Aktualitet

Lefter Koka shfaqet për herë të parë në gjyq, mohon akuzën e shpërdorimit të detyrës

Prej orës 09:00 në Gjykatën për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Lefter Koka nëpërmjet avokatëve mbrojtës po lexon konkluzionet përfundimtare për inceneratorin e Elbasanit. SPAK ka kërkuar 10 vite burg për Kokën që me aplikim të gjykimit të shkurtuar nëse shpallet fajtor, do të dënohet me 6.8 vite burg.

Ish-ministri i Mjedisit është vetë i pranishëm për herë të parë në këtë gjykim dhe pas leximit të konkluzioneve të avokatit mbrojtës, pritet të pyetet edhe ai. Në pjesën e parë të mbrojtjes, Lefter Koka është përqendruar tek akuza e shpërdorimit të detyrës, duke ia kaluar përgjegjësinë Këshillit të Ministrave.

Avokati i tij pretendoi se në lidhje me inceneratorin e Elbasanit, i është kërkuar mendim katër ministrive, Financave, Ekonomisë dhe Energjetikës, Mjedisit dhe Drejtësisë.

“Gjatë kohës që janë bërë negociata me kompanitë e inceneratorit klienti im ka qenë jashtë vendit. Sa i përket procedurës së bërë me negocim pa shpallje, është bërë në kuadër të emergjencës mjedisore të shpallur nga Bashkia e Elbasanit. Në komisionet e ngritura, nuk ishte e përfshirë vetëm Ministria e Mjedisit, por kishte përfaqësues edhe nga ministritë e tjera. Në lidhje me këtë procedim janë pyetur 87 persona, janë vënë 33 numra në përgjim, 8 pajisje pc të Klodian Zotos janë sekuestruar, 11 institucione bankare, dy pajisje pc brenda kantinës së verës, nga të cilat nuk ka dalë asnjë provë direkte që e implikon z. Koka me akuzat”.-tha avokati.

Më 18 maj, Prokuroria e Posaçme paraqiti në gjykatë pretencën ndaj të akuzuarve për incineratorin e Elbasanit. Organi i akuzës ka kërkuar nga dhjetë vjet burg për Lefter Kokën, Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton si dhe 4 vjet heqje lirie për ish deputetin Alqi Bllako.

Për shkak të gjykimit të shkurtuar të pandehurit përfitojnë uljen e një të tretës së dënimit në përfundim të procesit gjyqësor, duke u dënuar përkatësisht me 6.8 vjet heqje lirie për Kokën, Mërtirin e Zoton dhe 2.8 vjet burg për Alqi Bllakon.

Dënime me nga 4 vjet u kërkuan edhe për ish-zyrtarët e tjerë të akuzuar si ish anëtarë të komisioneve të tenderit të incineratorit. Në pretencën e prokurorisë u kërkua edhe konfiskimi i dy kompanive ‘AlbTech’ dhe ‘Integrated Technology SHPK’ si dhe i 8 apartamenteve. SPAK kërkoi që ish ministrit Lefter Koka ti konfiskohen 3 pasuri përfshirë kantinën në Durrës ndërsa avokatët do të flasin më 1 qershor.

Lefter Koka shfaqet për herë të parë në gjyq, mohon akuzën e shpërdorimit të detyrës

Pretenca e SPAK për të akuzuarit
Lefter Koka 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallaj 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)

/a.r

#Lefter #Koka #shfaqet #për #herë #të #parë #në #gjyq #mohon #akuzën #shpërdorimit #të #detyrës

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button