Aktualitet

Përvjetori i një marsi të mbrapshtë dhe libri i ish-shefit të Shtabit Sheme Kosova, botuar së fundmi për ’97-n –

Kur u bë e qartë se firmat piramidale kishin falimentuar, filluan ngjarjet e vitit të mbrapshtë 1997, që tashmë ka hy në histori si viti i zi për Shqipërinë.

Janë botuar libra, shkrime e kujtime, janë dhënë intervista pa fund, ku pjesëmarrës, protagonistë apo gazetarë e studiues, kanë dhënë mendimet e tyre. Kanë folur e shkruar  ministra, gjeneralë e ushtarakë të lartë të asaj kohe. Disa prej tyre, siç thotë populli  “Gojëtarë mbas kuvendit e trima mbas lufte”, por shumë të tjerë kanë folur e shkruar thjeshtë e realisht, si i kanë përjetuar ato ngjarje…..

Si ministër i Mbrojtjes në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, kam ndjekur shumë nga ato që janë shkruar e thënë për atë periudhë të trishtueshme….Kohët e fundit lexova dhe librin e ish Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, z.Sheme Kosova “Enigmat e 97-s”, botuar pak kohë më parë. Nuk kam ndërmend të bëj recensuesin, apo të hy në debate e polemika të kota me autorin, por do të jap disa mendime modeste, për aq sa di unë dhe sa mësova ato muaj që punova në Ministrinë e Mbrojtjes e me vonë, nga shumë dokumente të asaj periudhe që gjeta në arkivin e Forcave të Armatosura (që më ishin fshehur…) nga shkrimet e  kujtimet e disa ushtarakëve të asaj kohe, e sigurisht edhe nga libri i z.Kosova.

Kujtimet janë personale, ku autori përpiqet të tregojë ngjarje e zhvillime ku ai ka qenë pjesëmarrës, bashkëkohës apo vëzhgues i afërt i tyre. Por që ato të jenë bindëse e të besueshme për lexuesin, historianë e studiues, në çdo rast duhet të jenë të jenë shoqëruara me ditarë, dokumente, referenca e me fakte. Kam parasysh kujtime të personaliteteve të shquara që kanë luajtur role me rendësi botërore, si për shembull ato të U.Çërçillit, që janë model jo vetëm nga ana letrare, por në radhë të parë në saj të dokumentacionit e fakteve që ai sjell në katër vëllime…

Kriza e thellë që kishte përfshirë Shqipërinë në ato vite e që u kthye në tragjedi në vitin 1997, solli rënien e strukturave shtetërore, shkatërrime në masë, vrasjen e disa mijëra shqiptarëve etj. më shumë se këdo goditi Ushtrinë Shqiptare, që u shkërmoq brenda pak ditëve, ngjarje e pa dëgjuar askund në botë….Vërtetë shkërmoqja u bë brenda pak ditëve, që siç shkruan z. Kosova:  “U deshën 10 ditë, nga data 3-13 mars që politika rrugaçe e disa aventurierëve të shkatërrojë ushtrinë” (fq. 179).

Por e vërteta nuk është  krejt ashtu. Në qoftë se fabrika, uzina, miniera, kanale vaditëse e kulluese, plantacione frutash e vreshta etj. u shkatërruan brenda pak kohësh, u shkatërrua administrata shtetërore, u dëmtua rendë sistemi arsimor, u mbyllen institute studimore, biblioteka e muze, e deri u vu dorë mbi varrezat e Dëshmorëve të Atdheut etj. Ushtria Shqiptare u ruajt.

U ruajtën depot, armatimet, flota detare e ajrore etj. që Shqipëria i kishte me shumicë, dhe po ti referohemi shifrave, për frymë të popullsisë, zinim nder vendet e para …Ushtarakët, megjithëse të edukuar në shkolla ku ideologjia komuniste ishte në plan të parë, si patriotë e atdhetarë të vërtetë, me ndonjë përjashtim të radhë, nuk u përzien në ato ngjarje….Por me Ushtrinë u veprua ndryshe, atë filluan ta shkatërronin gradualisht, ta gërryenin nga brenda, ta vrisnin moralisht, psikologjikisht e sigurisht materialisht… duke filluar me kryesorët, me njerëzit, me eliminimin e ushtarakëve të përkushtuar, të aftë, patriotë e të ndershëm…(u hoqën të gjithë ushtarakët mbi 49 vjeç) dhe në vend të tyre u emëruan disa të pa aftë që ju servilosën Partisë Demokratike. Disa prej tyre arrinin deri aty sa, megjithëse u shkrinë organizatat e Partisë Punës, organizuan celula të Partisë Demokratike….

