Kandidati i Arlind Qorit e pranon: Po, babai im është bashkëpronar te resorti luksoz në Ksamil!

Gazetarja Ola Xama një ditë më parë erdhi me arsyet e saj se pse nuk do të votojë në zgjedhjet e 11 Majit, “Lëvizjen Bashkë”. E një nga arsyet të cilat ajo parashtroi në reagimin e saj ishte fakti se kandidati i kësaj force të re politike, Redi Muçi është djali i një prej “oligarkëve” për të cilët Arlind Qori dhe aktivistët e “Lëvizjes Bashkë” ka ngritur zërin dhe kanë qenë një nga kauzat e tyre.
“Redi Muçi është djali i Fredi Muçit, ndërtues në kryeqytet dhe aksioner në disa firma të prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe betonit, por dhe një nga ortakët në kompaninë “Arameras” shpk, bashkë me kompaninë Concord Investimet të vëllezërve Dulaku.
Kjo firmë ka ndërtuar një resort në Ksamil, në zonë të mbrojtur – ndërsa toka është dhënë me qira modeste vite më parë nga qeveria shqiptare si subjekt “i simuluar”. Kompanitë Concord Investiment dhe Edil Al të ortakëve të Fredi Muçit, kanë përfituar toka me qira 1 euro, koncesione të shumta, leje ndërtimi, kontrata publike, tendera etj. dhe janë pjesë e listës të sistemit oligarkik që kjo forcë denoncon”, shkruante Xama ndër të tjera.
Ndërkohë, pas kësaj deklarate të Xamës e menjëhershme ka qenë replika e vetë Muçit i cili përmes një postimi gjerë e gjatë.
Përpos që ka pranuar faktin që i ati është një nga aksionerët e vegjël të Dulakut në resortin në Ksamil, ka sqaruar në rend kronologjik të gjithë ngjarjen, qysh në fillimet, në 1995 kur i ati një inxhinier me zë, së bashku me të vëllain dhe një tjetër koleg të tyren, ngritën një firmë ndërtimi me emrin SCAI – Societa construttiva albano-italiana, në bashkëpunim me investitorë italianë.
Ai ka zbuluar se kompania me bashkëpronar të atin së bashku me investitorët italianë filluan ndërtimet në Ksamil, por në vitin e keq për të gjithë shqiptarët, në 1997, për shkak të trazirave punimet u ndërprenë. Vite më vonë pronari i kompanisë italiane ndërroi jetë, ndërkohë që pasardhësit e tij e shitën projektin në një tjetër bashkëkombas i cili rezultoi të ishte bashkëpronar me Artan Dulakun.
“Në vitin 1995 pra u mor leja e ndërtimit dhe në vitin 1996 nisi ndërtimi i disa prej vilave të pushimit në Ksamil, diku te 70. Për fatin e keq të gjithë shqiptarëve, erdhi viti 1997 dhe gjithçka u ndërpre. Qeveria që e pasoi i zvarriti procedurat dhe diku aty nga fillimi i viteve 2000, pronari i kompanisë italiane vdiq. Pasardhësit e tij, jo vetëm që nuk donin ta vazhdonin projektin, por palës shqiptare – pra babait, xhaxhait dhe ortakut të tyre – nuk u shlyen as koston e punimeve që kishin bërë: diku te 80 mijë euro, që për ato vite ishte goxha kapital. Pala italiane e shiti projektin, me ndërtesat e gjithçka qe bërë deri atëherë, te një italian tjetër, i cili ishte ortak me Artan Dulakun.
