Ukraina e Rusia raportojnë për sulme të reja gjatë natës

Ukraina ka raportuar sot në mëngjes për dëme dhe lëndime nga sulmet me dronë nga Rusia gjatë natës.
Guvernatori i Kharkiv, Oleh Syniehubov, thotë se disa njerëz u plagosën, duke përfshirë edhe fëmijë, në rajon si pasojë e rënies së një droni gjatë natës në një zonë të hapur.
Ai gjithashtu i referohet një linje të dëmtuar të energjisë dhe veçmas djegies së çatisë së një ndërtese spitali lokal në Zolochiv – një anëtar i ekipit të urgjencës u plagos, thotë ai, shkruan BBC.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës shton se zona rreth spitalit u godit për herë të dytë, por punonjësit e urgjencës arritën të futeshin në një strehë.
Kjo vjen pasi gjithsej 146 përplasjeve midis forcave ukrainase dhe ruse që u regjistruan dje, tha Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës në Facebook këtë mëngjes.
Në anën tjetër, edhe Rusia ka raportuar gjithashtu për sulme gjatë natës. Guvernatori i rajonit Krasnodar në jug, Veniamin Kondratyev, thotë se kompleksi i naftës Tuapse u godit.
Ai shkruan se një cisternë benzine mori flakë dhe që në orët e para të mëngjesit shërbimet e urgjencës, përfshirë 121 efektivë, po punonin për të shuar flakët. Ai shton se nuk ka pasur raportime për viktima.
Agjencia e lajmeve Reuters raporton se rafineria furnizon kryesisht Kinën, Malajzinë, Singaporin dhe Turqinë.
Reuters ka folur gjithashtu me shërbimin e sigurisë të Ukrainës SBU, i cili thotë se dronët ukrainas goditën stacionet e kompresorëve të gazit në rajonet Tambov dhe Saratov të Rusisë.
#Ukraina #Rusia #raportojnë #për #sulme #të #reja #gjatë #natës
gazetablic.com