Takimi i G7 në Itali, ministrat e Mbrojtjes mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në NATO! Thirrje për rritjen e ndihmës humanitare në Gaza
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të G7 (7 vendeve më të zhvilluara industriale) mbështesin “rrugën e pakthyeshme të Ukrainës drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO”, thanë ata në një deklaratë ditën e sotme.
“Syimi ynë është të vijojmë të ofrojmë ndihmë për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën ushtarake në afat të shkurtër dhe afatgjatë” në konfliktin e saj me Rusinë, thanë vendet e G7 pas takimit në Napoli, Itali.
Ministrat e mbrojtjes të G7 bënë thirrje gjithashtu për një “rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme” të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, i cili përballet me një krizë të rëndë ushqimore për shkak të luftës Hamas-Izrael.
“Vendet e G7 mbështesin nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve, një rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të ndihmave humanitare në të gjithë Rripin e Gazës dhe një rrugë drejt një zgjidhjeje me dy shtete,” thanë ata në deklaratën e përbashkët.
Ministrat e mbrojtjes të G7 shprehën gjithashtu shqetësimin për “kërcënimet” kundër misionit paqeruajtës të OKB-së në Liban (UNIFIL).
Vendet e G7 janë “të shqetësuara nga zhvillimet e fundit në Liban dhe rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm. Shprehim shqetësimin tonë për të gjitha kërcënimet ndaj sigurisë së UNIFIL-it. Mbrojtja e paqeruajtësve është një detyrim i të gjitha palëve në konflikt”, thuhet në deklaratë.
Italia mban presidencën e vitit 2024 të G7, ku përfshihen gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia. Në bisedimet në Napoli morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes.
#Takimi #në #Itali #ministrat #Mbrojtjes #mbështesin #anëtarësimin #Ukrainës #në #NATO #Thirrje #për #rritjen #ndihmës #humanitare #në #Gaza
Java News