Socca World Cup 2024, Shqipëria arrin fitoren e dytë në grup, mund Letoninë 2-1 –

Kombëtarja shqiptare e minifutbollit luajti sot ndeshjen e tretë në grupin F të Socca World Cup 2024 ndaj Letonisë. Kuqezinjtë siguruan fitoren e dytë në grup, pasi triumfuan në këtë takim me rezultatin 2-1. Golat e fitores për kuqezinjtë i shënuan Giovanni Hoxha dhe Erald Leci. Trajneri Irtan Sejko e nisi me këtë formacion titullar ndeshjen ndaj Letonisë: Kejd Myrta (GK), Joanc Duqi, Endrit Kaca, Mehmet Hoxha, Erald Leci dhe Giovanni Hoxha.
Shqipëria mori avantazhin në minutën e 15-të me Giovanni Hoxhën. Nga goditja e dënimit, Kaca pasoi për Hoxhën, i cili me një goditje spektakolare zhbllokoi rezultatin. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për kuqezinjtë. Fraksioni i dytë nuk nisi mirë për Shqipërinë. Letonia vendosi baraspeshën në minutën e 23-të. Megjithatë, kuqezinjtë nuk u dorëzuan dhe u hodhën në kërkim të golit të dytë. Erald Leci në minutën e 29-të realizoi golin e fitores për Kombëtaren e minifutbollit. Futbollisti kuqezi mori mirë topin dhe u tregua i saktë përballë portierit. Djemtë administruan deri në fund fitoren dhe tani ngjiten në kuotën e gjashtë pikëve. Shqipëria do të luajë ndeshjen e fundit në grupin F më 5 dhjetor ndaj Meksikës, në orën 12:00. Në rast se Shqipëria do të renditet në dy vendet e para të grupit, do të kualifikohet më tej në raundin e 1/16-ave.
#Socca #World #Cup #Shqipëria #arrin #fitoren #dytë #në #grup #mund #Letoninë
SportExpress