Aktualitet

Shkarkoi dy zyrtarët e lartë, Ristani: S’ka krizë në Bashkinë e Tiranës, falënderoj Ramën që na qëndroi pranë

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani në një deklaratë për mediat tha sot, se ky institucion nuk është përfshirë nga kriza funksionale. Nga ana tjetër Ristani sqaroi se nuk ka asnjë arsye që mund të ‘shuhet’ respekti i saj për Kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj.

Ristani falënderoi edhe kryeministrin Edi Rama, duke thënë se i ka qëndruar pranë Bashkisë në këto kohë të vështira.

“Nuk ka krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin vizion që e ka udhëhequr Veliaj. Unë kam qenë 10 vite përkrah Veliajt, kam punuar kaq shumë kohë për t’i shërbyer qytetit. Nuk ka asnjë media, që të shuajë respektin për Veliajn dhe për respektin ndaj tij, duhet të punojmë e të punojmë.

Në fund historia do kujtojë veprat dhe jo thashethemet. Dua të shpreh mirënjohje edhe për kryeministrin Edi Rama, që në këto ditë të vështira na është gjendur pranë. Të gjitha kanalet tona janë të hapura”, tha Ristani.

Ajo firmosi më herët shkakrimin e nënkryetares Sara Goxhaj dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Alban Dokushi, të komanduara në këto poste nga Erion Veliaj, por tha se keqkuptimi kishte nisur për shkak të mungesës së informacionit në kushtet ku ndodhet ai.

Reagimi i plotë:

E ndiej si një detyrim ndaj secilit prej jush që, pas një sërë njoftimesh që kanë qarkulluar këto ditë në media, të ndaj sot në këtë konferencë për shtyp një sqarim të plotë mbi mënyrën se si po vijon puna në Bashkinë e Tiranës dhe si po menaxhohet institucioni që drejton kryeqytetin e vendit tonë.

Kryetari i zgjedhur i Tiranës, Erion Veliaj, në përpjekje për të garantuar vijimësinë e punëve të nisura, sic e sqaroi dhe vetë dje nëpërmjet statusit në rrjetet e tija sociale ka marrë disa vendime. Këto vendime te marra në kushtet e një informacioni të cunguar, por edhe të pasqyruara në media në mënyrë të nxituar dhe të pakonfirmuara asnjëherë nga Bashkia e Tiranës, kanë krijuar një keqkuptim dhe kanë sjellë konfuzion dhe shqetësim të panevojshëm, të cilin e sqaroi ai dje vetë.

Nuk ka asnjë krizë funksionale në Bashkinë e Tiranës. Puna vazhdon me të njëjtin përkushtim, me të njëjtën energji dhe me të njëjtin vizion që na ka udhëhequr ndër vite nën drejtimin e Kryetarit Erion Veliaj.

Ne nuk do të ndalojmë së punuari për qytetin e së ardhmes, për fëmijët tanë, për një Tiranë që nesër do të na bëjë krenarë përpara tyre. Këtë e kemi për detyrë – ndaj qytetit, ndaj çdo qytetari të Tiranës.

Po ashtu, më lejoni të ndaj me ju edhe një mesazh personal. Kam qenë pjesë e kësaj Bashkie dhe e ekipit të drejtuar nga Kryetari Erion Veliaj prej 10 vitesh. Kam punuar çdo ditë përkrah tij, duke sakrifikuar kohën me familjen time për t’i shërbyer qytetit tonë. Për ne, Bashkia e Tiranës ka qenë gjithmonë më shumë sesa një institucion – ka qenë një mision i përbashkët. Nuk ka masë sigurie apo artikull mediatik që mund të zbehë respektin dhe besimin që kemi ndërtuar me njëri-tjetrin.

Unë besoj fort se mënyra më e mirë për të nderuar punën dhe përkushtimin e Erion Veliajt është që Bashkia Tiranë të vijojë të kryejë punët më së miri për qytetarët e saj. Sepse në fund, historia do të kujtojë veprat dhe jo fjalët – punën që shihet dhe jo thashethemet që i merr era.

Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen time për Kryeministrin z. Edi Rama, i cili, në këto ditë sfiduese, po i qëndron pranë stafit të Bashkisë dhe qytetit të Tiranës.

Në përfundim, për çdo qytetar që kërkon informacion të saktë, të gjitha kanalet tona të komunikimit mbeten aktive. Zyra e Komunikimit me Qytetarët vazhdon të jetë në dispozicion me përgjegjshmëri dhe përkushtim në sportelet përkatëse. Numri i gjelbër 0 800 0 888 është gjithashtu në funksion, së bashku me adresat tona online në info@bashkia.al.

#Shkarkoi #zyrtarët #lartë #Ristani #Ska #krizë #në #Bashkinë #Tiranës #falënderoj #Ramën #që #qëndroi #pranë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button