Nga pagëzimi i fshehë, te njohja me Anastas Janullatos dhe kontakti me librat e Fan Nolit/ Kryepeshkopi Joan për herë të parë intervistë pas zgjedhjes në krye të Kishës Ortodokse

Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Imzot Joani, në një intervistë për gazetën “Tema” ka folur rreth besimit ortodoks, pagëzimit të tij të fshehtë gjatë komunizmit, ekzistencës së Kishë e nëndheshme në atë periudhë, shkollimit të tij në SHBA nën kujdesin e At Liolinit, vlerësimeve të tij maksimale për Kryepeshkopin Anastas dhe rolin e tij të pazëvendësueshëm në ringjalljen e Kishës Ortodokse të Shqipërisë, vlerësimeve mbi Fan Nolin, kulturën e tij, dashurinë për Kishën Ortodokse dhe rolin e tij në historinë e Kishës, si dhe për çështje të debatueshme si Natyrës së Madhe dhe Vija e Teodosit në Shqipëri.
Ai rrëfen se si i ka rënë në dorë Dhiata e Parë në gjimnaz, në vitin 1974, si ka ndikuar ajo në jetën e tij, dhe më pas për pagëzimin e fshehtë nga At Kozmai, me dëshmitar Petro Zhejin, i cili u bë nuni i tij.
“Atë Kozmain e kam njohur nëpërmjet disa motrave besimtare me banim në Korçë, të njohura si motrat Cico, të cilat i njihnim përmes Theofan Popës. Së bashku me Petro Zhejin, që u bë nuni im, i kemi vizituar ato shpeshherë.”
Ai tregon se kontakti i parë me Kryepeshkopin Anastas ishte në vitin 1992, i rekomanduar nga Mitropoliti Dhimitër, një mik i ngushtë i Kryepeshkopit Anastas qysh nga rinia, i cili i tregoi për veprimtarinë e tij në Greqi dhe si misionar në Afrikë. Nëpërmjet tij u lidh me Kryepeshkopin, të cilit i tha se kur të përfundonte studimet, do të kthehej në Shqipëri.
Fortlumturia e Tij, Imzot Joan, rrëfen se gjatë studimeve në Boston u ndihmua nga At Artur Liolini dhe së bashku punuan për disa kohë në organizimin e Bibliotekës së Fan Nolit.
“Aty hasëm edhe disa tekste të shkruara nga ai, që tregojnë qartë se për të, kisha ishte më e rëndësishmja. Ai ka shkruar: ‘Nga të gjitha veprimtaritë e mia, dashuria ime e parë është kisha’. Ndërsa përkthimin dhe hartimin e Kremtores – një libër shërbesash që përmban psalmet, odet dhe troparët e vitit liturgjik ortodoks – e ka quajtur ‘kënaqësinë e tij më të madhe’ dhe ‘veprën, në të cilën janë përqendruar përpjekjet e tij më të mëdha shpirtërore, letrare, muzikore dhe intelektuale’. At Arturi më ka treguar se Imzot Theofani shpesh thoshte: ‘Nëse në jetën politike kryevepra ime ka qenë pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, në fushën e letrave kryevepra ime është Kremtorja.’”
Intervista është një dëshmi përpara shqiptarëve se Kisha jonë Ortodokse ka sot në krye të saj një Kryepeshkop të denjë, një shqiptar të ditur, të urtë dhe të përkushtuar ndaj Zotit, siç e meriton historia e krishterimit shqiptar.
#Nga #pagëzimi #fshehë #njohja #Anastas #Janullatos #dhe #kontakti #librat #Fan #Nolit #Kryepeshkopi #Joan #për #herë #të #parë #intervistë #pas #zgjedhjes #në #krye #të #Kishës #Ortodokse
Java News