Aktualitet

Pikëpyetjet e Kosovës 17-vjeçare, përballë Ukrainës 34 vjeçare –

Prej çlirimit të saj në vitin 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 2008, rreth Kosovës dhe të ardhmes së saj, nuk ka pasur kurrë më shumë se sot dilema për konsolidimin e shtetit të saj. Dhe kjo jo vetëm për faj të Kosovës.

Ndryshimet e fundit në Shtëpinë e Bardhë dhe mënyra se si po përpiqen të zgjidhin konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, apo atë mes Izraelit dhe Palestinës, janë një kambanë alarmi për Kosovën.

Deri më sot SHBA ka qenë jo vetëm garanti i pavarësisë së Kosovës, por edhe udhërrëfyesi i saj ndërkombëtar, konsulenti i saj për çdo njohje ndërkombëtare dhe qëndrim ndërkombëtar i saj.

Raportet e përkeqësuara të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe SHBA gjatë këtyre katër viteve kanë shtuar indiferencën e Perëndimit ndaj Kosovës. Sanksionet në thelb të padrejta të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nisën si një ndëshkim për Albin Kurtin dhe mbetën si një problem për Kosovën. Tani ka më shumë vende që nuk duan që ato të hiqen, se sa kishte edhe që donin të vendoseshin kur u vendosën.

Po ashtu, përplasjet online të Albin Kurtit me Richard Grenell, dhe gjuha toskike e pushtetit politik të Kosovës ndaj personave të pushtetit të ri në SHBA, janë një problem më vete që e izolojnë më tej Kosovën dhe e lënë pa miq të mëdhenj.

Kosova është para disa pikëpyetjeve të mëdha për të cilat nuk është koha të bëhet gjyq se kush është përgjegjës.

Leksionet e Albin Kurtit ndaj Perëndimit dhe muhabetet e tij nëpër oda se si do ta mbrojë Kosovën apo të bëjë atë fabrikën e muncioneve, janë një qasje folklorike ndaj pasigurisë globale që mund të rrezikojë Kosovën.

Siç e thonë edhe njohësit më të mirë të situatës ndërkombëtare, Kosova sot është shteti më i rrezikuar në Evropë, për shkak se Rusia mund ta targetojë atë si pikën e re të luftës në Ballkan dhe për këtë, Kosovës nuk i bën punë ajo fabrika e re e muncioneve, por edhe politika që i garanton asaj mbështetjen e NATO-së dhe SHBA-së. Vetëm aleanca me ushtrinë më të madhe të botës është siguria që Kosova nuk preket.

E di mirë flakën që nxjerrin nga goja “patriotët” në këto raste, por për të gjithë ata që mendojnë se janë të fortë, janë patriotë dhe lufëtarë të mëdhenj, le të kthejnë kokën nga Ukraina, ku ka tre vite që luftohet për të mbrojtur pragun e shtëpisë, dhe në fund nuk po i thërrasin as në tryezën e bisedimeve, por po i çojnë vetëm faturat e të vrarëve dhe vlerësimin paraprak të pasurive nënëtokësore.

Ndaj është urgjente që Kosova të vazhdojë sa më shpejt në formimin e një qeverie përfaqësuese për Kosovën, që të jetë e aftë të marrë vendime të mëdha, që të tërheqë vëmendjen e Perëndimit ndaj tyre dhe të mos e trajtojnë si një shtet të bezdisëshëm, me të cilin nuk duan të merren.

Në situata të tilla, një koalicion i madh me mbështetje të të gjithë partive, dhe me një kryeministër mbi palët që nuk përfaqësojnë urrejtjen politike të Kosovës, do të ishte ndoshta një zgjedhje më serioze, derisa të kalojë vala goditëse e këtij ndryshimi të madh që po ndodh në botë.

Ashtu si Kosova u bë shtet falë demokracisë liberale të viteve ’90, ku SHBA dhe Evropa ishin të gatshme dhe bombardonin për të drejtat e njeriut, po ashtu sot Kosova mund të jetë viktimë e fundit e epokës së demokracisë liberale dhe fillimit të qeverisjes së botës nga logjika e forcës.

Është koha për një vendim të përgjegjshëm që zhduk luftën mes “patriotëve dhe tradhtarëve” brenda Kosovës, për t’u përfaqësuar me një zë dhe me një vendimmarrje kombëtare, që e shpëton Kosovën nga goditjet që mund të marrë mes të tjerash dhe për shkak të Albin Kurtit apo betejave të tij nervëngritëse me Perëndimin.

Ata që më pastaj mendojnë se e vetmja pasuri kombëtare në Kosovë është Albin Kurti, jam i gatshëm t’ju them se nuk ua blen askush, madje nuk ua merr askush, as falas.

#Pikëpyetjet #Kosovës #17vjeçare #përballë #Ukrainës #vjeçare
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button