Aktualitet

Tryeza e parë për Dokumentin Analitik, ekspertët zbulojnë gjetjet dhe rekomandimet për integritetin e administratës publike

U zhvillua sot në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë, tryeza e hapur për debat publik për konsultimin e Dokumentit Analitik, me temë “Integriteti i Administratës Publike dhe Ofrimi i Shërbimeve Digjitale për parandalimin e Korrupsionit”. Qëllimi i kësaj tryeze dhe rreth 11 të tjerave të ngjashme që do të zhvillohen në ditët e ardhshme, është për konsultimin e draftit dhe finalizimin e Dokumentit Analitik.

Nën moderimin e z.Adrian Hackaj, drejtor i Kërkimeve në Institutin për Bashkëpunim dhe Zhvillim (CDI), morën pjesë në këtë tryezë përfaqësues nga institucionet shtetërore, agjencitë ligjzbatuese, institucionet e pavarura, shoqëria civile, universitetet publike e jopublike, komuniteti i biznesit, si dhe disa anëtarë të Komisionit të Posaçëm. Të pranishëm ishin gjithashtu edhe ekspertë dhe përfaqësues të huaj të atashuar pranë Komisionit nga: Delegacioni i BE-së, Ambasada Amerikane në Tiranë, Prezenca e OSBE-së, UNDP etj.

Fokusi i tryezës ishte prezantimi i gjetjeve kryesore nga grupi i ekspertëve dhe çështje të nevojshme për konsultim dhe debat publik lidhur me integritetin në administratën publike, me qëllim parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe shërbimet digjitale të ofruara prej saj.

Prezantimin e gjetjeve kryesore e bëri z. Geron Kamberi, nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG) dhe znj. Iris Aliaj, nga Qendra për Drejtësi Gjinore. Ndër të tjera, ekspertët vlerësojnë se analiza e situatës së etikës dhe integritetit të Administratës Publike në Shqipëri merr një vlerë të veçantë për të pasur një administratë në standardet europiane dhe e përkushtuar në shërbimin ndaj qytetarëve. Lidhur me gjetjet dhe problematikat për këtë çështje, ekspertët u shprehën për mungesën e një zinxhiri të qartë hapash, procedurash dhe afatesh kohore kur ka raste të shkeljeve të Kodit të Etikës dhe integritetit nga ana e zyrtarëve apo nëpunësve publikë, apo në rastet kur denoncohen nga qytetarë, media dhe grupe interesi.

Ekspertët rekomanduan rishikimin e ligjit për rregullat e etikës në administratën publike, rishikimin e ligjit për konfliktin e interesin, krijimin e një kulture tjetër për rrjetin e sinjalizuesve dhe mbrojtjes së sinjalizuesve, etj. Lidhur me gjetjet dhe problematikat për pjesën e korrupsionit, ekspertët nënvizuan rëndësinë e ndërmarrjes së mekanizmave më të përshtatshëm për të siguruar transparencë, por dhe integritetin e institucioneve, në sektorët me risk të lartë. Ekspertët propozuan harmonizimin dhe njehsimin e legjislacionit për parandalimin e korrupsionit dhe integritetin e zyrtarëve të lartë publikë, përmes njëtrajtësimit të procedurave dhe autoriteteve zbatuese, duke sugjeruar pasjen e një Kodi të Integritetit publik. Njëkohësisht, sipas ekspertëve, nevojitet plotësimi dhe rishikimi i kuadrit rregullator i veprimtarisë së administratës qëndrore dhe vendore për konfliktin e interesit, në përputhje me standardet e BE-së, krijimin e një regjistri për shkeljet e evidentuara nga nëpunësit publikë, etj.

Përfaqësuesi i Delegacionit të OSBE-së, z.Aleksandar Maskovic, ofroi mbështetje me ekspertizën e nevojshme për rishikimin legjislacionit, në rast se lind nevoja. Më pas pjesëmarrësit ngritën pyetje lidhur me problematikat që shfaq metodologjia e zbatimit, nevojën për një analizë postlegjislative, etj.

Paneli i dytë me temë “Ofrimi i shërbimeve digjitale” u drejtua nga Prof. Dr. Migena Leskoviku, Instituti i Studimeve Evropiane (ISE), Universiteti i Tiranës. Gjatë prezantimit znj.Leskoviku paraqiti një analizë të reformës së thellë që ka ndërmarrë vendi për modernizimin e ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët dhe biznesin përmes e-Albania, ndryshimin që ka sjellë në perceptimin e qytetarëve në lidhje me komunikimin me institucionet shtetërore, si dhe vlerësimin që ka marrë kjo qasje ndaj digjitalizimit të shërbimeve nga organizatat ndërkombëtare si: OKB, BE, OECD/SIGMA.

Pavarësisht përpjekjeve për të përmirësuar kapacitetet e burimeve njerëzore, ekspertët vlerësojnë se mbetet një hendek në përgatitjen e plotë të administratës për të përdorur teknologjinë e re dhe rekomanduan disa zgjidhje dhe drejtimet ku mund të ndërhyhet.

Ndër të tjera ekspertja sugjeroi konsolidimin e kuadrit ligjor për shërbimet digjitale, sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e të dhënave dhe harmonizimi i tij i plotë me legjislacionin e BE-së; garantimin e aksesit të barabartë në shërbimet digjitale dhe trajtim të barabartë për të gjithë, rritje të aksesit në shërbimet digjitale në tërësi dhe posaçërisht në zonat rurale; zgjerimin e ndërveprimit mes institucioneve publike dhe sektorit privat; Rritjen e investimeve në infrastrukturën digjitale dhe forcimi i kapaciteteve administrative; rritjen e ndërgjegjësimit për shërbimet online dhe edukimi digjital, etj.

Ekspertët iu përgjigjën pyetjeve për përfshirjen e inteligjencës artificiale në ofrimin e shërbimeve publike, aftësitë digjitale në administratën publike, referimet në vakumet institucionale dhe administrative të konstatuara për përafrimin me legjislacionin e BE-së, etj.

Në përfundim të takimit, deputetja dhe anëtarja e Komisionit të Posaçëm, znj. Milva Ekonomi tha se puna do të vijojë me tryeza të tjera dhe forumet e dialogut nëpër Shqipëri. Sipas saj në finale të këtij procesi do të kemi një Dokument Analitik më të përditësuar dhe një Plan Pune, i cili ka një kornizë monitorimi. Ekonomi iu bëri ftesë edhe organizatave të tjera të shoqërisë civile për të kontribuar në pasurimin dhe finalizimin e Dokumentit Analitik.

Ekspertët do të reflektojnë në këtë dokument edhe gjetje të Progres Raportit të fundit, i cili nuk ishte ende publik në kohën kur është punuar për draftin e parë. Faqja web e Komisionit të Posaçëm, ku janë publikuar tashmë përmbledhjet ekzekutive për shtyllën e parë, Mirëqeverisjen, është gjithashtu një hapësirë për gjithëpërfshirje të kujtdo që kërkon të kontribuojë në këtë proces. Diskutimin e plotë të kësaj tryeze e gjeni në galerinë e videove të publikuara në faqen e komisionit.

Tryeza e radhës me temë “Parandalimi i korrupsionit në sektorin privat dhe ndërtimi i një shoqërie me integritet përmes rolit të shoqërisë civile”, do të zhvillohet nesër, datë 5 nëntor, në orën 16:00 në Kuvend.

#Tryeza #parë #për #Dokumentin #Analitik #ekspertët #zbulojnë #gjetjet #dhe #rekomandimet #për #integritetin #administratës #publike
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button