Aktualitet

Një Evropë e re –

Nga Veton Surroi

Presidenti Trump ka vendosur që të provojë shansin e vet për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Ky shans, sikur çdo shans paraprak, do të dështojë. Por ky dështim ka një të mirë. Jemi dëshmitarë të lindjes së një Evrope të re. Një Evrope e cila më në fund kupton se nuk ka nevojë të jetë xhuxh gjeopolitik

“Televizionet do të kënaqen me këtë material” – ishte komenti i Trumpit, pas takimit të paprecedent me presidentin Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Ky koment instinktiv i Trumpit reflektoi mendësinë qeverisëse të Trumpit. Si dishepull i showbiz-it dhe reality show-it, për të çdo gjë është spektakël. E vetmja gjë që ka rëndësi është a ke vëmendje? Dhe javën e kaluar Trumpi fitoi vëmendjen e gjithë botës.

Ajo çfarë pamë javën e kaluar nuk ishte incident i izoluar apo thjesht një takim që shkoi keq, ajo ishte pasojë e disa shkaqeve strukturore, të cilat janë vënë në lëvizje që nga rënia e Murit të Berlinit.

Ekzistenca e Bashkimit Sovjetik ka qenë raison d’être për unifikimin e botës perëndimore për rreth lidershipit global dhe fuqisë së pakontestueshme amerikane. Në shkëmbim të mbrojtjes së kontinentit evropian, por edhe rendit demokratik global, vendet evropiane janë bashkuar rreth gardianit të saj – Amerikës.

Me rënien e murit të Berlinin kolapsoi edhe ky konsensus transatlantik. Që nga ajo kohë filloi hendeku konceptual mes Evropës dhe Amerikës për rendin e gjërave në botë. Episod pas episodi, Amerika filloi të gjejë vetën të vetmuar në angazhimet e saj ndërkombëtare. Nga Panamaja e Haiti e deri tek Iraku dhe Afganistani, evropianët jo vetëm që nuk iu bashkuan Amerikës, por filluan të kundërshtojnë aktivisht veprimet e saj në botë. Përkundër insistimit amerikan, vendet evropiane po ashtu ndoqën një kurs përafrimi me Rusinë i cili do të duhej të shërbente si akt balancimi të Evropës ndërmjet Amerikës dhe Rusisë. Duke besuar se “fuqia e butë” mund të zëvendësojë “fuqinë e forcës”, ata besuan se duke integruar vendet sikur Rusia dhe Kina në tregun global ndërkombëtar, ato ngadalë do të demokratizohen dhe do t’i bashkohen klubit të demokracive. Kjo ishte një strategji e ndërtuar nga pozita e dobësisë. Kësisoj, nga çështjet e sigurisë e deri te çështjet e ngrohjes globale apo ekonomike, Amerika dhe Evropa prej vitesh jetojnë në planete të ndryshme. Konsensusi transatlantik i cili kolapsoi me rënien e Berlinit nuk u rindërtua asnjëherë.

Ky hendek në botëkuptimet mes Amerikës dhe Evropës pati ditët e veta të mira dhe të këqija në varësi prej administratave të ndryshme amerikane, por ai u ekspozua në tërësinë e tij vetëm pasi u sfidua nga një krizë e vërtetë sigurie në kontinentin evropian. Pushtimi rus i Ukrainës ishte ai moment. Pushtimi ilustroi se sa e gabuar ishte politika afatgjate evropiane se “fuqia e butë” mund të zëvendësojë “fuqinë e forcës” dhe shpresa se Rusia, nën Putinin, mund të integrohet në rendin demokratik perëndimor. Mungesa e kapaciteteve themelore ushtarake evropiane për të ndihmuar Ukrainën e la mbrojtjen e Ukrainës pothuaj në tërësi në mëshirën amerikane. Kjo është edhe arsyeja përse edhe anti-Trumpistët më të ashpër ia pranojnë Trumpit kritikën që i bën Evropës për mosinvestimin në buxhetet ushtarake. Evropa nuk ka qenë e dënuar të jetë xhuxh gjeopolitik. Ajo ka zgjedhur këtë fat. Në një histori alternative, Evropa ka mundur të krijojë kapacitetet e pavarura ushtarake, të cilat do të ishin të afta të ndalin pushtimin rus të Ukrainës, pa ndihmën amerikane. Por BE-ja nuk zgjodhi këtë fat dhe rrjedhimisht sot joserioziteti evropian për çështje ushtarake i siguroi Trumpit monopolin mbi dinamikat e pushtimit rus të Ukrainës.

