“21 mln euro dëm”- KLSH kontrollon 55 institucione: Ka shkelje në tendera

Auditimet e kryera nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në periudhën janar-prill 2023 kanë konstatuar shkelje nga ana e institucioneve që kapin shumën 21 milionë eurove.
Rezultatet janë dhënë vetëm nga 20 procedura auditimi të përfunduara. Dëmi ekonomik është i ndarë në dy zëra, ku së pari janë parregullsitë dhe shkeljet financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, që për 4 mujorin rezultojnë me dëm ekonomik në shumën totale prej 1 mln euro.
Zëri i dytë lidhet me menaxhimin joefektiv të fondeve, ku dëmi arrin në 20 mln euro.
Dëmi që ka gjetur KLSH në 55 institucione qendrore dhe vendore, është konstatuar te procedurat e tenderave, zbatimin e punimeve dhe krijimin e borxheve për moslikuidime të tarifave dhe taksave vendore, më së shumti në Bashkitë Kamëz, Belsh, Lezhë dhe Vau i Dejës.
Gjatë 4 mujorit të vitit 2023, Kontrolli i i Lartë i Shtetit ka rekomanduar 345 masa nga të cilat, 280 janë organizative, 5 janë masa për ndryshime apo përmirësime ligjore, 22 masa shpërblim dëmi dhe 38 masa me efekte negative për shkak të parregullsive. Vetë institucionet kanë pranuar 342 masa.