Sport

Asnjë presion e frikë nga Linfield, Memelli sfidon nga Belfasti: “Vllaznia hyn në fushën e lojës për të fituar”

“Përpos emocioneve, ajo që vlerësojmë është përgatitja e madhe që ka bërë skuadra në këto 30 ditë. Djemtë kanë pasur një përkushtim të një niveli të lartë. E parë kjo në këndvështrimin tonë, nesër besojmë se do të bëjmë një performancë shumë të mirë”. Migen Memelli, nga Belfasti, jep përshtypjet e para si trajner i Vllaznisë, në vigjilje të sfidës me Linfield, në vajtjen e raundit të parë të Conference League. Tekniku do të bëjë debutimin pikërisht në kupat e Europës, larg tifozëve të tij. “Nuk ndjej presion në debutimin me Vllazninë – vazhdoi Memelli -. Si lojtar i kam kaluar këto lloj etapash, tani si trajner besoj se të gjithë kundërshtarët janë të njëjtë. Duke qenë se kjo ndeshje ka një rëndësi tjetër, është vlerë e shtuar që për të kaluar këtë skuadër. Kështu, çdo gjë përmirësohet, në nivel klubi, financash dhe të gjitha”.

NJOHJA PËR LINFIELD

Lienfield nuk është një kundërshtar i lehtë, por Vllaznia është munduar të kuptojë sistemin e lojës së tyre. Irlandezo-veriorët janë një skuadër fizike dhe Memelli ka punuar në këtë drejtim: “Kundërshtarin e njohim, por duhet pasur parasysh që ndeshja e parë është një fillim i mirë për të shkuar pastaj te ndeshja e dytë. Kemi punuar shumë në terren. Kundërshtari është i fortë siç e thashë, nuk dua të zbuloj më tepër. Ajo çfarë kam parë te djemtë është përkushtimi i tyre. E nisur nga ky fakt, besoj që çdo gjë do të shkoj mirë në fushën e lojës”.

PRESION IRLANDEZO-VERIORËVE

Sezonin e kaluar kuqeblutë e nisën nga raundi i dytë, duke u eliminuar nga Universitatea Craiova. Tani, historia nis nga raundi i parë. Ambicja është kalimi i raundit, që mbi të gjitha ka vlerë financiare, aq të domosdoshme për klubet tona: “Pritshmëria është e madhe si nga ne, drejtuesit, por edhe nga tifozët e Vllanizë. Sot këtu nuk përfaqësojmë vetëm Vllazninë, por gjithë Shqipërinë. Nesër shpresoj të bëjmë një paraqitje sa më të denjë për të gjithë bashkë – tha Memelli, që në fund rriti dozën -. Vllaznia hyn në fushën e lojës për të fituar. Ne do të bëjmë gjithçka në forcën tonë, për të marrë maksimumin nga kjo ndeshje duke qenë se është e para. Por gjithmonë me kujdesin për t’i bërë gjërat mirë dhe pa u nxituar në fushën e lojës”.


#Asnjë #presion #frikë #nga #Linfield #Memelli #sfidon #nga #Belfasti #Vllaznia #hyn #në #fushën #lojës #për #të #fituar

Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button