Këtu do të luajnë yjet e së ardhmes

Mbrëmjen e sotme është zhvilluar hedhja e shortit për finalet e Kampionatit Europian U17. Turneu do të luhet në Shqipëri dhe kuqezinjtë do të kenë në grup Francën, Gjermaninë e Portugalinë. Armand Duka ka folur për mikrofonin e “RTSH”-së pas përfundimit të shortit. Kreu i FSHF-së ka shpjeguar rëndësinë e organizimit të këtij kompeticioni, si dhe u shpreh plotësisht i bindur se organizimi dhe infrastruktura do të jetë i përsosur për këtë turne.
“Sot zyrtarisht nisim rrugëtimin për organizimin e Kampionatit Europian për moshat nën 17 vjeç. Një turne final në Shqipëri, i cili ndodh për herë të parë. Jam shumë i kënaqur për gjithçka është bërë deri tani. Dua ta falenderoj adiministratën e federatës, që në bashkëpunim me administratën e UEFA-s i kanë bërë gjërat mirë. Edhe shorti nga pikëpamja organizative ishte mirë. Të 7-a skuadrat e tjera të kualifikuara janë shumë të forta. Kanë ardhur në këtë stad pasi kanë kaluar dy ture eleminatore. Janë me plot meritë sportive deri këtu. Kështu që kushdo të ishte nga kundërshtarët dhe për këdo nga kundërshtarët janë ndeshje të nivelit të lartë të vështirësisë sportive. Nëse do të isha futbollist i asaj moshe, për mua do të ishte një kënaqësi fantastike që ta shijoja një turne të tillë. Sidomos në prani të shokëve të mi të moshës dhe në prani të të gjithë shqiptare. Të krijojmë eksperiencë nga ky turne dhe pse jo, të kërkojmë edhe rezultate pozitive.
Sa është lobuar për të sjellë këtë turne në Shqipëri? Nuk ka qenë e vështirë, sepse nuk është një gjë që vjen në mënyrë të sforcuar apo artificiale. Nuk ka qenë e vështirë, sepse Federata Shqiptare e Futbollit dhe administrate e saj ka dëshmuar aftësitë organizative. Infrastruktura në Shqipëri ka ndryshuar dhe është e përshtatshme. Pra, është një federatë që ka dëshmuar me infrastrukturë, me organizim dhe gjithçka që mund të bëjë kompeticione si ky, por qoftë edhe më të rëndësishëm se ky. Jam shumë i bindur dhe i sigurt që nga pikëpamja organizative e infrastrukturore çdo gjë do të jetë perfekte. Vërtetë janë 17-vjeçarë, por nëse do t’i mbani mend emrat shumë shpejt do t’i shihni në klubet dhe Kombëtaret e mëdha. Do të jenë yjet e së ardhmes. Nga ky kompeticion kanë kaluar të gjithë yjet e sotëm.
Pritshmëritë sportive për Shqipërinë U17? Bëhesh i fortë duke luajtur me të fortë. Bëhesh i fortë duke fituar eksperiencë. Për ata që do të jenë të grumbulluar është një eksperiencë e jashtëzakonshme që nuk është e lehtë ta kesh në çdo kohë në Shqipëri. Por edhe për bashkëmoshatarët e tyre që do ta ndjekin do të krijojnë ato yjet e tyre që duhet të ndjekin dhe do të jetë një motivim për to. Do të kemi më shumë fëmijë rreth lojës sonë. Duke patur aktivitete të tilla i zgjojmë më shumë dëshirën, megjithëse futbolli në Shqipëri është gati-gati një fe”, ka thënë Armand Duka./Sport Ekspres/
#Këtu #të #luajnë #yjet #së #ardhmes
SportExpress