Si ka vijuar ecuria vjetore e remitancave? Efektet në ekonomi të rënies së euros

Aktualisht, në tregun tonë të këmbimit euro këmbehet me 98.4 lekë, duke humbur më shumë se 10 lekë kundrejt vitit të kaluar dhe mbi 29 lekë në 6 vitet e fundit. Zhvlerësimi i euros është përshpejtuar veçanërisht pas vitit 2022.
Por pse është krijuar kjo situatë dhe ky zhbalancim i fortë mes monedhave në tregun e këmbimit?
Gjatë gjithë vitit, në treg ka pasur një ofertë të madhe monetare në euro. Thënë ndryshe, sasi të mëdha të kësaj valute, të gjeneruara nga turistët; investimet e huaja, remitancat ose dërgesat e emigrantët dhe burimet informale. Ndërkohë që oferta monetare në lek, thënë ndryshe sasia e lekut në qarkullim për të balancuar euron e tepërt, ka qenë e paktë. Kjo për shkak të mosshpërndarjes së suficitit të të ardhurave gjatë vitit, por vetëm në dhjetor nga qeveria dhe së dyti, nga konsumi i dobët.
Euro është monedha e dytë më e përdorur në vendin tonë pas lekut. Kjo do të thotë se zhvlerësimi ka humbësit dhe përfituesit e vet.
Nga një euro e dobët humbasin të gjithë ata që kanë të ardhura në këtë monedhë, përfshi familjet që marrin para nga të afërmit emigrantë. Humbasin depozituesit në këtë monedhë dhe eksportuesit, që aktivitetin e kanë në euro dhe shpenzimet në lek.
Ndërkohë që përfitojnë ata që kanë kredi në euro, pasi do të paguajnë më pak për këstet mujorë; importuesit që i blejnë më lirë mallrat dhe produktet, si dhe qeveria që do të paguajë më pak për borxhin e jashtëm.
Banka e Shqipërisë është institucioni që mbikëqyr tregun e këmbimit, edhe pse ky treg me ligj i nënshtrohet një regjimi të lirë.
#vijuar #ecuria #vjetore #remitancave #Efektet #në #ekonomi #të #rënies #së #euros
JavaNews