Aktualitet

Shqiptarët do të zgjedhin midis Ramës dhe Berishës, jo midis drejtuesve politikë të qarqeve

Nga Ervis Iljazaj

Emrat e drejtuesve politikë të emëruar nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste kanë ngjallur debate të mëdha në opinionin publik. Një debat i cili në gjykimin tim personal është i mbivlerësuar për kontestin politik shqiptar. Madje, në disa media bëhen krahasime midis drejtuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Të njëjtën gjë bëri dhe Sali Berisha sapo Rama shpalli emrat e drejtuesve të qarqeve të partisë së tij.

Sigurisht, drejtuesit politikë kanë një rol të caktuar për sa i përket angazhimit të palëve dhe të votuesve përkatës nga mënyra se si ata do të punojnë, do të organizojnë zonat elektorale apo burimet që kanë në dispozicion. Megjithatë, rëndësia që kanë drejtuesit politikë në përcaktimin e rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 2025 është relativisht i vogël.

Shqiptarët, fatkeqësisht në zgjedhjet e ardhshme do të zgjedhin midis lidershipit të Edi Ramës dhe Sali Berishës, dhe jo midis drejtuesve politik të partive përkatëse. Është e qartë se në këto dy parti drejtojnë me dorë të hekurt dhe në mënyrë autokratike dy persona, dhe askush tjetër nuk ka rëndësi. Personalizimi i skajshëm i jetës politike nga Berisha në 34 vite, dhe nga Rama në 20 vite, bënë që zgjedhja për mirë ose për keq të bjerë mbi ta. Ky është realiteti dhe konteksti I demokracisë shqiptare.

Po të shikosh të dyja listat e drejtuesve të qarqeve kanë një të përbashkët, devotshmëria ndaj liderit të tyre. Në asamblenë e Partisë Socialiste ndërsa Rama shpaloste emrat askush nuk dinte gjë se ku do të ishte dhe çfarë roli do të kishte. Sepse emrat nuk ishin konslutuar me askënd, përveçse ishin në kokën e Ramës Një emër ose një tjetër, bënë pak ndryshim në momentin kur mendimi i tyre dhe i strukturave nuk vlen aspak.

Nga ana tjetër, lista e drejtuesvë të PD-së kishte një emërues tjetër, atë të bësnikërisë ndaj Sali Berishës. Janë të gjithë emra të cilat kontribuan për rikthimin dhe konsolidimin e Berishës në krye të PD-së. Prandaj edhe u shpërblyen.

Në këtë kuptim, çështja është se çdo të bëjnë shqiptarët me rikthmin e Berishës në krye të PD-së në një moshë të caktuar, pas 34 viteve dhe me probleme me drejtësinë? Do ta dënojnë apo shpërblejnë? Kjo është çështja thelbësore, të gjitha të tjerat kanë pak ose aspak rëndësi.

Po ashtu në Partinë Socialiste gjykimi do të jetë për Ramën, për vizionin dhe mënyrën e tij të qeverisjes, sepse askush tjetër aty brenda nuk ka rëndësi. Të gjithë të tjerët janë thjesht instrumenta të pushtetit të tij.

Mirëpo, nëse Rama ka luksin e të qënit 12 vite në pushtet, opozita duhet të ishte ajo që rinovonte, frymëzonte dhe bënte që shqiptarët të shkojnë në masë në kutitë e votimit në zgjedhjet e ardhshme. Por Partia Demokratike në vend të reformimit zgjodhi të vjetrën, në vend të hapjes zgjodhi mbylljen.

Ndërsa Partia Socialiste edhe pse 12 vite në pushtet përsëri vazhdon të reformojë me emra të rinj strukturat e saj. Edhe emrat për deputetë të vjetrit do ti vendosë në pjesë e hapur të listatve dhe të rinjtë në vendet e sigurta. Një rinovim i cili është një fasadë apo një pastrim i pisllikut 12 vjeçar të pushtetit, por gjithsesi është një tentativë komunikimi për të përmirësuar imazhin.

Prandaj, gjykimi përfundimtar mbi zgjedhjet e 2025 do të jenë një gjykim për lidershipin e Ramës dhe Berishës për sa i përket dy partive kryesore. Është një betejë që për fat të keq të demokracisë shqiptare ka krijuar një binom që ka uzurpuar jetën politike shqiptare dhe ka mbyllur sistemin dhe rinovimin e klasës politike shqiptare aq sa e kanë shumë të domosdoshme ekzistencën e njëri-tjetrit. Sepse dihet, në politikë ai që është kundershtari yt, njëkohësisht është dhe aleati yt.

#Shqiptarët #të #zgjedhin #midis #Ramës #dhe #Berishës #midis #drejtuesve #politikë #të #qarqeve
Java News

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button