Aktualitet

“Ku u gjetën paratë për këtë lobim?”, Meçe: LaCivita dhe aleanca e Berishës me Greqinë, të lidhura bashkë, produkti i ‘magjistarit’ ishte pjata me fasule e çunit të Fahri Balliut!

Kontrata e Sali Berishës me amerikanin Chris LaCivita është një akt i fshehtë me faturë ende të panjohur publikisht, por që do zbulohet ashtu siç ndodhi me lobimin e Metës dhe Bashës.

Ardhja e LaCivita, statusi i të cilit është i panjohur dhe aleanca me Greqinë e Berishës, janë të lidhura mes tyre. Kurse produkti i ‘magjistarit’ amerikan deri tani është “pjata me fasule e kandidatit të PD Klevis Balliu”.

Kështu u shpreh analisti Arben Meçe për ‘Studio Live’ ditën e sotme (1 prill). I ftuar në Report Tv, bashkë me anëtarin e PD-së, Skerdjan Dhuli, ata bënë analizën politike të zgjedhjeve të 11 majit, problematikat dhe projeksionet e mundshme.

“Ku u gjetën paratë për këtë lobim? Ky fenomen del gjithmonë më pas, ka dalë edhe me rastin e Metës, me të Bashës, problemi është transparenca. Edhe kjo do të dali më vonë.

Ka një veprim demagogjik, me prezencën e një personi, që për mua nuk përfaqëson asgjë. Po bëhet demagogjia që erdhi Chris LaCivita dhe do ndryshojnë gjërat, si dhe lidhja e Berishës me Greqinë. Deri te heqja e non gratës Berishës në SHBA ka shkuar ky muhabet, për këtë është përdorur LaCivita. Ai flet për kontribut në PD pa deklaruar kontratën e fshehtë, kjo bie erë dhe po luhet një lojë e fshehtë. Çështja e LaCivita dhe aleanca me Greqinë e Berishës janë të lidhura bashkë. Shqiptarët ende nuk janë të bindur, çfarë është, lobist, konsulent, strateg apo magjistar? E fundit që ka mbet është ajo që thotë Berisha, se qenka magjistar. Nuk ia dimë statusin”, shprehet Meçe.

Madje ai bën edhe ironi me aktivitetin dhe produktin e tij deri tani në lidhje me fushatën e PD-së. Teksa komentoi si të turpshme edhe Primaret e PD-së, ku shumë kandidatë fitues si Sula apo Nallbati nuk janë në lista për zgjedhjet e 11 majit, si fitues të tyre.

“Produkti i parë i LaCivita ishte çuni i Fahri Balliut me pjatën e fasuleve. Kurse për listat mund të them a mund t’i bëjmë krahasimin e listave për deputetë të Lulzim Bashës në 10 vjet me ato të Berishës sot. Thuhet se u bënë Primare, po është turp, Primare ishin ato? E patë Korçën me Nallbatin, numër rekord votash në primare, kujt i mbushin mendjen këta, ku është ai?”, nënvizoi ish-deputeti demokrat për Report Tv.

#gjetën #paratë #për #këtë #lobim #Meçe #LaCivita #dhe #aleanca #Berishës #Greqinë #të #lidhura #bashkë #produkti #magjistarit #ishte #pjata #fasule #çunit #të #Fahri #Balliut
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button