Aktualitet

Kujdes me njeriun e poshtëruar! –

Nga Minella Aleksi

Kush mund t’a imagjinonte se njeriu që, përpara Ramiz Alisë denonconte vrasjet e protestuesve në Malin me gropa, do të kishte 35 vite më vonë një bilanc skandaloz viktimash, disa fish më të madhe sesa presidenti i fundit komunist !!. Pse, çfarë ka ndodhur me këtë njeri? Megjithëse premtoi se pas disa muajsh do kthehej të rivishte bluzën e bardhë të mjekut, Sali Berisha vazhdoi rrugën e lavdisë.

Ruga e tij drejt lavdisë startoi me fyerjen e rëndë që pësoi me Referendumun e 1994-ës. Rënia e shtetit në 1997 e më pas plot të tjera ishin goditjet e njëpasnjëshme që u zhvilluan sipas paradigmës së Dostojevskit: “Poshtërojini arsyen dhe shpirti do i shtrëmbërohet. Pas shumë poshtërimeve si njeri me shpirt të shtrembër u kthye në një persekutor. Është shumë e vështirë për njerëzit të besojnë faktin e thjeshtë se çdo persekutor dikur ka qenë viktimë. Mbas shumë goditjesh të rënda politike Sali Berisha me

“Non Grata” pësoi poshtërimin përfundimtar ndërkombëtarisht, “nokout-in” final. I poshtëruar humbi shansin e trashëgimisë së lavdishme në historinë shqiptare.

Psikiatrit vënë në dukje se poshtërimi është zhvlerësimi më helmues që i bëhet shpirtit të njeriut. Individët që u janë nënshtruar poshtërimeve më të rënda publike, përjetojnë ndjenja të forta të mungesës së shpresës dhe të pafuqisë. Është faza kur njeriu zgjon kafshën brënda tij dhe zbret në një nivel egërsie të paimagjinueshme.. Këtë shpjegim i dhashë pyetjes që më drejtoi një mik pasi kish parë foton e Sali Berishës me koalicionin “Për Shqipërinë e madhe”.

Me shpirt të shtrembëruar kërkon të ngrohë ndjenjat e dashurisë me ish adhuruesit, të cilët pasi i përdhunoi dy herë, si President dhe si Kryeministër, kërkon një herë të tretë përdhunimi për shqiptarët.. Sali Berisha është shumë vonë për të kujtuar se edhe ndjenjat më të forta skadojnë, kur injorohen dhe merren si të mirëqëna. Që do të thotë se pavarësisht se sa të forta apo të prekshme kanë qënë shpresat, ndjenjat dhe emocionet e njerëzve të cilët fuqishëm brënda dhe jashtë vëndit e mbështetën, i shpërfilli, i injoroi, ose e thënë sipas Kanunit, i preu ata dhe vendin e vet në besë.

I pashpresë dhe i pafuqi, këtë herë me ndihmën e magjistarit më të madh të fushatave elektorale amerikane, LaCivita kërkon të bëhet dhëndërr pët herë të tretë. Sigurisht me një shumë të madhe parash. Në radhët e militantëve të PD-së qarkullon dilema: në rast fitoreje, hallall paratë. Por me humbjen,…. humbasin edhe paratë.

Ka kaluar ajo kohë kur në fund të bisedave me të huajt shqiptarët u bënin atyre pyetjen: Si të dukemi ne shqptarët, çfarë mendon për ne? S’kanë faj, kanë qënë shumë të kompleksuar. Ka zëra (burimi ndoshta inoçenti Palok trimi) se në humbshin do guxojnë t’i kërkojnë 1/3 e parave mbrapsht. Interesant reagimi i znj. Tabaku. Si kryetare e komisionit parlamentar kërkon audit të parave të dhëna magjistarit LaCivita. Arsyeja sipas saj: “e di mirë se nuk ndodh që ëndërra të bëhet realitet përmes magjisë. Zotërinj, ëndrrat duan djersë, vendosmëri dhe punë të palodhur që të bëhen realitet”. Të shohim sesa do merret parasysh transparenca si tipar dallues i zakonshëm te partitë shqiptare. Këto situata Magjistari i njeh mirë. Prandaj i qartë, esëll në këtë pazar LaCivita nxitoi të sqaronte: Unë nuk kam punë me non gratën. Në Shqipërinë e vogël sekretet rrjedhin shpejt. Flitet për një magji të paimagjinueshme që do ekspozohet një muaj para ditës së zgjedhjeve. Fokusi: sfumimi i vrasjeve në 21 Janar.

