Aktualitet

Protesta e gjashtë para Kryeministrisë, pensionistët kërkojnë më shumë lekë, përcaktimin e minimumit jetik

Pensionistët zhvilluan protestën e gjashtë para Kryeministrisë. Ata kërkojnë rritjen e pensioneve dhe përcaktimin e minimumit jetik. Në prag të festave të fundvitit, pensionistët shprehen se janë në pamundësi ekonomike për të festuar.

Për të gjashtën herë, pensionistët dhe aktivistë të partisë “Lëvizja Bashkë” kanë protestuar para Kryeministrisë. Kërkesat kryesore janë dy: përcaktimi i minimumit jetik dhe rritja e pensioneve.

“Duam ngritje pensioni. Kam punuar 35 vjet në arsim dhe të marrësh 190 euro pension është turp, si me u katandis kështu”, thotë njëri prej tyre. “Mos jeni ju të rinjtë, ne ngordhim për bukë. Ky insistim është për të mirën tonë”, thotë një tjetër.

Në protestë nuk munguan as të rinjtë, pa ndihmën financiare të të cilëve pensionistët shprehen se nuk mund të blejnë as ushqimet e shportës. “Është një e drejtë bazike. Dal për prindërit e mi si dhe për të gjithë bashkëmoshatarët. Është protesta e 6-të dhe ne nuk kemi parë asnjë përgjigje nga institucionet”, thotë njëra prej tyre.

Në prag të festave të fundvitit, pensionistët theksojnë se janë në pamundësi ekonomike për të festuar, pasi pjesën e bonusit do ta shpenzojnë për ilaçe, pohojnë ata. “Ne vetëm për ilaçe nuk na del. Nuk e festojmë. Po mos të jenë kalamajtë, nuk festojmë kurrë”, thotë një pensionist. “Çfarë të festojmë? Ne nuk kemi bazën ushqimore”, thotë një tjetër.

Statusi i minatorit është një tjetër kërkesë që pensionistët parashtruan në tubimin e tyre para Kryeministrisë. Ata u shprehën se protesta do të vijojë.

/a.r

#Protesta #gjashtë #para #Kryeministrisë #pensionistët #kërkojnë #më #shumë #lekë #përcaktimin #minimumit #jetik
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button