Nen pretekstin e reformës në ushtri (që sigurisht duhej bërë) u bënë veprime që e dëmtuan ushtrinë, madje u mohua çdo gjë pozitive që ishte arritur gjatë 50 vjetëve. Në çdo vend demokratik ushtarakët kanë trajtim të veçantë, ndërmjet tjerave, sepse aty nuk ka demokraci, ka centralizëm, ka urdhra… ndërsa në Shqipëri u veprua ndryshe. Ushtarakët u trajtuan njëlloj si strukturat e tjera të shtetit, ku u ndërmorën reforma, pa asnjë platformë e synim të qartë. Njëlloj si në strukturat e tjera të shtetit edhe në ushtri u zbatua Neni famëkeq 24/1 (Pavarësisht se në një formë të maskuar) dhe nën pretekstin e luftës kundër komunizmit u hoqën shumë nga oficerët më të aftë e më të përgatitur dhe u zëvendësuan me militantë partiakë, pa përgatitjen e duhur ushtarake, madje duke u dhënë grada madhore, aq sa brenda një dite janë graduar rreth 20 gjeneralë….

Megjithëse thuhej që ushtria është e depolitizuar, në të vërtetë, në drejtim u emëruan mbështetës të thekur të partisë në pushtet, pa fol për propagandën që bëhej çdo ditë në mbështetje të Partisë Demokratike. Besoj se z.Kosova i kujtohet gazeta “Ushtria dhe koha” që botohej dy herë në javë. As gazeta e PD-së “Rilindja Demokratike” nuk ishte aq e politizuar, që mbështeste Partinë Demokratike për çdo gjë, ku gënjehej ditën për diell për sukseset…. sa ishte bërë e neveritshme (në mjaft raste qesharake) edhe për shumë ushtarakë, që shpreheshin hapur kundër atyre që shkruheshin në të (disa ushtarakë kishin kërkuar të mbyllej kjo gazetë), aq sa, në mars të atij viti, n/Kolonel Agim Rexhmata i shkruante kryeredaktorit, Elmaz Leci:

“Ka mbi tre vjet që tepër radhë, (për të mos thënë fare) nuk e lexoj gazetën tuaj. Dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë shokët e mi ushtarakë.  Kjo sepse:

-Ke servilizëm të tepruar.

– Me shkrimet tuaja mburrni “arritjet” për pagat, pensionet, statusin e ushtarakut.

-Me shkrimet ruaja sollët urrejtjen e ushtarakëve të liruar e të dalë në pension.

-Me përjashtim të ndonjërit, me jepni përshtypjen e grave te pispillosura….

-Jeni mjeshtër i dyfytyrësisë shumëngjyrëshe” etj.

Z.Kosova e mban mend, madje duhet ta dijë si vepronin drejtuesit e Ministrisë Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm  për “edukimin” e ushtarëve me  “frymën e partisë”. Njëlloj si në kohën e Partisë Punës, që ushtarëve u lexohej çdo ditë gazeta “Zëri i Popullit”, tashti, çdo ditë në mëngjes ushtarëve u lexohej gazeta “Albania” (në opinion njihej  si gazetë e SHIK-ut…). A e dinte Shefi i Shtabit se me ç’para botohej kjo gazetë? Sa për kujtesë, në përgjigjen që Ministria e Mbrojtjes i jepte redaksisë së kësaj gazete, më 21 maj 1997 (për një artikull të saj plot shpifje e gënjeshtra për Ministrinë e Mbrojtjes) thuhej: “Ju e dini shumë mirë se ushtria ju ka mbajtur gjallë, përndryshe do ju harrohej emri…..Ju e dini fare mirë se paratë për tu paguar ju, hiqeshin nga ushqimi i ushtarëve…se vetëm për gjashtë mujorin e parë të vitit 1997 keni marrë nga ushtria 8.190.000 lekë të reja. Ndërsa vitin e kaluar keni marrë katërfishin e kësaj shume…”.

Dhe Shtabi i Përgjithshëm pajtohej me këto veprime të pa dëgjuara askund që, për të “edukuar” ushtarët me një gazetë që vetëm shqiptare nuk ishte, të prekej racioni ushqimor i ushtarëve, që edhe ashtu ishte i pamjaftueshëm ….