Strategjisti politik më i madh i botës (përcaktim nga znj. Harxhi) ka bërë anketim sekret lidhur me grushtin e shtetit për rrëzimin e pushtetit të Sali Berishës, të programuar nga “B. Topi dhe “Lavirja e B”. (bulevard). Hamendësimet thonë se Magjistari ka lënë detyrë që të përgatitet një “Akt Faljeje” drejtuar ish kryeprokurores Ina Rama nga vajza e ish Kryeministrit, Argita Berisha, Falje në emër të nënës Liri dhe babait Sali, në emër të familjes së vëllait të saj Shkëlzen gjithashtu. Sesa magjike për fatin e zgjedhjeve mund të jetë kjo falje historike, vlerësimi mbetet në dorë të dy burrave, Z. Berisha dhe Z. LaCivita. Ky i fundit ka filluar të kuptojë se në rastin Sali Berisha nuk ka hap mbrapa.

Kur nis të bësh diçka dhe s’ke rezultat populli thotë: të rrahësh ujë në havanë. Deri tani havana bosh. Rreth Berishës veç grupit të militantëve që dallohen për nivel edukimi të ngjashëm me atë të ish byroistëve (Noka, Paloka, Topalli, Vokshi, Këlliçi që më nxjerr mallin e të nderuarit Xh. Tafaj, etj., janë edhe një grup tjetër, intelektualë (Gjekmarkaj, Tabaku, Harxhi, Alizoti, Pollo, etj) që këmbëngulin për heqjen së shpejti të non gratës. Disa prej tyre ish të peresekutuar. Më ngjajnë si shejtan budallai. Shpresojnë vërtetë te heqja apo bëjnë sikur.

Më e zjarrta Znj. Harxhi që, sa herë bie fjala, i lexohet në fytyrë transhendencë hyjnore spazmodike, duke ngritur notat si këlthitje: po lobojmë fort, apo, mos u çudisni kur për Berishën së shpejti të mbërrijë ftesë – udhëtimi në Amerikë. Apo Z. Alizoti i cili si arlekin me këmbë e duar nga Berlini thotë se, tani që e hapi rrugën Berlini “non grata” është fshirë, as ka diskutim me Trampin. Apo Z. Pollo, nën një qetësi gjumi që ushqen mënçurinë, thotë se më thanë disa miq republikanë se do i hiqet së shpejti. Gjekmarkaj që s’të sheh në sy mërmërit: Aleatët tanë strategjikë po përgatisin heqjen e nofkës poshtëruese. Po vuajnë për një karrige! Me kulturën perëndimore që zotërojnë duhet të kuptojnë se, është më e rëndësishme t’i provosh diçka vetes se sa të na e provoni ne të tjerëve, që nuk ua kërkojmë këtë provë!.

Përndryshe do doja t’i pyesja këta intelektual se si është raporti i tyre me të vërtetën për betejën e pashëmbullt që u zhvillua te kështjella e PD-së në qëndër të Tiranës?. Betejë që për origjinalitetin unikal mesjetar u filmua nga disa studio të njohura kinematografike, Luftuan më 8 Janar 2022. militantët e egër të PD-ës me militantët e trëmbur të PD-ës, Apo e vërteta e tyre për krimin shtetëror të 21 Janarit?. Apo e vërteta e tyre për Gërdecin, Etj, etj,. Jetojmë në botën dixhitale, ku e pamundura është vetëm një klikim larg, atë botë që e adhuron qytetari dixhital. Megjithëse jo më pak e përdor me efiçencë makiavelike edhe Z. Edvin K. Rama, i cili pak kohë më parë i kërkoi inteligjencës artificiale një portret politik të Z. Berisha. I ftohët nga ndjenjat u çfaq rezultati, Saliu midis Ilirit dhe Fatmirit. AI sugjeron: miqtë mbaji afër, armiqtë akoma më afër.

