Aktualitet

Masat e sigurisë ndaj produkteve serbe | A po rrezikohet Kosova të jetë jashtë Procesit të Berlinit?

Javën e kaluar, i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ka paralajmëruar se Kosova mund të mbetet jashtë marrëveshjeve rajonale në kuadër të Procesit i Berlinit, nëse nuk hiqen masat e sigurisë ndaj produkteve serbe.

Ai tha se Kosova mund të hasë edhe pasoja të dukshme, duke nisur nga ajo se mund të mbetet jashtë Procesit të Berlinit.

Ku, Procesi i Berlinit si synim ka rritjen e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor si dhe integrimin e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian.

E, në lidhje më këtë çështje deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli në një prononcim për thotë se këto kushtëzime që po i bëhen shtetit tonë janë krejtsisht të padrejta, dhe që sipas tij emisari Sarrazin nuk është i caktuar për të vendosur kushte në Kosovë.

“Së pari këto kushtezime që po i bëhen shtetit tonë dhe këto në thonjëza ‘kërcënime’ se Kosova mund ta bllokojë vetveten janë krejtësisht të padrejta. Ky emisar është caktuar për të arritur një marrëveshje mes shteteve të Ballkanit Perëndimor, jo për të vendosur kushte apo për të imponuar politika të huaja në shtetin tonë”, u shpreh Agusholli.

Më tej, deputeti i VV-së thekson se Kosova është shteti më pro-evropian në Ballkan, dhe se këto masa janë vendosur si pasojë e sulmeve terroriste në Banjskë.

“Unë konsideroj se, përkundër disa dështimeve diplomatike, shteti ynë është më pro-evropiani në Ballkan. Masat që i janë vendosur Serbisë erdhën si pasojë e sulmeve terroriste në Banjskë, dhe kjo do të thotë se ne jemi brenda të drejtave tona të plota për të vepruar në këtë mënyrë”, deklaroi ai.

Ndër të tjera, Agusholli thotë se “ Pyeteni emisarin Sarrazin se çfarë i kanë thënë në Serbi kur u është kërkuar të vendosin sanksione ndaj Rusisë”.

Derisa, eksperti i ekonomisë, Jakup Bellaqa vlerëson se në rast se përjashtohet Kosova nga kjo marrëveshje rajonale ka një efekt negativ, pasi që sipas tij vendet e BE-së e shohin vendin tonë si shtet të ri, por jo serioz.

“Nëse përjashtohet ka efekte negative, sepse vendet e Bashkimit Evropian e shohin Koosven me një imazh jo pozitiv me një imazh negativ, që ky vend ësht i pasigurtë, shtet i ri, por jo serioz dhe jo funksionoal që i ka pasiguritë politike, i ka pasguritë ekonomike, jo stabilitet ekonomik në mënyrë që që të investohet”, tha Bellaqa për .

Bellaqa, shprehet shumë bindës se vendi ynë nuk do të përjashtohet dhe se sipas tij këto paralajmërime nuk janë shumë serioze.

Tutje, shton se në këtë rast humb në aspektin ekonomik, dhe se Kosova duhet të ketë synime për një treg të përbashkët rajonal dhe evropian.

“Kosova humb në aspektin ekonomik, sepse po largohet prej proceseve ekonomike, se politika me ekonominë janë të ndërlidhura, në momentin kur largohet politikisht dhe dihet sipas të dhënave sipas fakteve që të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor i kanë miratuar tri marrëveshje në takimin e Berlinit (Marrëveshja e Agjendës së Gjelbër, Marrëveshja për një treg të përbashkët rajonal dhe më gjërë dhe Marrëveshja për lirinë e mallrave, njerëzve dhe të ideve). Është e rëndësishme sepse duhet të kemi synime për një treg të përbashkët rajonal dhe evropian. Në momentin kur integrohet ekonomia e Kosovës në aspektin rajonal dhe në aspektin evropian, ekonomia e vendit zhvillohet”, deklaroi ai.

Ndërsa, ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj thotë se mundësia e përjashtimit nga Procesi i Berlinit duhet të trajtohet me kujdes të shtuar, që i njejti mund të ketë pasoja të dukshme për Kosovën.

Ai thekson se nëse vendi ynë përjashtohet nga ky proces, ka gjasa se humbim qasjen në fondet dhe programet që ndihmojnë në zhvillimin e infrastrukturës, si dhe rritjen e konkurrencës.

“Përmes këtij procesi, janë hapur dyer për investime, ndihma teknike dhe lehtësira në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Nëse Kosova përjashtohet, mund të humbim qasjen në fondet dhe programet që ndihmojnë zhvillimin e infrastrukturës, rritjen e konkurrencës dhe përmirësimin e klimës së biznesit”, u shpreh Mulaj në një prononcim për .

E, që sipas tij një përjashtim i tillë e dëmton imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe gjithashtu, vendi ynë do të humbë mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve strategjike në lidhje me Ballkanin Perëndimor.

“Përjashtimi nga një forum i tillë do të dëmtonte imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e izoluar atë nga nisma të rëndësishme rajonale dhe duke i bërë më të vështirë marrëdhëniet e tregtisë me vendet fqinje dhe më gjerë. Kosova do të humbte mundësinë për të qenë pjesë e diskutimeve strategjike që formësojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, një hapësirë e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit”, përfundoi Mulaj.

//



#Masat #sigurisë #ndaj #produkteve #serbe #rrezikohet #Kosova #të #jetë #jashtë #Procesit #të #Berlinit
gazetablic.com

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button