Ka të drejtë z.Kosova kur shkruan për vjedhjen e votave në zgjedhjet e vitit 1996, por është fakt se nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm janë dërguar shumë oficerë për të marrë pjesë në fushatë, në mbështetje të Partisë Demokratike, pra Ministria dhe Shtabi kanë ndihmuar direkt për vjedhjen e votave dhe masakrën e 26 majit 1996. Arrihej seri aty sa për të fituar zgjedhjet çohej ushtria gjoja për stërvitje. Nuk e di në se janë të ruajtura borderotë e vitit 1996, por kur punoja në atë ministri, më kanë nxjerrë emrat e dhjetëra e dhjetëra oficerëve, përfshij oficerë madhorë, që kishin marrë dieta (me firmat e shefave kryesorë) dhe me makinat e ushtrisë bridhnin Shqipërinë për të bërë  fushatë për Partisë Demokratike. Besoj se z.Kosova e kujton z.Denyy Lane, këshilltarin ushtarak amerikan të Ministrit Mbrojtjes, Safet Zhulali, i cili i shkruante qendrës në Uashington “Për farsën elektorale të 26 majit ku ishin përfshirë dhe një pjesë e drejtuesve të ushtrisë….”

Pavarësisht nga fjalët e bukura që thuheshin e autolëvdatat nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, situata në ushtri sa vinte e përkeqësohej. Fondet për ushtrinë ishin minimale, aq sa gjatë katër viteve të marra së bashku për periudhën 1993-1997, ushtria ka pas buxhet të barabartë me atë që i ishte dhënë vetëm për vitin 1991, kur dihet si ishte ai vit. Asaj nuk i jepej as 30 për qind e minimumit jetik të saj. Prandaj, në kundërshtim me Ligjet e shtetit, vendimet e Këshillit të Ministrave etj. gjatë atyre viteve u “hëngrën” rezervat e pa prekshme të ushqimeve, karburantit etj. të trashëguara nga e kaluara…Gjithçka pritej si ndihmë nga jashtë, deri krevatet e dyshekët, rrobat e këpucët, aq sa edhe oficerët visheshin lara lara, pa fol për ushtarët që dilnin me këpucë të grisura…Duket e pabesueshme, por 98.4 për qind e buxhetit të Ushtrisë planifikohej për pagat e punonjësve dhe ushqimin….

Për çfarë ushtrie mund të flitej kur organikat në ushtri u katandisën në rreth 50 për qind, ose rreth 15-16 mijë ushtarë nga 30 mijë që ishte plani, nga të cilët 8-9 mijë ishin roje deposh, rreth 2500 në shërbime ndihmëse si kuzhinierë, shoferë etj. ndërsa efektivi aktiv zinte rreth 18 për qind, shifër e turpshme edhe për vendet me të prapambetura të Afrikës…(Shifrat janë kokëforte)

Dihet se në vende afërsisht me kushtet tona, rezervistët përbejnë forcën kryesore të ushtrisë për mbrojtje, por problemi i rezervistëve trajtohej si mbeturinë komuniste dhe Shtabi i Përgjithshëm nuk bënte asgjë, por u kujtuan për rezervistët vetëm kur udhëheqjes së lartë, rezervistët ju deshën  “për të shtypur Jugun”……Por ishte tepër vonë, sepse shumica dërmuese e tyre nuk gjendeshin, madje edhe kur i gënjenin se “do të shkonin të Jug kundër grekut”, shumë prej tyre nuk e dinin ku të paraqiteshin…por edhe shumë prej atyre që i sollën në Tiranë për ti përgatitur për “luftë kundër Jugut” sapo e merrnin vesh, ktheheshin nga kishin ardhur. Kjo është e vërteta e atyre ditëve. Por siç pohon z. Kosova: “Lajme më vinin nga repartet se njerëzit  kundërshtonin të shkonin në Vlorë”(fq.94)

