Aktualitet

A do të ketë zgjedhje të parakohshme në Gjermani?

Shumica e gjermanëve janë për zgjedhje të parakohshme. Ata janë të pakënaqur me qeverinë. Pak para zgjedhjeve në SHBA, gjermanët preferojnë Harris.

Sipas sondazhit të ARD-Deutschlandtrend, gjermanët janë të pakënaqur me qeverinë e tanishme të partive SPD ,FDP dhe të Gjelbrit, e cila është në pushtet që nga 8 dhjetori 2021. Aktualisht janë rreth 85 për qind e gjermanëve të pakënaqur me performancën e qeverisë, ndërsa vetëm 14 për qind e vlerësojnë pozitivisht punën e këtij koalicioni.

ARD-Deutschlandtrend bën sondazhe të këtilla për punën e qeverisë federale që nga viti 1997. Sondazhi i tanishëm është më i keqi për qeverinë që nga qershori i vitit 2010 kur qeverisë CDU/CSU dhe FDP i besonin vetëm 12 për qind. Por edhe gjatë qeverisë SPD dhe të Gjelbërve, në 2003 dhe 2004, ka pasur një kënaqësi shumë të vogël të zgjedhësve me qeverinë (11 dhe 13 për qind).

Qeveria e Gerhard Schröderit e përfundoi mandatin e saj me zgjedhje të parakohshme në vitin 2005, kur CDU/CSU u futën në koalicion me SPD-në dhe erdhi në pushtet Angela Merkel. Ndërsa tani në fund të tetorit 2024, shumica e gjermanëve janë të mendimit se Gjermania duhet të shkojë në zgjedhje të parakoshme, sepse 54 për qind i mbështesin zgjedhjet e parakohshme. Vetëm 41 për qind e të anketuarve mendojnë se koalicioni do të mbijetojë deri në zgjedhjet e rregullta në fund të shtatorit 2025.

Midis mbështetësve të partive SPD dhe të Gjelbërve në pushtet, shumica prej 77 dhe 76 për qind janë në favor të mbetjes së koalicionit deri në zgjedhje. Nga ana tjetër, pothuajse të gjithë mbështetësit e AfD (93 për qind) shpresojnë se qeveria do të bjerë dhe do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në mesin e mbështetësve të Unionit (CDU/CSU), i cili prej muajsh kryeson në sondazhe, 69 për qind dëshirojnë një fund të parakohshëm të qeverisë, ndërsa 75 për qind e të anketuarve në Aleancën Sara Wagenknecht janë pro.

Nëse do të kishte zgjedhje të dielën
Nëse zgjedhjet parlamentare federale do të mbaheshin këtë të dielë, Unioni konservator CDU dhe CSU, do të merrte 34 për qind të votave. SPD do të fitonte 16 për qind, të Gjelbërit 11 për qind, ndërsa FDP do të mbetej jashtë parlamentit, sepse do të fitonte vetëm katër për qind. AfD do të merrte 17 për qind ndërsa Aleanca e Sara Wagenknecht gjashtë për qind. Partitë e tjera do të merrnin gjithsej 12 për qind.

Kur bëhet fjalë për vlerësimet personale, kancelari Olaf Scholz aktualisht ka mbështetjen e vetëm 19 për qind të votuesve. Në krahasim me te, vlerësimi më i ulët i Gerhard Schröder ka qenë 24 për qind, ndërsa Angela Merkel nuk ka pasur kurrë mbështetje më të ulët se 40 për qind gjatë mandateve të saja.

Nga qeveria nuk pritet shumë
Unioni CDU/CSU ka aktualisht mbështetjen më të madhe që nga zgjedhjet e vitit 2021. Megjithatë, vetëm 23 për qind e gjermanëve besojnë se një qeveri e mundshme e Unionit CDU/CSU do t’i përballonte sfidat më mirë se qeveria aktuale. Ndërsa 16 për qind mendojnë se do të ishte madje edhe më keq. Rreth 53 për qind e të anketuarve mendojnë se do të njëjtë.

Në fushën e politikës ekonomike dhe fiskale, rreth 83 për qind e të anketuarve janë të pakënaqur me punën e koalicionit. Pakënaqësia drejtohet veçanërisht ndaj partive që drejtojnë ministritë përkatëse: FDP dhe të Gjelbërve.

Tre të katërtat e gjermanëve (73 për qind) janë të shqetësuar me situatën e tanishme ekonomike. Përveç kësaj, 44 për qind shqetësohen se nuk do të jenë në gjendje të ruajnë standardin e tyre të jetesës, ndërsa 18 për qind e punonjësve kanë frikë se mund të humbin vendin e tyre të punës.

Kur bëhet fjalë për subvencionet shtetërore për kompanitë që investojnë në Gjermani, 67 për qind e konsiderojnë këtë si rrugën e duhur. 54 për qind mbështesin uljen e taksave për kompanitë.

Shumica e gjermanëve preferojnë Kamala Harris
Para zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit në SHBA, 74 për qind e gjermanëve mendojnë se Kamala Harris duket më bindëse se Donald Trump, i cili mbështetet nga vetëm 11 për qind e të anketuarve.

Mbështetësit e të Gjelbërve (92 përqind), CDU/CSU dhe SPD (90 për qind secila) mbështesin në masë të madhe Harris. Në mesin e mbështetësve të Aleancës Sarah Wagenknecht, një shumicë (61 për qind) gjithashtu mbështesin Harris. Ndërsa 14 për qind janë mbështetës të Trumpit, por 25 për qind nuk janë të kënaqur me asnjërin nga kandidatët. Midis mbështetësve të AfD-së, 41 për qind mbështesin Trumpin, 26 për qind preferojnë Harrisin, ndërsa 28 për qind nuk favorizojnë asnjërin nga kandidatët.

Shumica e gjermanëve besojnë se presidentja Kamala Harris do të kishte një ndikim pozitiv në marrëdhëniet SHBA-Gjermani (82 për qind), në luftën globale kundër ndryshimeve klimatike (78 për qind), sigurinë në Evropë (77 për qind) dhe ekonominë gjermane (75 për qind). Ata gjithashtu besojnë se si presidente ajo do të kishte një ndikim pozitiv në situatën në Ukrainë (70 për qind) dhe në Lindjen e Mesme (66 për qind). Vetëm 17 për qind besojnë se Donald Trump mund të jetë një zgjedhje më e mirë në këto fusha.

Kur bëhet fjalë për njohjen e rezultateve të zgjedhjeve, 80 për qind e gjermanëve besojnë se Trump nuk do ta njihte fitoren e Harrisit, ndërsa 14 për qind besojnë se Harris nuk do ta njihte fitoren e Trump.

Këto janë rezultatet e sondazhit të ARD-Deutschlandtrend, i realizuar me 1333 votues nga data 28 deri më 30 tetor 2024./DW/



#të #ketë #zgjedhje #të #parakohshme #në #Gjermani
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button