Sot Fitër Bajrami, Spiropali uron besimtarët myslimanë: Kjo ditë rrezaton përtej komunitetit mysliman

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka uruar sot të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e Fitër Bajramit, ndërsa e cilësoi këtë festë si një ditë që rrezaton përtej komunitetit mysliman.
Toleranca mes komuniteteve fetare në Shqipëri është një realitet dhe jo thjesht një slogan shtoi ajo teksa theksoi se Komuniteti Mysliman është një faktor progresi që nxit harmoninë fetare dhe shmang përçarjen.
“Sot është një ditë e bukur feste, festa e Bajramit të Madh, ose Fitër Bajramit. Një ditë gëzimi për besimtarët myslimanë dhe familjet e tyre. Pas agjërimit, sakrificave dhe lutjeve gjatë Muajit të të Ramazanit, besimtarët myslimanë kremtojnë sot gëzimin e pranimit të tyre.
Muaji i Ramazanit është jo vetëm një muaj saktificash e lutjesh, por edhe një mundësi e provë solidariteti, që i bashkon besimtarët dhe familjet e tyre me njeri-tjetrin, me të afërmit, fqinjët dhe komunitetin. Por Muaji i Ramazanit dhe festa e Fitër Bajramit nuk janë vetëm festa të besimtarëve myslimanë.
Siç është në traditën tonë të harmonisë e bashkëjetesës fetare, edhe festat i kemi të përbashkëta dhe gëzimin e tyre e shkëmbejmë mes nesh. Prandaj sot urimi im u drejtohet, përveç besimtarëve myslimanë, edhe gjithë shqiptarëve.
Këtu në Shqipëri, por edhe në Diasporë dhe në të gjitha viset ku jetojnë bashkëkombasit tanë, në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, Luginë e Preshevës e kudo.
Në Festën e Fitër Bajramit gjej rastin të shpreh respektin e mirënjohjen për besimtarët dhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, për rolin e tyre progresiv, si faktor për bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë mes besimeve fetare në Shqipëri. Në këtë ditë le të reflektojmë që virtytet e dashurisë, mirësisë, tolerancës e solidaritetit që shfaqëm gjatë muajit të Ramazanit, t’i zbatojmë në gjithë jetën tonë dhe në marrëdhëniet me njeri-tjetrin.
Shëndet, gëzime e bekime për të gjithë! Gëzuar!” tha ajo.
#Sot #Fitër #Bajrami #Spiropali #uron #besimtarët #myslimanë #Kjo #ditë #rrezaton #përtej #komunitetit #mysliman
Java News