Në fushën e legjislacionit, nuk e bë asgjë për ushtarakët. U shkurtuan mijëra ushtarakë por nuk u bë asgjë për ta. Nuk u zbatua as Statusi i Ushtarakut dhe nuk u aprovua asnjë ligj për ta, duke i lënë në rrugë të madhe, pa asnjë përkrahje (u arrit deri aty sa tu mohohej edhe vjetërsia në punë për pension) gjë që sigurisht ndikonte për keq edhe tek ushtarakët në shërbim, gjë që ulte moralin e dëshirën për punë, sepse mendonin se një ditë edhe ata do të largoheshin nga ushtria. Kështu Dekreti Presidencial Nr.1432, dt. 28.3.1996 e bënte të pavlefshëm Statusin e Ushtarakut…Trajtimi jo i mirë, humbja e perspektivës, pagat e ulëta, madje shumë më të ulëta se në ministrinë e Brendshme apo në SHIK, në mjaft raste më të ulëta se në sektorët civilë…. kanë sjellë si pasojë që në periudhën 1995-1996, janë larguar nga ushtria me kërkesën e tyre rreth 500 oficerë të rinj.

Si në sektorët e tjerë të jetës, edhe në ushtri korrupsioni, grabitja e pronave të ushtrisë, ryshfeti etj. ishin bërë pjesë e jetës…Mjafton një shembull: kryerja e shërbimit të detyrueshëm ushtarake (sipas ligjeve të asaj kohe) ishte kthyer në biznes shumë fitimprurës, që sillte si pasojë rënien e vazhdueshme të numrit të ushtarëve, aq sa në vitin 1997 numri i tyre nuk përbënte as një të tretën e numrit të planifikuar…

Paqartësia dhe kaosi që kishte sjellë çakordimi dhe mospërputhja e ligjeve, akteve ligjore e nënligjore, që shpesh herë i binin ndesh njeri tjetrit, kishin krijuar kaos të vërtetë juridik. Kështu Dekreti Presidencial për përdorimin e armëve të zjarrit, praktikisht bëhej i pa zbatueshëm sepse, krahas urdhrit të Komandantit të Përgjithshëm të majit të v.1992, ai binte ndesh me kërkesat e rregullores së Jetës së Brendshme të Ushtrisë. Ushtarakët nuk dinin cilin të zbatonin, ligjin apo rregulloren dhe praktikisht gjatë ngjarjeve tragjike të marsit 1997 ata nuk zbatuan as njërën as tjetrën….për më tepër, në shumë raste i ngatërronin dhe shefat e mëdhenj nga Tirana që i ndryshonin urdhrat herë pas here. Por, pavarësisht nga këto, shumë oficerë patriotë i mbrojtën repartet e depot e tyre, me mënyra nga më të ndryshmet e në disa raste  me pushkë, madje disa prej tyre dhanë edhe jetën….

Vërtetë në ushtri nuk ka demokraci, ka urdhra, ka komandantë, por historia ka treguar se kur mes drejtuesve kryesorë nuk ka bashkëpunim, mirëkuptim e unitet, punët nuk shkojnë mirë… por ato që shkruan z.Kosova në librin e tij, për marredheniet midis kuadrove kryesore që drejtonin ushtrinë, duken të pabesueshme. Mosmarrëveshje mes ministrit të Mbrojtjes e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm (z.Kosova shkruan se ai kontrollohej e përgjohej nga Ministri e Presidenti…fq.140), mosmarrëveshje mes Kryeministrit Aleksandër Meksi e ministrit të Mbrojtjes Safet Zhulali (Kryeministri thoshte atëherë në një intervistë se ai “nuk lexonte as letrat që i çonte Safet Zhulali…”) mosmarrëveshje midis shefave e drejtorëve, mosbesim ndaj njeri tjetrit …e kjo për vite me radhë. Disa prej drejtuesve kryesorë të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm, për turpin e tyre, për vite me radhë e deri më sot nuk kanë nuk lënë gjë pa thënë e shkruar kundër njeri tjetrit…. Siç shkruan z.Kosova, ish Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Ilia Vasho, kur i dorëzoi detyrën z. Kosova, në qershor të v.1994, e porosiste: “Mos i beso askujt nga drejtorët, se vetëm mashtrojnë”.

Ushtria në çdo vend përgatitet për mbrojtjen e vendit në rast agresioni, por ishte e pa pranueshme që për vite me radhë Këshilli i Mbrojtjes nuk kishte miratuar Planin Strategjik të Mbrojtjes, gjë që ngarkonte me përgjegjësi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin Përgjithshëm, ku sigurisht edhe  Presidenca kishte përgjegjësi….

