“Shtrëngohen” kreditë familjare, kritere më të forta për të frenuar abuzimet me mikrokreditë –

Zbatimi i disa masave kufizuese dhe mbrojtëse kundrejt kredimarrësve ka bërë që të rritet me 10 deri në 15% refuzimi i aplikimeve për hua në institucionet e mikrofinancës. Të dhënat në këtë fillim viti flasin se në 100 aplikime, miratimi është në nivelet 45-50%, nga 65% që ishte në janar të vitit të kaluar.
“Dëshira për të miratuar më shumë aplikime është e moderuar. Miratimet e kredive janë afektuar me të paktën 10-15%, si në numër, ashtu edhe në vëllim krahasuar me janarin e vitit 2024. Ky është një trend që pritej pas masave që vendosi Banka e Shqipërisë”, sqaroi Brunilda Isaj nga Shoqata e Mikrofinancës.
Por, ecuria e këtij trendi është ende herët për tu përcaktuar se si do të vijojë. Ajo që nuk ka ndryshuar është kërkesa e lartë për kredi që kanë nevojë individët dhe familjet.
Sa i përket vlerave 200-500 mijë lekë kredi, ato merren për investime familjare, ku përfshihen mobilimi, blerja e pajisjeve elektroshtëpiake etj. Ajo që vlen për tu theksuar është fakti se kërkesa për kredi të vogla nën 200 mijë lekë është shumë e lartë. Individët që kërkojnë janë ata që janë mësuar të kenë një kredi për të përballuar shpenzimet e tyre mujore”, deklaroi Isaj.
Nga ky vit, disa rregulla më mbrojtëse ndaj qytetarëve kredimarrës hyjnë në fuqi, të cilat në thelb tentojnë të kufizojnë dhënien e kredive të shpejta. Ndaj tyre është rritur filtri i kontrollit, çka nënkupton që kredia të aprovohet vetëm për ata që kanë mundësi ta përballojnë.
#Shtrëngohen #kreditë #familjare #kritere #më #të #forta #për #të #frenuar #abuzimet #mikrokreditë
Java News