Kremlini e akuzoi për përfshirje në rebelimin e Wagner, reagon Shtëpia e Bardhë: S’kemi lidhje me çështjet e brendshme ruse

Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se SHBA nuk ishte e përfshirë në rebelimin e Wagner në Rusi dhe se nuk merret me çështjet e brendshme ruse.
Kjo deklaratë vjen pas akuzave nga ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i cili tha se shërbimet speciale të vendit po hetojnë nëse vendet Perëndimore ishin të përfshira në rebelimin e Wagner.
“Shtetet e Bashkuara nuk u përfshinë dhe nuk do të përfshihen në këtë situatë. Kjo ishte një çështje e brendshme ruse”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adam Hodge.
Më herët, Lavrov në një intervistë për mediat ruse tha se megjithëse departamenti i tij nuk ishte i përfshirë në mbledhjen e provave të aktiviteteve të paligjshme, shërbimet ruse po shikonin mundësitë për ndërhyrjen e huaj.
I pyetur nëse Rusia ka prova se Perëndimi ose Ukraina ishin të përfshirë në këtë rebelim, Lavrov tha se “Unë jam duke punuar në një departament që nuk është i angazhuar në mbledhjen e provave për veprimet e paligjshme. Por ne kemi shërbime të tilla dhe ju siguroj, ata tashmë po e shqyrtojnë këtë çështje.”/m.j
#Kremlini #akuzoi #për #përfshirje #në #rebelimin #Wagner #reagon #Shtëpia #Bardhë #Skemi #lidhje #çështjet #brendshme #ruse