Nuk e di për ç’arsye as italiani i dytë nuk e çoi përpara këtë projekt. Di që Artan Dulaku u bë pronar i më shumë se 50% të tokës dhe është përgjegjës për të gjithë investimin që është bërë në tërë këto vite në atë zonë të Ksamilit. Ama Dulaku, njëkohësiht ftoi rreth 7-8 firma të tjera ndërtimi për të blerë aksione si pronarë toke, mes tyre edhe SCAI-n”, shkruan Muçi i cili thekson më tej se arsyeja që kompania e të atit dhe vetë babai i tij pranuan që të ishin bashkëpronar ishte fakti se nuk kishin marrë asnjë para mbrapsht nga ato që kishin investuar, shumë e cila vlen të theksohet që është e konsiderueshme si për kohën atëherë, por dhe tani.
“Për ta mbyllur këtë rrëfim: xhaxhai dhe babai im morën secili nga 3.33%, por marrëveshja me pronarët e tokës u bë e tillë që ata do përfitonin vetëm 24% të investimit. Pra 3.33% të 24%, baras me 0.8% të investimit. Xhaxhai vendosi që t’ia shiste pjesën e tij Dulakut, ndërsa im atë është ende pronar “në letër” i 0.8%. Them në letër, sepse deri më sot nga ai investim babai im ka përfituar ekzaktësisht zero lekë. Pavarësisht se aty janë bërë investime dhe vijnë turistë, asnjëri prej pronarëve të vegjël nuk ka një hipotekë (në dijeninë time e të tim eti) apo një përfitim të drejtpërdrejtë nga investimi që ka bërë Dulaku. Shpresa e im ati është që një ditë, kur ta vendosë Dulaku, edhe atij do t’i takojë një 0.8%”, thekson Muçi.
Reagimi i plotë:
Mirëmbrema,
Në 3-4 ditët e fundit është përhapur lajmi se babai dhe xhaxhai im janë ortakë me oligarkët që kanë përfituar toka publike me 1 euro, se janë ndërtues dhe përfitues “me një përqindje të konsiderueshme” në një resort turistik në Ksamil. Madje jo vetëm kaq, por aludohet që vendin e parë në listën e Tiranës unë e paskam blerë me paratë e oligarkëve.
Në radhë të parë dua të them se nuk më shqetëson aspak fakti se dikush ka shkuar dhe ka kërkuar mbiemrin Muçi në arkivën e QKB, sepse besoj se kushdo që merret me politikë duhet të ndodhet vazhdimisht nën syrin mbikëqyrës të publikut dhe duhet ta ketë gjithçka transparente: marrëdhënie pronësie, pasuri, llogari bankare, e shumëçka tjetër.
Sidoqoftë, kur lajmi i sponsorizuar doli nga një portal anonim, nuk e mora seriozisht për faktin se në aktivitetin tonë politik jemi mësuar me akuza nga më të ndryshmet: sikur na paguan Sorosi, sikur na paguan Erion Veliaj, pastaj na paguan Sali Berisha, sikur na financon Putini, pastaj komunistët gjermanë, madje sikur Arlind Qori eshte pronar i pallatit që u ndërtua aty ku u shemb vila 1-katëshe që dikur ishte Logu ynë i përbashkët.
Megjithatë, kur këtë lajm e shpërndan një gazetare investigative si Ola Xama, për të cilën – për hir të së vërtetës – deri sot kam ushqyer një farë respekti për punën e saj, e madje e përdor si argument se përse nuk do ta votojë Lëvizjen BASHKË, atëherë detyrohem të bëj një sqarim publik.
Ku ka zë, nuk është pa gjë, thotë populli. E pikërisht, më duhet të sqaroj atë gjënë, atë qimen që këto ditë është bërë tra. A e dini se sa është “përqindja e konsiderueshme” me të cilën im atë na qenka ortak me Tan Dulakun?! 0.8%! Po, 0.8% si pronar toke! Me të drejtë shtrohet pyetja se pse im atë është pronar toke në Ksamil dhe këtu më duhet të kthehem pas në kohë, për të sqaruar ngjarjet me sa mundem në rend kronologjik.