Kjo ishte situata në ushtrinë tonë në prag të krizës, që krahas tjerave kishte mungesa të mëdha materiale,  aq sa siç shkruan z.Kosova: “Tanket nuk kanë bateri, brigada në Fier nuk ka efektivë aktivë se është me rezervistë, kështu që mjetet nuk dalin as nga tuneli ku janë (fq.97). Ndërsa ish këshilltari amerikan i ministrit të Mbrojtjes, z.Denyy Lane, që kishte parë e përjetuar se çfarë ndodhte në ushtri, mbasi kishte njohur mirë situatën, duke e lidhur dhe me zhvillimet politike në Shqipëri, për pak ditë para largimit, shkruante: “Ushtria do të shkatërrohet dhe vendi do të zhytet në kaos”, parashikim që fatkeqësisht u vërtetua në pranverën e vitit 1997.

Me fillimin e krizës, udhëheqja, në vend që të ulej e të bisedonte me demonstruesit e të zgjidhte problemet me konsensus, mendoi ta zgjidhte me ndihmën e ushtrisë, veprim i pa dëgjuar në asnjë vend demokratik. Kush ka lexuar qoftë një material për zgjidhjen e krizave, e di se ato trajtohen vetëm me mjete politike e jo me gjuhen e forcës, për më tepër kurrë me përdorimin e ushtrisëPërdorimi i ushtrisë bëhet vetëm me konsensus politik edhe kur është fjala për dërgimin e forcave ushtarake jashtë vendit….

Hapi i parë për të futur ushtrinë kundër popullit u bë më 26 janar 1997, kur Presidenti urdhëroi (me gjoja kërkesën e të ashtuquajturit Kuvend Popullor) “Për përdorimin e Forcave të Armatosura në ndihmë të rendit publik”, që ishte shpallje e kamufluar e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Përdorimi i ushtrisë jo vetëm nuk e zgjidhi krizën, por e thelloi edhe më tepër….. Z.Kosova në librin e tij shpjegon me hollësi si janë zhvilluar ngjarjet, diskutimet me ministrin e Mbrojtjes, të Brendshëm, Presidentin etj. por ishte ai dhe shokët e tij, që në kundërshtim me Kushtetutën, bënë planet dhe urdhëruan përfshirjen e “Forcave të Armatosura në ndihmë të rendit publik”….dhe këto ndodhnin kur demonstratat ishin paqësore dhe popullsia ishte krejtësisht e paarmatosur. Siç e pohon z.Kosova, “Në disa rrethe nuk i kishin pranuar ose i kishin larguar rojet tona se thoshin: ne s’kemi probleme, duke vendosur ushtarët po i nxisim dhe disa e quanin ofendim…”.

Duke lexuar librin e z.Kosova mësojmë se nga 26 janari deri në 2 mars janë kryer veprime ku nuk e merrte vesh i pari të dytin: Ministria e Rendit shmangej dhe detyrat e saj detyrohej ti kryenin forcat e armatosura, jepeshin urdhra pa i rakorduar me njëri tjetrin, oficerë e ushtarë shpreheshin kundër përplasjes me popullin, Ministri i Mbrojtjes shprehej “kundër bisedimeve e kërkonte të hapej zjarr kundër turmave” (fq.59), diskutohej të shkatërrohej Ura e Mifolit me bombardime. Z.Kosova shkruan për një veprim që sot duket i pa besueshëm (për herë të parë e mësova nga libri i tij) se u dha urdhër për përdorimin e Lëndëve Helmuese Luftarake (LHL), madje një helikopter ishte nisur për ti hedhur kundër popullit të Vlorës (siç shkruan z,.Kosova, ai u kthye me urdhër të tij pak pa mbërritur në Vlorë, veprim prej ushtaraku patyriot…). Me të drejtë lindë pyetja, si ka mundësi që nuk u mor asnjë masë për ti dënuar ata që donin të bënin këtë masakër të pa dëgjuar kundër popullit të Vlorës, ku mund të ishin vrarë mijëra njerëz….(Kur dihej se përdorimi i tyre ishte ndaluar me Konventën Ndërkombëtare, që e kishte nënshkruar dhe Shqipëria) (fq.40).

Z.Kosova shkruan se më datë 28 shkurt “Ushtria kaloi në gatishmëri numër 1 që nga Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë Komandat e Shtabet e njësive e reparteve, llojet e forcave të mbrojtjes Ajrore, Forcat detare, Akademia e Shkollat ushtarake me gjithë kuadër e ushtarë aktivë që kishte ushtria” (fq.92) dhe të gjitha këto veprime, pa u shpallur gjendja e jashtëzakonshme nga i ashtuquajturi Kuvend Popullor (që u mblodh më 2 mars mbas dreke, në ora 17 dhe ka vazhduar me orë të tëra, aq sa disa herë është thënë e shkruar se gjendja e jashtëzakonshme është vendosur më 3 mars 1997).

