“Shqiponjat” përballë “3 Luanëve” / Tifozat Kuqezi ndezin atmosferën në Wembley 6 orë para ndeshjes

Mijëra shqiptarë pritet të jenë të pranishëm në Wembley mbrëmjen e sotme, ku “Shqiponjat kuqezi” do të përballen me “3 Luanët”.
Kur duhen edhe 6 orë nga nisja e kësaj përballje, e cila është e para në eliminatoret e Kampionatit Botëror, disa përfaqësues të Tifozave Kuqezi janë futur në stadiumin mitik të anglezëve dhe në një lidhje në A2 CNN tregojnë se do të jenë me mijëra të pranishëm në mbështetje të djemve shqiptarë që do të tregojnë vlerat e tyre në fushën e lojës.
“Do të jemi me mijëra. Nuk mund ta jap një numër të saktë, pasi është e vështirë ta bësh diçka të tillë duke qenë se shumë shqiptarë do të futen edhe në anën e tifozëve anglezë. Do të ketë shumë anëtarë të tifozëve kuqezi”.
Më tej, ata folën edhe për përplasjen me FSHF ku për herë të parë në 21 vite nga krijimi i këtij tifogrupi nuk morën bileta për kombëtaren. Anëtarët e Tifozëve Kuqezi u shpreh se Federata nuk mund ta fitojë luftën me tifozët dhe për këtë kërkuan që të ketë diskutimi mes palëve.
“Për herë të parë nuk morëm bileta nga FSHF. Mendoj se janë lëvizje të kota. FSHF nuk e fiton dot garën me tifozët. I bëjmë thirrje të gjithë zyrtarëve të FSHF që të ulen me tifozët për marrëveshje. Jemi dy palë që i duam të mirën kombëtares. Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi në mbështetje të kombëtares por do të mbajmë edhe qëndrimet tona sa i përket europianit me Serbinë për të cilin jemi kundër”, u shprehën anëtarët e Tifozave Kuqezi nga Wembley mitik ku do të luhet akti i parë i rrugëtimit drejt Botërorit amerikan.
#Shqiponjat #përballë #Luanëve #Tifozat #Kuqezi #ndezin #atmosferën #në #Wembley #orë #para #ndeshjes
Java News