Mëshirë për Lulin! –

Nga Frrok Çupi
Mbrëmë Jozi hodhi pikën e fundit në gotën e mëkatit. Jozi dihet kush është, ajo e ‘zheleve’ dhe e ‘plumbit ballit’. U kthye prapë.
Por ku e hodhi pikën e fundit?
Edhe kjo dihet. Ishte në një intervistë të gjatë në televizionin ‘Abc News’, me Kol Ballën. Koli e trajtoi si një ‘kukull’, si të bëhej mëkati më i madh sikur t’i prekej qoftë edhe një nerv ku i dhemb Jozit.
Po mëkati, cili është?
Mëkati dhe ‘pika e fundit’ rrinë bashkë. Bashkohen te Luli, Lul Basha. Jozi tha në Tv se ka bërë ‘betejë kundër kryetarit të PD’, e tha duke mos ia zënë emrin ‘qoftëlargut’. Për herë të parë, mbrëmë, kishte veshur kostum jo të zi korb, por një gjë tjetër si të blerë te Gabi. Shpalli luftën me moton ‘tani jam gjallë’.
Kjo ishte pika e fundit.
Naivët dhe budallenjtë profesionistë në PD po ia lëshojnë Lulit në kurriz të gjitha mëkatet e Saliut, si për shembull djegien e mandateve. Që në këtë moment, me plot bindje, unë dëshmoj vetëm mëshirë për Lul Bashën. Të ketë bërë betejë edhe Jozi kundër tij!, kjo është si të të bjerë rrufeja në një cep sekret të shtëpisë. Jozi e paska parë Lulin si një bajloz dhe kjo është e mjaftueshme për të ulëritur: ‘Mëshirë’. Aq më keq që Jozi është përleshur me bajlozë që nga kreu i Kuvendit, dhe i ka mundur. I ka ‘kap për zhelesh e nxjerr jashtë’, i ka quajtur ‘historianë leshi’ dhe u ka thënë me gishta në sy se ‘ti do plumbin ballit’. Pikërisht kjo Bubulinë ia paska frikën Lulit! Mëshirë!
Kjo nuk është betejë, kjo është asharet mes Lulit e Jozit, nga bregu në breg. Jozi, me një shpërthim dashuror në formë urrejtjeje, do që ta zhdukë Lulin, jo vetëm ta ‘kapë për zhelesh’ e ta plasë diku përtokë. Jozi po i zë vendin Lulit, ky është epshi. Jo vendin si kryetar, por vendin në njërin gju të Saliut. As kësaj nuk i del e keqja, siç edhe plot të zierëve në PD. Të keqen do ta ketë përjetë brenda, sepse ndërsa Luli arriti të bëhet kryetar, kjo kurrë nuk bëhet as u bë kryetare. Luli u bë një herë ‘Sali’, por kjo kurrë nuk e ka fatin, gjithnjë do të jetë ‘nën- Sali’.
Asnjë nga idiotët e PD nuk e kupton se duke sulmuar Lulin, në fakt po i rrëmojnë vetes tokën nën këmbë. Këta janë plot shkulmë pasioni se ‘po të shërbejmë, o Sali!, na shiko si po luftojmë Lulin’. Por në fakt, që në këtë moment ia kanë bërë të keqen vetes. Edhe Jozi, këtu ku lëshoi pikën e fundit, shënoi edhe fundin e saj.
Si nuk e kuptojnë se të gjuash kundër Bashës ke vrarë Berishën!?
A mund të luten këta që Luli të burgoset për vrasjen e katër qytetarëve në 21 Janar 2011? Po të ketë ndonjë të mençur në PD nuk e bën këtë. Luli është pjesëmarrës në vrasje, pse është Saliu; pa Saliun Luli nuk i bën kujt keq, e jomë të vrasë njerëz.
Pa pasur në kurriz Saliun, nuk do të ishte vrarë as Ilir Konushevski në Tropojë. Ky u vra mu në kufi me Kosovën, për të dëshmuar se ‘këtu ndahen kufijtë mes Saliut dhe UÇK’. Një ushtri tjetër financonte Saliu në Kosovë e Ballkan. Ndërsa këta të humburit e PD hedhin gurë kundër Lulit se paska ndihmuar Millosheviçin gjatë luftës kur shërbente në Kosovë. Idiotë komplet; këtu e marrin veten në qafë. E akuzojnë se ka pirë në burimin e Dick Martit, që ngriti shpifjen e shekullit kundër shqiptarëve sikur në Mat ndodhet ‘shtëpia e verdhë e tregtisë së organeve njerëzore’.
Sa herë e thonë këtë, aq shpesh dridhet Saliu; do të dridhet edhe kur të mos jetë më. Në ekipin që mblodhi ‘fakte’ kundër UÇK dhe kundër nderit të shqiptarëve, nuk kryesonte Luli, por Argita, Jamarbri dhe të tjerë. Luli kishte udhërrëfyes ‘baba Saliun’.
Këta duan ta luftojnë Lulin me ‘fakte të rëndë’. Budallallëku i tyre. Luli jo vetëm nuk merr pesha të rënda, por as i ka mbajtur. Çdo ditë kur ishte kryetar i PD, i shkonte në zyrë Saliut, plot djersë. Jozi thotë se lufton kundër ish- kryetarit, por nuk kupton se ‘lala Sali po e gjuan si rosë’.
Ata që kanë kuptuar diçka nga ‘birësimi’ Sali- Lul, ata edhe e shprehin frikën ndonjëherë kur përmendin Bashën. Gjuajnë kundër tij si të ishte top prej lecke, por kur gjuajnë hedhin shikimin nga Argita.
Ajo nuk ka mimikë, por këta nuk e kuptojnë përse. S’e dinë se ajo i ka ‘çelësat e Otrantos dhe të Vardarit’.
#Mëshirë #për #Lulin
Java News