Me të drejtë shtrohet pyetja, si u vu Ushtria Shqiptare në gatishmëri nr.1 pa një vendim të Këshillit të Mbrojtjes apo ligj të aprovuar nga  Kuvendi Popullor….por vetëm me urdhra nëpërmjet telefonave. Pikërisht ky veprim ishte hapi i parë dhe kryesori që përgatiti katrahurën që ndodhi më vonë e që gjeneralët, ata që drejtonin ushtrinë, me në krye shefin e Shtabit të Përgjithshëm, pa e kuptuar se ç’po ndodhte e zbatuan….Është e vërtetë se shumica dërmuese e tyre nuk e dinin se të gjitha këto veprime që filluan më 28 shkurt, bazoheshin në një plan që mbahej tepër sekret, i quajtur “Plani i veprimeve luftarake”, dhe që ende pa u shpallur zyrtarisht gjendja e jashtëzakonshme kishte filluar të zbatohej …..Mbi  bazën e këtij plani, që do të fillonte të zbatohej më datë 1 mars  filluan të japin urdhra ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm. Kështu, ndërmjet tjerave, me shkresën Nr.25 dt.1 mars, z.Kosova urdhëronte që Brigada e Tankeve Zall Herr të lëvizë drejt Fierit me synim Vlorën….

Për ekzistencën e këtij plani flitej që në atë kohë dhe shumë ushtarakë kishin dëgjuar për një plan të tillë, por askush nuk e kishte parë, nuk e dinte ku ishte, kush e kishte përgatitur dhe ku ndodhej. Është interesant fakti se ministri i Mbrojtjes, Sabit Brokaj në raportin që mbajti në Kuvendin Popullor më 22.10.1997, “mbi ngjarjet në ushtri në pranverën e v.1997” nuk foli me hollësi për një plan të tillë, sepse realisht nuk e kishte parë, ashtu si dhe z.Spartak Ngjela në materialin e paraqitur para Kuvendit Popullor si kryetar i Komisionit Parlamentar, për hetimin e ngjarjeve janar-qershor 1997, nuk e përmendë një raport të tillë, sepse vazhdonte të ruhej diku i fshehur…. Mbas shumë vitesh, kur punoja në Arkivin e Forcave të Armatosura, rastësisht mora vesh se ky plan ndodhej aty, i shoqëruar me harta, me shpjegime të hollësishme etj. titulluar “Plani i Veprimeve Luftarake” për “Asgjësimin e kryengritësve rebelë në jug të Shqipërisë prej datës 1 mars deri më 30.3.1997”.

Njeriu nuk u beson syve kur e lexon këtë plan kriminal, hartuar nga “Komanda e Operacionit” (pa emra) që urdhëron për: “Përdorimin e gjerë të aviacionit, artilerisë, lëndëve helmuese luftarake (LHL)”, “Për hartimin e listave për personat që do të asgjësohen në qytetet Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë dhe Sarandë”, “Organizimi i terrorit në popullsinë e qyteteve Vlorë, Tepelenë, Përmet, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë nëpërmjet djegieve e shkatërrimeve të objekteve që paralizojnë jetën publike”, “Përdorimi i aviacionit luftarak gjuajtës e bombardues nga regjimenti i Gjadrit kundër përqendrimeve të forcave rebele në Sarandë, Tepelenë e Vlorë” etj.

Më dt.2 mars, u mblodh Këshilli i Mbrojtjes, ku u vendos të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, të mblidhej Kuvendi po atë ditë dhe në krye të Operacionit kundër jugut, të emërohej kryetari i SHIK-ut, “Gjenerali me katër yje”, Bashkim Gazidede, që do të kishte nën komandën e tij Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Brendshme. Z.Kosova shkruan se aty ai nuk pranoi të zbatonte urdhrin e Presidentit për bombardimin e Urës së Mifolit,, prandaj dha dorëheqjen dhe u largua (veprim pozitiv e patriotik, që duhet përshëndetur), pavarësisht se ish Ministri i Mbrojtjes ka shkruar se Presidenti e shkarkoi për mos zbatim urdhri….

