Haradinaj: Kush bashkëpunon me Kurtin, është armik i vendit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur për mundësinë e një koalicioni të Nismës Socialdemokrate me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai komentoi deklaratat e kreut të Nismës, Fatmir Limaj, ku ky i fundit nuk e përjashtonte një koalicion të mundshëm me LVV-në duke thënë se mund të jenë strategji negociuese.
“Nuk muj me folë për Fatmirin (Limajn), ndoshta e ka strategji negociuese, s’jam i sigurt se çka ka vlerësuar, kemi garuar bashkë dhe jam i kënaqur për rrugën që e kemi bërë bashkë dhe besoj se edhe në qeveri të opozitës mund të jemi bashkë, kjo mund të jetë një strategji e tij negociuese”, tha Haradinaj në Klan Kosova.
Ai përsëriti qëndrimin e tij se Kurti është i rrezikshëm për vendin, prandaj tha se kushdo që mundëson vazhdimin e qeverisjes së tij “është armik i shtetit të Kosovës”.
“Kurti e ka prishur pasurinë më të madhe të sigurisë, e ka prishur besimin me Amerikë, s’ka asgjë më të rëndësishme se siguria, ky është në vazhdimësi duke i prishur elementet e garancës së sigurisë. Unë ia dua të mirën edhe Nismës edhe Limajt, siç ia dua të mirën çdo njeriu që ia do të mirën vendit, qëndrimi është i qartë se nëse e ndihmojmë Kurtin po i ndihmojmë armiqtë e Kosovës”, tha Haradinaj.
I pari i AAK-së shtoi se partneri i tij i koalicionit, Fatmir Limaj, nuk ka diskutuar me të para se të dilte me qëndrimet për mundësinë e një koalicioni me LVV-në, ndërsa shtoi se Limajn nuk ka komunikuar nga 20 shkurti, kur ky i fundit kishte dhënë një intervistë lidhur me këtë çështje.
“Me Limajn nuk jemi marrë vesh për të dalë me këto qëndrime, ky nuk është pozicioni im, mua nuk më vyen njeriu që më prishë me Amerikë. Jo, nuk kemi pasur komunikim nga atëherë. Partneri im i koalicionit ka qenë partner deri në ditën e zgjedhjeve, nga ai moment negociatat për qeveri nuk i udhëheq unë, negociatat për qeveri i udhëheqë në këtë rast Bedri Hamza”, tha Haradinaj.
#Haradinaj #Kush #bashkëpunon #Kurtin #është #armik #vendit
gazetablic.com