Aktualitet

Shqiptarët konsumojnë 2.6 ton mish me salmonelë, AKU nuk gjen asgjë nëpër tregje

Nuk gjendet asnjë gram nga 2.6 ton mish pule i kontaminuar me salmonelë që përfundoi në treg. Që prej datës 21 Mars kur ISUV konfirmoi praninë e bakterit në ngarkesën prej 7.8 ton fileto pule, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nisi kontrolle në njësitë tregtare me qëllim bllokimin e produktit.

Të kontaktuar nga Tv Klan, AKU thotë se grupet e inspektimit u shtrinë në 10 qarqet ku ishte shitur mishin madje në të gjitha njësitë tregtare janë vendosur njoftime me foto të produktit për të informuar konsumatorin qe në rast se e kanë blerë këtë mish të mos e konsumojnë.

Sasia prej 7.8 tonë mish pule e importuar nga Brazili mbërriti në Portin e Durrësit më 11 Mars, dhe pas analizave të kryera pranë Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë më 21 Mars, u konfirmua prania e bakterit të rrezikshëm në mishin e ngrirë të pulës.

Problemi, sipas AKU, u thellua më tej nga fakti se kompania importuese ka paraqitur fatura fiktive, duke penguar gjurmimin e saktë të produktit të kontaminuar në treg. Prandaj ajo është kallëzuar në prokurori.

Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim administratorin e kompanisë importuese, Arben Hoxha.

Gjithashtu në hetim është vënë edhe vëllai i tij, si dhe 3 inspektorë të AKU-së të cilët dyshohen se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar futjen në treg të këtij produkt të mbërritur në Portin e Durrësit me 11 Mars.

Dyshimet e policisë për 3 zyrtarët lidhen me vonesën e përgjigjes së analizave të kryera kampionëve të mishit, që ka marrë rreth 10 ditë, nga 3 ose 4 ditë që duhet zakonisht.

Mishi i pulës i kontaminuar me salmonelë përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë për shëndetin.

Infeksioni i salmonelës mund të shkaktojë diarre të rëndë, ethe dhe dehidrim, simptoma që shfaqen brenda 8 deri në 72 orë pas konsumit të mishit të infektuar.

Vetëm gatimi në temperaturë mbi 70°C mund të eliminojë rrezikun.

#Shqiptarët #konsumojnë #ton #mish #salmonelë #AKU #nuk #gjen #asgjë #nëpër #tregje
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button