Dihen ato që ndodhën në atë pranverë të përgjakshme….Për ato ngjarje, që i kam përjetuar e ç’ka ndodhur, mendimet e qëndrimet e mija i kam shprehur në librin “Nga Gjakosja e Shkodrës tek Përgjakja e Shqipërisë”. Si kushdo edhe z.Kosova ka të drejtën e tij të shkruajë ashtu si i di ai ngjarjet, si i ka përjetuar apo si i kujtohen, por pa dashur ti kundërvihem, do të sqaroj disa momente që i kam përjetuar e i di më mirë se kushdo, sigurisht në mbrojtje të së vërtetës….

Ushtrinë dhe kuadrot e saj nuk e ka shkatërruar një njeri (siç shprehet z.Kosova për ish Ministrin e mbrojtjes Safet Zhulali ( “Pra, pasi shkatërroi ushtrinë dhe kuadrot e saj, iku”) ( q.177). Atë e shkatërroi politika e asaj kohe, ku Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kishin rolin e vet….Ndërsa shumica e kuadrove ushtarakë, “nuk ishin shkatërruar”, pavarësisht ç’kishte ndodhur, shumica u treguan dinjitozë e patriotë.

Z.Kosova shkruan: “Por më datë 13 mars, ministri i ri mbrojtjes Shaqir Vukaj shkoi në zyrë dhe duke vënë duart në kokë pasi zyra ishte shkatërruar, i hutuar e duke mos ditur ç’të bënte, kap receptorin e telefonit dhe i bie numrit të parë katërshifror duke bërtitur:

-Edhe tapetet e zyrës i paskan vjedhur? Por në anën tjetër të telefonit ishte bashkëshortja ime (ai i kish rënë telefonit të shtëpisë time…..Shaqiri e filloi detyrën si i xhindosur….” (fq179)

Nuk e kuptoj ç’farë i ka thënë mendja gjeneralit që shkruan broçkulla të tilla….

Më dt.12 mars, të gjithë anëtarët e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar, mbasi kemi marrë Dekretet në Presidencë, kemi shkuar në Kryeministri dhe prej aty secili ka shkuar në ministrinë përkatëse. Kur kam shkuar në ministri të Mbrojtjes, më kanë pritur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm me dy të tjerë. Mbas një bisede të shkurtër, jam paraqitur në sallën e madhe ku ishte mbledhur gjithë personelin e ministrisë. Mbas prezantimit të shkurtër e kanë marrë fjalën disa nga kuadrot kryesorë: Kurt Gjika, Bajram Malaj, Vladimir Beja, Baki Shehu, Baki Bala, Garip Lala Alfred Moisiu, Pëllumb Qazimi, Ahmet Osmani, Adem Çopani.

Nga diskutimet shihej qartë se ushtarakët ishin goditur rëndë, ishin vrarë në shpirt, kishin rënë moralisht. Shumë prej tyre akuzuan politikën që kishte shkatërruar ushtrinë, që sipas tyre vazhdonte të ishte e politizuar, që ushtria ishte lënë mbas dore, që ushtria nuk duhej implikuar në ato ngjarje, që gjithçka kishin vendosur njerëzit e SHIK-ut, që ata kishin qëlluar kundër popullit e deri kundër ushtarakëve etj. Të gjithë pohuan se ushtria nuk kishte qëlluar mbi popull, dhe në asnjë rast ajo nuk do të qëllonte mbi popullin e vet…(sipas proces verbalit të mbajtur aty)

Megjithëse donin të flisnin shumë prej tyre, i mbylla diskutimet dhe u fola shkurt, kryesisht për tu ngritur moralin….dhe tani u thashë: secili në krye të detyrës.

Prej aty më shoqëruan në zyrën e ministrit, që përbehej nga dy dhoma (njëra përdorej kryesisht për mbledhje, pritje etj.). Z.Kosova shkruan se “zyra ishte shkatërruar”, përkundrazi, zyrat i gjeta në gjendje të shkëlqyeshme, të pastruara e në rregull të plotë….Z.Kosova, gabon rendë kur shkruan se “Shaqiri e filloi detyrën si i xhindosur”, përkundrazi, gjatë atyre muajve që kam punuar në atë ministri nuk del njeri të thotë se kam ngritur zërin një herë, me të gjithë kam folur si njeri, si mik e si shok dhe ashtu siç e kishte misionin dhe emrin Qeveri e Pajtimit, aq sa punova aty, u përpoqa që në plan të parë të kishim pajtimin, e për këtë duhej krijuar ambient mirëkuptimi, besimi e respekti për njëri tjetrin, dhe besoj se ja kemi arritur.