Babai im, Fredi Muçi, është pensionist, por në profesion ka qenë inxhinier ndërtimi. Njëjtë edhe xhaxhai, Maksi, i cili pa mungesë modestie duhet të them se është një ndër inxhinierët më të aftë që ka patur Shqipëria në këto 34 vjet. Në vitin 1993, të dy ata së bashku me një inxhinier tjetër të nderuar, Bujar Qirkon, ngritën një firmë ndërtimi me emrin SCAI – Societa construttiva albano-italiana, në bashkëpunim me investitorë italianë. Investitorët italianë ishin të interesuar në ndërtimin e një fshati turistik në Ksamil. Italianët kishin kapitalin investues, ndërsa shqiptarët ishin thjesht ndërtues, zbatues të punimeve, e detyrimisht jo pronarë.
Në vitin 1995 pra u mor leja e ndërtimit dhe në vitin 1996 nisi ndërtimi i disa prej vilave të pushimit në Ksamil, diku te 70. Për fatin e keq të gjithë shqiptarëve, erdhi viti 1997 dhe gjithçka u ndërpre. Qeveria që e pasoi i zvarriti procedurat dhe diku aty nga fillimi i viteve 2000, pronari i kompanisë italiane vdiq. Pasardhësit e tij, jo vetëm që nuk donin ta vazhdonin projektin, por palës shqiptare – pra babait, xhaxhait dhe ortakut të tyre – nuk u shlyen as koston e punimeve që kishin bërë: diku te 80 mijë euro, që për ato vite ishte goxha kapital. Pala italiane e shiti projektin, me ndërtesat e gjithçka qe bërë deri atëherë, te një italian tjetër, i cili ishte ortak me Artan Dulakun.
Nuk e di për ç’arsye as italiani i dytë nuk e çoi përpara këtë projekt. Di që Artan Dulaku u bë pronar i më shumë se 50% të tokës dhe është përgjegjës për të gjithë investimin që është bërë në tërë këto vite në atë zonë të Ksamilit. Ama Dulaku, njëkohësiht ftoi rreth 7-8 firma të tjera ndërtimi për të blerë aksione si pronarë toke, mes tyre edhe SCAI-n. Arsyeja kryesore pse firma SCAI u bë pjesërisht pronare toke ishte sepse nga ato 80 mijë eurot e investuara në vitin 1996 s’kishte parë gjë me sy, e në këtë mënyrë mund të kompensohej pjesërisht.
Për ta mbyllur këtë rrëfim: xhaxhai dhe babai im morën secili nga 3.33%, por marrëveshja me pronarët e tokës u bë e tillë që ata do përfitonin vetëm 24% të investimit. Pra 3.33% të 24%, baras me 0.8% të investimit. Xhaxhai vendosi që t’ia shiste pjesën e tij Dulakut, ndërsa im atë është ende pronar “në letër” i 0.8%. Them në letër, sepse deri më sot nga ai investim babai im ka përfituar ekzaktësisht zero lekë. Pavarësisht se aty janë bërë investime dhe vijnë turistë, asnjëri prej pronarëve të vegjël nuk ka një hipotekë (në dijeninë time e të tim eti) apo një përfitim të drejtpërdrejtë nga investimi që ka bërë Dulaku. Shpresa e im ati është që një ditë, kur ta vendosë Dulaku, edhe atij do t’i takojë një 0.8%.
Unë sfidoj këdo investigues profesionist, punonjës të FBI-së, apo gazetar shqiptar që të nxjerrë një letër të vetme ku thuhet se im atë ka përfituar 1 euro nga kjo “ortakëri”. E cila në fund të ditës është totalisht legjitime. Me të njëjtën logjikë, gjithkujt që është pronar toke në një shesh ndërtimi, mund t’i ngjitet akuza e “ortakërisë me oligarkët”.
