinale e “sterilizimit”/ SPAK: Kemi origjinalin e kopjes!
Në fakt, kur foli për aferën e sterilizimit, kryeministri tentoi ta përcjellë me formulat e gatshme që janë dëgjuar edhe më parë, siç është ajo për deklaratat e mjekëve për rritjen e cilësisë së operimit, për uljen e kohës së shtrimit të pacientëve në spitale etj.
Por kur gazetarët e vunë përballë fakteve, që mund ta implikojnë edhe atë në aferë apo për qëndrimet e dyzuara që ka mbajtur në rastin e Beqajt, Rama i lau menjëherë duart me këdo që është përfshirë në korrupsion.
I tillë ishte momenti kur gazetarja Ambrozia Meta i kujtoi një letër që ia kishte dërguar bashkimi i kompanive që nuk e fituan garën për sterilizimin, në të cilën e informonin Ramën për procedurat abuzive të sterilizimit, që sot po hetohen nga SPAK. Fill pas letrës që i kishin çuar Ramës, Ilir Beqaj kishte reaguar akoma më ashpër, duke shkelur afatet e ankimimit.
Indiferenca e asaj kohe, tregon se kreyministri Rama i ka aprovuar me heshtjen e tij abuzimet e Ilir Beqajt, megjithëse ishte i informuar paraprakisht. Por kryeministri tha se letrat që i vijnë i shpërndan në institucione, ndërsa për të dëshmuar se nuk ishte pjesë e korrupsionit, i bëri thirrje SPAK t’i nxjerrë ujin e zi çështjes së abuzimit me PPP e sterilizimin.
“Në qeveri mua me gjithë të tjerët më bashkojnë qëllimet e shpallura dhe unë luftoj për qëllimet e shpallura. Unë qëllime të pashpallura nuk kam. Doni ta besoni apo nuk doni ta besoni ju. Kush nuk do ta besojë, s’ka problem. Nëse në luftën për qëllime të shpallura, ka individë që shfrytëzojnë të qënit në front për përfitime të tyre jo të përbashkëta, jo në funksion të qëllimeve të shpallura, por për qëllime të veta të paligjshme. Këto i trajton drejtësi” tha Edi Rama, duke konfirmuar distancimin nga Beqaj.
“Unë i inkurajoj maksimalisht t’i nxjerrin ujin e zi çdo çështjeje, cdo rasti, çdo ngjarjeje, çdo aktiviteti të kujtdo qoftë. Nëse ka ujë të zi, t’ia nxjerrin komplet” tha Rama.
Ilir Beqaj është larguar nga qeveria shumë vite më parë, por gjithnjë ka qenë një bashkëpuntor i Edi Ramës pavarësisht skandaleve që e kanë shoqëruar. Në zgjedhjet e kaluara ai u kandidua në Shkodër, ndërsa më vonë Rama e emëroi në krye të Agjencisë që monitoron fondet e ndërkombëtarëve.
Lexo edhe: Rama mirënjohës me SPAK që nuk arrestoi Ilir Beqen
Lexo edhe: SPAK e fali/ Si e gënjeu Ilir Beqja gazetarin për njohjen me Ilir Rrapajn
Lexo edhe: Arrestimet e SPAK për sterilizimin/ Ku qëndron vjedhja (kronologjia e plotë)
Prokurorët e SPAK, Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kishin vendosur t’i pushonin hetimet për Ilir Beqen pavarësisht se ai rezulton të jetë protagonisti kryesor i PPP 100 milion euro të sterilizimit dhe pavarësisht se firmat e Beqajt janë kudo në aferën e sterilizimit.
Por kur gjyqtari Erion Bani u njoh me detaje të dosjes, ai detyroi dy prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi ta merrnin në hetim ish-ministrin e Ramës, për të cilin janë zbuluar disa udhëtime jashtë vendit me përfituesit e PPP të sterilizimit.
Beqaj ka pasur një marrëdhënie të ngushtë me biznesmenin Ilir Rrapaj, që kishte një kompani me kapital 1 mijë euro dhe mori pjesën më të madhe të përfitimit në koncensionin 100 milion euro.
Mbetet për t’u parë nëse prokurorët e SPAK do të qëndrojnë duarkryq tani që Rama u kërkoi t’i shkojë deri në fund hetimit të Ilir Beqes apo do t’i mbeten amnistisë për ish-ministrin e shëndetësisë./
#Rama #lan #duart #Ilir #Beqen #kush #kapi #mandarina #rrugës #paguajë
Lapsi