Përveç këtyre shkaqeve strukturore, ajo që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë ishte edhe shpërfaqje e dallimeve të Trumpit dhe Zelenskyyt në qëllimet dhe rolet e palëve në procesin negociator.

Qëllimi i Trumpit është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë. Pushimi i luftës në Ukrainë është një element në kuadër të këtij qëllimi të përgjithshëm. Rrjedhimisht ai është gati të sakrifikojë çfarëdo që duhet sakrifikuar në rastin e Ukrainës me qëllim të arritjes së një qëllimi më të lartë: normalizimi i marrëdhënieve me Rusinë. Ai beson se arritja e një gjëje të tillë jo vetëm së do të ndalë luftën dhe do të projektojë Trumpin si burrështetas i paqes, por do të ndihmoj në stabilizim e tregjeve globale dhe uljen e çmimeve – faktor i rëndësishëm për Trumpin dhe audiencën e brendshme amerikane. Nga ana tjetër qëllimi i Zelenskyyt është arritja e një armëpushimi të drejtë për Ukrainën, i cili do të sigurojë mbrojtje afatgjate të Ukrainës nga ana e Rusisë.

Nga kjo rrjedhin edhe dallimet e Trumpit dhe Zelenskyyt në rolet që palët kanë në kuadër të procesit negociator. Sot Trumpi sheh botë nga prizmi i “fuqive të mëdha” të kohës së Jaltës. Rrjedhimisht, ai sheh vetëm Putinin si të denjë dhe të barabartë për të zhvilluar negociatat e paqes. Zelenskyy, apo edhe liderët e tjerë evropianë, janë akterë të rangut dytësor. Nga këtu vjen edhe komenti i Trumpit drejtuar Zelenskyyt që “ti nuk ke karta në dorë”.

Sidoqoftë, duhet thënë se këto nuk janë dallimet që nuk mund të tejkalohen. Po ashtu duhet pranuar që Zelenskyy nuk menaxhoi mirë takimin me Trumpin. Ai u tregua emocional dhe lejoi që dallimet private ndërmjet tij dhe Trumpit te shpërfaqen në publik. Ky ishte dështim në anën e tij. Por kjo është tani histori. Menjëherë pas takimit, të dy liderët kanë bërë të qartë se janë gati të ecin përpara dhe të vazhdojnë angazhimet e përbashkëta për të arritur armëpushimin. Presidenti Trump ka vendosur që të provojë shansin e vet për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë. Ky shans, sikur çdo shans paraprak, do të dështojë. Por ky dështim ka një të mirë. Presioni i Trumpit ka vendosur Evropën në lëvizje si asnjëherë më parë. BE-ja tanimë njoftoi për fond të ri ushtarak prej 150 miliardë eurosh, ndërsa kancelari në ardhje i Gjermanisë paralajmëroi se do të bëjë çdo gjë për ta siguruar mbrojtjen e Evropës. Një qasje e këtillë do t’i lejojë BE-së që të ndërtojë raport shumë më kuptimplotë me SHBA-në nga një pozicion i fuqisë. Dhe po ashtu do t’i lejojë që të ballafaqohet me Rusinë në terma shumë më seriozë. Thënë ndryshe jemi dëshmitarë të lindjes së një Evrope të re. Një Evrope e cila më në fund kupton se nuk ka nevojë të jetë xhuxh gjeopolitik. /Koha.net/

#Një #Evropë
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button