Nuk e di nga e ka këtë të dhënë z.Kosova kur shkruan se “Më dt.13 mars, nga ministria ishin larguar 90 për qind e njerëzve…”. Vërtetë ajo ditë ka qenë tepër e rëndë, e mbushur me ngjarje të jashtëzakonshme, por personeli i ministrisë ka qenë në punë, në krye të detyrës, pavarësisht se mund të ketë ikur ndonjë që e ka gënjyer z.Kosova. Atë ditë më kanë kërkuar dorëheqjen zv/Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Armand Vinçani, Shefi i Personelit, Aleko Laze, sekretarja, me pretekstin se ishte “motra e Blerim Celës”, e ndonjë tjetër, por unë nuk kam pranuar asnjë dorëheqje dhe kam vazhduar punën deri ditën e fundit me të gjithë këta e me shumë të tjerë…

Dua ti kujtoj z.Kosova se pavarësisht se poshtë ministrisë kërciste mitralozi, shumica dërmuese e ushtarakëve kanë qëndruar në ministri. Atë natë kam bërë thirrje në RTSH “Atdheu në rrezik” dhe si shumë net të tjera kam fjetur në ministri, por me mua kanë qëndruar edhe shumë të tjerë, madje z.Alfred Moisiu ka qëndruar deri në 12 të natës me mua. Mbaj mend kur shkova tek Grupi i Drejtimit, që ka qëndruar gjithë natën në ministri, kam parë librin e urdhrave, ku ishte shënuar çdo urdhër i dhënë, që për turpin e tyre kishin urdhëruar me telefon e jo me shkrim, për bombardime, për lëvizje trupash e teknike ushtarake etj.

Të nesërmen e thirrjes “Atdheu në rrezik” u paraqitën në ministri qindra e qindra oficerë të liruar, që si patriotë të vërtetë kërkonin të shkonin në repartet ku kishin shërbyer apo ku të kishte nevojë ushtria. Dhe shumë prej tyre, pa asnjë pretendim u paraqiten në reparte, madje ndonjë ish oficer madhor, qëndroi roje reparti, apo duke mbledhur armët e municionet që ishin hedhur rrugëve, pa folur për ata që ndihmuan për sistemimin e depove e reparteve.  Disa prej tyre më shkruan letra ku më këshillonin si duhej vepruar në këtë situatë, pa përmendur me emra shumë ish oficerë madhorë, që nga Sadik Bekteshi që më kanë ardhur në zyrë e më kanë këshilluar me  mendime e propozime të vlefshme…

Nuk e di çfarë mllefi ka z.Kosova me disa ish oficerë e kuadro të liruar me reformën kur shkruan se “Ministri i mbrojtjes Shaqir Vukaj i angazhoi e mobilizoi qindra oficerë të liruar e i vuri neper reparte depo armatimi, por asnjë nuk u kthye tek ai më mbas e të raportonte se kishin mbrojtur një depo apo një armë të vetme”.

Z,Kosova quan tradhtar Safet Zhulalin e disa të tjerë, por lëvdon e çon në qiell ish Shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Ilia Vasho, i cili dezertoi dhe kërkoi strehim politik në Belgjikë, dhe për turpin e tij nuk la gjë pa thënë para përfaqësuesve të NATO-s kundër vendit të tij, sepse e  kishin degraduar nga Gjeneral Leitnant në Gjeneral Major…për të qeshur e për të qarë. Por jo vetëm kaq, por ky i bënte thirrje atasheve ushtarakë në disa vende që të braktisnin detyrën dhe të kërkonin strehim politik, siç edhe bënë atashetë ushtarakë në SHBA, Gjermani etj…..

Sot, më 2 mars, është përvjetori i shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, që solli aq pasoja të rënda për popullin tonë e Shqipërinë, prandaj ta kujtojmë këtë ditë, që ngjarje të tilla mos u përsëritshin kurrë më, por edhe të jemi vigjilentë e të përgatitur, sepse re të zeza po qarkullojnë mbi qiejt e Ballkanit, Europës e botës….

#Përvjetori #një #marsi #të #mbrapshtë #dhe #libri #ishshefit #të #Shtabit #Sheme #Kosova #botuar #së #fundmi #për #97n
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button