Plagosja e 60-vjeçares në Lushnje, arrestohen porositësi dhe ekzekutori i tentativës për vrasje

Policia e Lushnjë ka zbardhur një tentativë vrasjeje të ndodhur 3 muaj më parë në fshatin Ballagat, duke vënë në pranga dy persona. Pas një hetimi tremujor, të kryer me metoda speciale, operacioni policor i koduar “Pasoja e padëshiruar”, çoi në pranga porositësin dhe ekzekutorin e tentativës për të vrarë me armë zjarri, për motive gjakmarrjeje, një 22-vjeçar.
Nga të shtënat mbeti e plagosur halla e 22-vjeçarit, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me të, në momentin e të shtënave.
Njoftimi i Policisë Lushnje
Si rezultat i provave të siguruara në kuadër të këtij operacioni, u bë e mundur zbardhja e plotë e një tentative për vrasje, e ndodhur më datë 30.03.2023, në fshatin Ballagat, si dhe kapja dhe vënia në pranga e shtetasve M. M., 28 vjeç dhe L. H., 30 vjeç, të dy banues në Ballagat, Lushnjë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, rezultoi se shtetasi L. H. ka paguar shtetasin M. M., për të vrarë për motive gjakmarrjeje, shtetasin M. H, 22 vjeç (babai i shtetasit M. H. akuzohet për vrasjen e vëllait të shtetasit L. H.) Për të përmbushur porosinë e marrë, shtetasi M. M. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin qarkullonin shtetasi M. H. dhe halla e tij, shtetasja B. S., 60 vjeçe. Nga të shtënat ka mbetur e dëmtuar në këmbë, 60-vjeçarja.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.
Në Lushnjë, gjatë operacionit”Pasoja e padëshiruar” u ndaluan shtetasit Mariglen Matjani dhe Laert Hasalla.
/a.r
#Plagosja #60vjeçares #në #Lushnje #arrestohen #porositësi #dhe #ekzekutori #tentativës #për #vrasje