Dhunoi dhe kërcënoi me jetë bashkëshorten, arrestohet 38-vjeçari në Dibër

Një 38-vjeçar është arrestuar këtë të martë në Dibër pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes dhe e ka kërcënuar me jetë.
Në një njoftim për mediat, burimet policore bëjnë me dije se 38-vjeçarja nga fshati Lishan ka njoftuar Policinë se bashkëshorti i saj 38-vjeçari E.M., po e dhunonte dhe kërcënonte se do ta vriste.
Në banesë gjatë kontrollit policor janë gjetur një arma zjarri pistoletë, tre granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak.
Njoftimi i policisë:
Ndërhyrja në kohë e shërbimeve të Policisë, menjëherë pas denoncimit të një shtetaseje, për dhunë dhe kanosje për jetën, nga bashkëshorti i saj, parandalon ngjarjen e mundshme kriminale në familje.
Vihet në pranga 38-vjeçari që dhunoi dhe kanosi për jetën bashkëshorten e tij, si dhe posedonte në banesë, armë zjarri pistoletë, granata dore dhe municion luftarak.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, pas njoftimit nga një 38-vjeçare se në banesë, në fshatin Lishan, njësia administrative Luzni, bashkëshorti i saj po e dhunonte dhe po e kërcënonte për ta vrarë, kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të shërbimeve të Policisë u kap dhe u vu në pranga shtetasi E. M., 38 vjeç, banues në fshatin Lishan.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë, 3 granata dore të montuara me kapsolla ndezëse, 1 krehër pistolete dhe një sasi municioni luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
#Dhunoi #dhe #kërcënoi #jetë #bashkëshorten #arrestohet #38vjeçari #në #Dibër
Java News