Skema perfekte që kishte krijuar “Shefi i madh” shqiptar në Itali, sekuestrohen qindra mijëra euro

Pasuri me vlerë mbi 300 mijë Euro i janë sekuestruar një shqiptari në Itali. Bëhet fjalë për asete në prona të patundshme, llogari bankare dhe një makinë.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, është i dënuar për krijimin e një rrjeti të mirëorganizuar për shpërndarjen e drogës. Grupi i tij, siç shkruajnë mediat, ishte i specializuar në shitjen e kokainës dhe hashashit në Varese dhe provinca të tjera në Lombardi e Emilia-Romagna.
Ai njihej si “Shefi i madh” (Big Boss) dhe kishte e kthyer këtë punë të paligjshme në një strukturë të organizuar piramidale që funksiononte si kompani e vërtetë.
“Shefi i madh” ishte kujdesur vetë personalisht për çdo gjë. Ai sillte në Itali bashkatdhetarë me vizë turistike duke qëndruar në shtetin fqinj vetëm për 90 ditë sipas rregullave të zonës Schengen.
Sapo shkonin në Itali, rekrutët e rinj futeshin në sistem. Atyre u sigurohej akomodim, makinë, celularë dhe drogë për të filluar procesin e shpërndarjes.
Për të shmangur kapjen, grupi kishte krijuar një dhomë operacionesh në një apartament. Një operator merrte kërkesat e klientëve me WhatsApp dhe ia dërgonte shpërndarësve nëpërmjet platformave anonime.
Logjistika ishte kujdesur edhe për detajet më të vogla. Një magazinë përdorej për të ruajtur makinat, drogën dhe armët.
Pavarësisht se me letra rezultonte pa para, “Shefi i madh” jetonte me familjen në një shtëpi të regjistruar në emrin e të vëllait të tij. Ky i fundit ishte bashkëpunëtori më i ngushtë i tij. Nga analiza financiare rezultoi se anëtarët e kësaj familje ishin drejtuesit e organizatës.
Për të fshehur të ardhurat nga shpërndarja e drogës, familja kishte hapur edhe një piceri për të pastruar paratë.
#Skema #perfekte #që #kishte #krijuar #Shefi #madh #shqiptar #në #Itali #sekuestrohen #qindra #mijëra #euro
Java News