Z. Gazmend Bardhi, armiku-mik i Z Berisha udhëtoi pak kohë më parë në Uashington. Fotoja e Z. Berisha mes Z. Meta dhe Z, Mediu, bie në duart e Sekretarit të Shtetit. E padenjë, vrastare. Saliu mes Fatmirit dhe Ilirit si Jezu Krishti në kryq mes dy banditëve ordiner. Urdhëri përcillet te Z. Edvin. Të lirohet Berisha nga kati i tetë si i burgosur poltik. Bota njeh vetëm një të ringjallur. Nuk i duhet një i dytë. Edvini fërkon duart. Z.Bardhi si balerin i heshtur shton dilemat e Saliut. Të tjera bën të tjera thua. Sovranistët në apogjeun e lumturisë. Kur i pamë edhe në valle, ku “rastësisht” dëgjohet muzika e këngës për Saliun, nuk mund të mos pyesësh: Të gjorët, hall i madh i ka zënë? Çfarë presin? Pse shtiren kaq shëmtuar? Të mos kenë kaq respekt për veten?

Vuajnë nga egoja, kariera, pasurimi, lavdia deri në vet-mohim? Një teatër absurd ku luhet vetëm për interes personal. Sovranizmin e kanë si strehën e maskarenjve. Marrin formën e enës ku gjënden. Dëshpërimisht nën ankthin e pritjes të heqjes së nofkës. Ja p.sh. ia hoqën. A e bën heqja betejen mesjetare, betejë të denjë për një vënd demokratik, po të vrarët nga shteti më 21 Janar i risjell në jetë? Nuk çbëhet e kaluara. Këta presin tani, në perëndim të gjithëçkaje Z. Berisha të përmbushë shpresat e tyre antikomuniste. Se çfarë dreqin duan që vazhdojnë të mblidhen akoma me Saliun nëpër takime ku vazhdon “gërneta” e shpërblimit të të persekutuarit, ata e dinë. Mirë ish të persekutuarit e vobektë. Po këta intelektualë pdistë që tundin flamurin e të persekutuarit, pse nuk shkëputen dot nga persekutori? Duhet t’ua kujtojmë se historia nuk vlerëson heshtjen. Përkundrazi.

Mendoj se duke nisur nga viti 2013 me Lulin në krye dhe Berishën në shpirtrat e tyre të shtrëmbëruar u bë shumë gjatë që idiotët e dobishëm presin. Erërat e oqeanit nuk po fryjnë në drejtimin e duhur për Odisenë e tyre të cfilitur. Pritjet e gjata prekin progresivisht shëndetin mendor. Një mjeku i ndodh shpesh që, përpara një personi në dëshpërim apo depresion të avancuar, të kërkoj te ai nëse egzistojnë si shkak, pritshmëri të paplotësuara në jetën e këtij personi, Apo ndoshta përjetime të zgjidhjes së pritshmërive të tyre sipas të “të menduarit magjik në moshën fëminore?. Mjekët ose psikologët janë të familjarizuar me shprehjen:“Pritjet anksioze janë pakënaqësi të paramenduara”, të cilat fillojnë dhe hedhin rrënjë në psikologjinë e njeriut në fëmijërinë e hershme të tij.

Pritshmëritë e paplotësuara në fëmijëri jetojnë brënda fëmijës, bëjnë jetën e tyre, rriten bashkë me fëmijën dhe në moshë madhore, si një kafshë agresive ekspozohen ose shpërthejnë në format e tyre më të vrazhdëta. Pikërisht ngaqë fëmijëria e hershme është shumë e rëndësishme për shëndetin mendor të fëmijve, sot po mbyllet tik-toku në shumë vënde të botës. Deri tani vetëm një demagog, “lideri i rrëmujës” ka dalë kundër mbylljes në Europë.

