Autoritetet serbe: 31.000 pjesëmarrës në mirëpritjen e studentëve në Beograd

Ministria e Brendshme e Serbisë ka bërë të ditur se dy persona janë arrestuar për prishje të rendit publik gjatë tubimit të mijëra njerëzve për t’i mirëpritur studentët në Beograd në mbrëmjen e së premtes.
Autoritetet kanë thënë se një numër traktorësh janë dëmtuar afër Parkut të Pionierit.
“Në pikun e organizimit në të gjitha lokacionet e qytetit, numri total i personave që janë mbledhur nga të gjitha pjesët e Serbisë dhe i atyre që i kanë mirëpritur në Beograd, ka qenë rreth 31.000, sipas vlerësimeve të policisë. Nuk ka pasur incidente të mëdha dhe Ministria u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të vazhdojnë të protestojnë në mënyrë paqësore”, është thënë në deklaratë.
Pjesëtarë të kësaj ministrie kanë thënë se do të bëjnë gjithçka për të ruajtur rendin, jetën dhe pronën publike.
Të shtunën do të protestohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, me kërkesë të studentëve, të cilët kanë bllokuar universitetet në këtë shtet që tre muaj e gjysmë, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për vdekjen e 15 personave, si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit./REL/
#Autoritetet #serbe #pjesëmarrës #në #mirëpritjen #studentëve #në #Beograd
gazetablic.com