Unë nuk e di se çfarë do të ngelë në mendjen e opinionit publik nga ky rrëfim. Dashakeqët, ata që përnjëmend e kanë kafshuar bregdetin shqiptar me “investitorë strategjikë” duke zhvatur banorët lokalë, ata që duan të zbojnë “ata që vijnë nga mali për të ngulur çadrën”, ata që duan të marrin ujin e banorëve të fshatrave për të mbushur pishinat e tyre; ata padyshim do të vazhdojnë të ngrenë akuza. Dashakeqët, sidomos ata të cilët përnjëmend financohen nga Sorosi, përnjëmend kanë legalizuar me firmat e tyre plaçkitjen e bregdetit shqiptar, të cilët potencialisht janë vegla në duart e partive të vjetra, ata padyshim se do t’i fryjnë tymit të ngritur.
Sido qoftë puna, unë jam krenar për babanë dhe xhaxhanë tim, për modelin e tyre të të qenit njëkohësisht edhe ndërtues me profesion, edhe të ndershëm në xhunglën shqiptare të 34 viteve. Inxhinier ndërtimi është edhe profesioni im, pavarësisht se unë në jetë zgjodha të merresha me botën akademike dhe me aktivizmin politik. Është sidomos falë prindërve të mi që unë jam sot këtu, duke kërkuar të përfaqësoj popullin e Tiranës në parlamentin shqiptar. Është falë mundësisë që më dhanë për t’u shkolluar jashtë shtetit, por edhe falë mbështetjes së tyre financiare pa të cilën edhe unë do detyrohesha që ta siguroja jetesën si inxhinier ndërtimi, siç bëjnë qindra kolegë e ish-studentë të mitë.
Po sidoqoftë, mos prisni që tymi të venitet. Edhe pse kompania SCAI ka 10 vjet që nuk ushtron aktivitet, për “të birin e ortakut të oligarkut” do të thonë se i ati ka ndërtuar kulla. Po u paraprij unë gjithë kuisjeve duke thënë se në ato vite aktivitet ndërtimor, kompania SCAI ndërtoi në vitin 2003 pallatin 9-katësh ku unë banoj, dhe tre pallate banimi te Pazari i Ri. Atëherë kur ende tregu nuk ishte zaptuar nga ata pak oligarkët rrotull Edi Ramës, oligarkë të cilët lejen nuk e kërkonin më për të ndërtuar apartamente banimi, por për kulla 60-katëshe. Mes tyre edhe Tan Dulaku.
Unë nuk kam frikë ta përmend emrin e Dulakut, e të askujt prej oligarkëve të tjerë të ndërtimit: Ulaj, Fusha, Salillari, Gjoka, etj. Kjo është arsyeja pse në programin qeverisës të Lëvizjes BASHKË ne kërkojmë moratorium për të pezulluar ndërtimet brenda Unazës së Tiranës, pse propozojmë rritjen e taksave ndaj investitorëve të ndërtimit, pse kërkojmë që kapitali të mos vazhdojë të investohet në këtë sektor spekulativ por në sektorët prodhues.
Por të gjitha këto nuk i interesojnë Ola Xamës, e cila e ka ndarë mendjen të mos e votojë Lëvizjen BASHKË. E në punën e saj kolosale investiguese, zbuloi edhe që Stela është motra ime, e që ajo garon në listën e hapur të vendlindjes sonë, Gjirokastrës. Por Ola nuk arriti të zbulojë se Stela është edhe aktiviste në Lëvizjen BASHKË pothuajse po aq gjatë sa edhe unë, se është diplomuar në Paris në arkitekturë, e më tej në urbanistikë, e më tej në shkenca sociale, e se aktualisht po zhvillon studimet e doktoratës në Paris me temë zhvillimin urban të Tiranës pas viteve ‘90. Të gjithë këto gjëra nuk i zbuloi dot Ola, e cila nuk do të votojë Lëvizjen BASHKË.
Këta jemi ne. Kjo është politika dhe gazetaria shqitare.
Ecim!
newsbomb.al
#Kandidati #Arlind #Qorit #pranon #babai #është #bashkëpronar #resorti #luksoz #në #Ksamil
Java News