Fëmijët e vegjël kanë vështirësi të bëjnë dallimin midis botës reale në të cilën jetojmë dhe asaj subjektive, e cila jeton në fantazinë e tyre.

P. sh. fëmija duke ëndërruar dhe uruar shumë me veten e vet për të pasur një biçikletë për ditëlindjen që po afron, ose gjithfarë lodrash të tjera, në pritje të tyre sipas premtimit, fillon të bjerë të flejë dhe të zgjohet me mendimin se biçikletën apo diçka tjetër e ka tashmë të marrë. Fillon të “notojë” në magjinë e pritshmërisë. Mirëpo ndodh që për arsye nga më të ndryshmet pritshmëria mbetet një ëndërr e paplotësuar, pa rezultat konkret. Çfaqen simptoma të ADHD. Magjira ose ëndrra fluturuese të pa plotësuara. Te të rriturit njihen me emrin “profeci vetëpërmbushëse”, ose ato që “autori Popull” i quan “ëndrra me sy hapur”, ose nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë. Emocionet e pashprehura të pritjeve të paplotësuara nuk do të vdesin kurrë. Ato varrosen të gjalla dhe do të dalin më vonë në mënyra nga më të shëmtuara.

Situatat jetësore me drama toksike familjrae, me ankth pritjeje të zgjatur të pafinalizuar, depresionet me shkaqe të ndryshme, shtyjnë mendimet tona që të tërheqin ngjarje në jetën tonë. na i afrojnë ato, dhe nuk është një hap i largët për t’u formësuar si një ankth pritjeje – besimi i fortë se diçka do të ndodhë. Është e dëshmuar me të dhëna shkencore se ata fëmijë që rrihen do të jenë rrahësa më të ashpër për të tjerë, ata që frikësohen do të jenë frikësues më intens për të tjerët, ata që poshtërohen do të ushtrojnë poshtërime më të egra mbi të tjerët dhe ata që u vriten shpirtrat do të vrasin pamëshirshëm të tjerët. Fëmija i rritur Sali Berisha, në krye të shtetit i ka rrahur shqiptarët sa ka dashur, jo i ka frikësuar por tmerruar, i ka poshtëruar qoftë si individë, qoftë në nivel familjeje dhe si shoqëri, ua ka vrarë arsyen dhe shtrëmbëruar shpirtin sa herë ka pasur mundësi. Historia jonë e pas vitit 1990 dëshmoi vërtetësinë e thënies se mënyra më e shkurtër për të shkatërruar një vend është t’u japësh pushtet demagogëve.

Duke mbajtur mirë parasysh se kujtimi i poshtërimit lë një gjurmë të thellë tek individi dhe rijetimi i vazhdueshëm i emocioneve të poshtërimit i motivon individët që të hakmerren le të kujtojmë se poshtërimi është bomba atomike e emocioneve njerëzore. E njëjta gjë ndodh me popujt. Gjermanët hakmarrës pas poshtërimit në Versajë, etj,.. Krizat që prodhohen brënda grupimeve apo kategorive shoqërore brënda një vëndi u japin demagogëve mundësi ideale që, të vijnë në krye të kombit si dalëzotës hakmarrës të pamëshirshëm ndaj poshtërimeve të pësuaranga grupet kundërshtare. Rasti Trump ilustrimi më domethënës. Kizingeri porosiste: “Kujdes me Rusinë, nuk duhet poshtëruar”. Ne jetojmë në të njëjtin planet ku distanca midis urtësisë dhe marrëzisë është vetëm “një çast”.

E ashtuquajtura “kontratë e Sali Berishës dhe e PD-së me popullin është bërë e papërdorshme përfundimisht në vitin 2013. U kthyen në helmues si ilaçet e skaduara.

#Kujdes #njeriun #poshtëruar
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button