Përplasja në Lezhë, arrestohen 3 persona

Policia ka dhënë detaje në lidhje me një përplasje që ndodhi pasditen e së shtunës në një karburant në Lezhë. Policia thotë se rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë – Milot, shtetasi kosovar Migjen Mulaj ka pasur një konflikt të çastit për motive të dobëta me dy shtetasit shqiptarë Nikoll Sokoli dhe Kujtim Rusi, punonjës pranë këtij karburanti.
Sipas policisë, Mulaj i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij dhe ka tentuar që t’i përplasë punonjësit e karburantit duke u rrezikuar jetën. Policia thotë se si pasojë e tentativave me automjet, Migjen Mulaj është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar ato.
Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin Mulajn me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike. Ai aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi Nikoll Sokoli i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se arrestoi 37-vjeçarin Migjen Mulaj banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”. Nën arrest u vunë edhe Nikoll Sokoli 61 vjeç dhe Kujtim Rusi 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”. Policia thotë se materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. ©
#Përplasja #në #Lezhë #arrestohen #persona
Lapsi