Raportet Kosovë-Letoni, masat e BE-së ndaj Kosovës dhe statusi i vendit kandidat – çka u tha në konferencën ndërmjet Osmanit dhe Rinkevics

Të enjten për vizitë në shtetin tonë ishte presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics, gjersa me nderime shtetërore u prit nga presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.
Të dy liderët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy shteteve. Në konferencën e përbashkët u fol për raportet e ndërsjella, sigurinë, masat e BE-së ndaj Kosovës, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, etj.
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics u shpreh se shteti që ai udhëheqë është pro heqjes së masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës.
Rinkevics gjithashtu theksoi se e mbështetësin edhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Diskutuam edhe për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës, dhe qëndrimi i vendit tim është që BE duhet t’i heq ato masa kufizuese. Sa më shpejtë që bëhet kjo aq më mirë. Gjithashtu mbështesim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, vazhdimin e dialogut sepse besojmë se kjo është mënyra më e mirë për ta përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë në rajon në një afat më të gjatë”, tha Rinkevics.
Ai tutje tha se nuk mund të premtoj që statusi i vendit kandidat për BE mund t’i jepet Kosovës deri në fund të vitit, duke u shprehur se “nuk mund të flas në emër të të gjitha shteteve anëtare”.
Presidenti letonez theksoi tutje se janë të interesuar që të forcojnë marrëdhëniet politike dhe ekonomike me Kosovën.
“Letonia e mbështet plotësisht integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare. Keni mbështetjen tonë të plotë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Gjithashtu mbështetje të plotë keni nga Letonia edhe për procesin e integrimit evropian”, ka thënë Rinkevics.
Rinkevics në fund ka falënderuar Kosovën për mbështetjen e saj ndaj Ukrainës, dhe i bëri ftesë publike presidentes Osmani që ta vizitoi Letoninë.
“Jeni e mirëseardhur që ta vizitoni Letoninë”, tha presidenti letonez.
Ndërkaq, e para e shtetit të Kosovës në konferencën e përbashkët ka falënderuar Letoninë për mbështetjen ndaj Kosovës.
Ajo tha se Letonia është një partnere e fuqishme e Kosovës dhe ka përkrahur anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, duke kontribuar kështu në fuqizimin e shtetit të Kosovës, raporton Telegrafi.
“Letonia e kupton më së miri pozicionin e Kosovës pasi dy vendet tona kanë një të kaluar të dhimbshme dhe shumë të vështirë dhe kufizohen me shtete agresore”, tha ajo.
E para e shtetit të Kosovës tha se qytetarët e Kosovës ka nivelin më të lartë të besueshmërisë karshi BE-së.
“Prandaj, është edhe koha që me prioritet të largohen masat e padrejta që Bashkimi Evropian i ka ende në fuqi ndaj Kosovës dhe sa më shpejt që të gjendet metoda, të gjendet mënyra dhe rruga përpara për statusin e vendit kandidat të Republikës sonë”, tha ajo.
Osmani tutje tha se sikur Letonia edhe Kosova janë të përkushtuar për vlera euro-atlantike, fqinjësi të mirë, duke ruajtur sovranitetin dhe integritetin territorial.
Ajo falënderoi presidentin Rinkevics për zgjatjen e mandatit deri në dhjetor 2025 të 140 ushtarëve letonez në Kosovë që janë në kuadër të KFOR-it.
Osmani tha se kanë biseduar edhe për zgjerimin në fushën e mbrojtjes.
“Si rezultat i sfidave të reja të sigurisë diskutuam edhe për modalitetet që Kosova të kontribuojë në mënyrë aktive në arritjen e objektivave të përbashkëta në fushën e sigurisë”, tha ajo, raporton Telegrafi.
“Përderisa, shteti dhe rajoni ynë akoma përballen me veprime destabilizuese të Serbisë, është me rëndësi që BE të ketë përgjigje të qartë ndaj veprimeve të tilla që synojnë ta kthejnë rajonin në të kaluarën”, tha ajo.
E para e shtetit të Kosovës theksoi se Kosova ka bërë çmos të kontribuojë në stabilitetin rajonal dhe përkundër faktit që këto dy vitet e fundit ka pasur sulme nga Serbia me synimin të aneksimit të një pjese të territorit sipas modelit të Rusisë.
Presidentja tha Kosova i ka bërë balë me sukses kësaj falë forcave profesionale të Kosovës dhe përkrahje së aleatëve.
Sipas saj, mungesa e përgjegjësisë vetëm po e inkurajon Serbinë për veprime tjera.
Në këtë konferencë për media Osmani është pyetur edhe lidhur draftin e Asociacionit të hartuar nga Bashkimi Evropian.
Ajo theksoi se drafti i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ajo tha se drafti ka probleme të shumta të cilat ia kanë adresuar edhe emisarit të ri të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, në takimin e mbajtur në fillim të kësaj jave. /Telegrafi
#Raportet #KosovëLetoni #masat #BEsë #ndaj #Kosovës #dhe #statusi #vendit #kandidat #çka #tha #në #konferencën #ndërmjet #Osmanit #dhe #Rinkevics
gazetablic.com