Apologjia monumentale e bufit të kënetës!

Nga Ylli Pata
Metafora e kënetës në politikën shqiptare, nuk është një neologjizëm i Edi Ramës. Është një rimarrje stilistike pas shumë vitesh, nga një gjetje e parardhësit të tij Fatos Nano, i cili në mocionin e tij të famshëm nga burgu i Bënçës, në vitin e largët 1996, vizatoi udhëheqjen regjente të Partisë Socialiste. Që sipas tij e kishin kthyer gjendjen politike të socialistëve shqiptarë në një kënetë.
Një frazë e fortë, shumë e fortë që shokoi dhe tronditi opinionin e atëhershëm opozitar. Frazë që natyrisht hapi debat e shkaktoi polemika mes palëve. Dritëro Agolli, si për të vënë një gur që bënte thirrje për të ndalur këtë frymë ndarëse, bëri një deklaratë në media, siç dinte ai me mjeshtërinë e shkrimtarit të madh.
“Nëse ne jemi kënetë, Fatosi është bufi i kënetës”, tha Dritëroi dhe jo në një farë mënyrë por në realitet e ndali sadomazokizmin e “zjarrit brenda radhëve” për një periudhë kohe.
Edhe pse e forte, metafora e Nanos, ishte dhimbshëm e vërtetë për gjendjen e atëhershme të opozitës, e cila pas traumës së zgjedhjeve të 26 majit 1996, nuk arriti të ngrihej e pësoi disfatën e zgjedhjeve lokale të tetorit të po atij viti. Ajo metaforë ngjiti, siç ngjiti edhe kunji edhe pse i rëndë i Dritëroit.
Këtë figurë të shqipes e ka marrë Edi Rama sot, për të përshkruar apo vizatuar panoramën që ka përballë tij, në PD-në e Sali Berishës.
E sot, në një epokë të re ku komunikimi nuk bëhet me mocione e me letra, por me reels-a dhe video në rrjete sociale, narrativa e kënetës dhe bufit ka marrë një ngjizje më virale, kjo si për meritë të sistemit digjital por edhe strategjisë së PR të Edi Ramës, i cili këtë zanat e zotëron më mirë se të gjithë kolegët e tij politikanë.
Në këtë furtunë virale që hapi fabula e kënetës me bufin e gjallesat e tjera metaforike të gjolit, nuk dihet se pse, por po konsiderohet si një rast i artë nga krahu ku kjo stilistikë i drejtohet.
Edhe pse hiqet si një kokëfortësi për ta rrëzuar në retorikë se këneta është e mirë, e bufi edhe më i mirë, e gjitha kjo duket një dembelizëm i madh, karakteristik për të prodhuar një narrativë politike krejt të ndryshme nga ajo e kundërshtarit politik.
Pas një apologjie pa fund të “inxhinierëve mediatikë” të imazhit të doktorit se bufi është një gjallesë e mirë dhe pozitive, sot ka folur edhe vetë i thirruri në kauzë.
I cili me buzën vesh më vesh si Jokeri i Jack Nickolson-it nxorri nga një letër gazete një buf alabastre që duket e kishte skalitur një mjeshtër i vjetër i Artistikes “Migjeni” dhe e nguli në tavolinë si një triumf i Athinasë. Perëndëshës që ja nxiu jetën jo vetëm Odiseut për 10 vjet që e endi nëpër dete në një rrugë që mund ta kishte kaluar për tre ditë, por edhe Lul Bashën që gjithashtu e endi për tre mandate, për t’i kujtuar se Kronosi(Bufi) do ta kullufiste siç thotë Rama, që e tha edhe për Dash Sulën.
E apologjia monumentale e bufit i drejtohet Athinës apo Athinasë si Perëndesha e vetme që mund ta shpëtojë që të mbërrijë në Itakë. Por vetëm në këtë rast del se Telemaku është Fredi Beleri, që Athinaja e ka sjellë me mision special pas Peshkëpisë për të shpëtuar shpendin e dashur të perëndeshës. E pikërisht këtu historia homerike kthehet në një telenovelë turke…
#Apologjia #monumentale #bufit #të #kënetës
Java News