Aktualitet

Rritja e pagave për administratën dhe zyrtarët e lartë shkon 80 milionë euro, ja si qeveria do përdorë Fondin e Kontigjencës për të financuar shtesën e rrogave

Fatura për rritjen e pagave të zyrtarëve dhe punonjësve të administratës do të shkojë në afro 9 miliardë lekë (80 milionë euro). “Oligarkia.al” raporton gjithashtu se qeveria socialiste do të konsumojë pjesën e mbetur të Fondit të Kontigjencës prej 12 miliardë lekësh (afro 12 milionë euro). Megjithatë, që prej së enjtes kur u votua rritja e pagave për drejtuesit e lartë të shtetit, zyrtarët, administratën, prokurorët dhe gjyqtarët, ende nuk është publikuar se si do organizohet kjo rritje progresive. Nga ana tjetër, premtimi i kryeministrit për të rritur pagat mesatarisht me 40% të qytetarëve, është ende larg, pasi me vendimet e fundit dhe përllogaritjet e kryera, kjo rritje shkon aktualisht në 15%.
11 miliardë lekë do përdoren për rritjen e pagave të administratës
Burime të medias së sipërpërmendur në Departamentin e Administratës Publike theksuan se kostoja e rritjes së pagave për administratën mund të shkojë më shumë se 9 miliardë lekë, maksimumi 10 miliardë. Për sa i përket rritjes së pagave për administratën, qeveria e kryeministrit Edi Rama do të shfrytëzojë pjesën e mbetur të Fondit të Kontigjencës (8.5 miliardë lekë nga 12 miliardë lekë). Kësaj pjese do t’i shtohen dhe 2.5 miliardë lekë të tjera që vijnë si fond për politikat e pagave. E gjitha kjo arrin në 11 miliardë lekë. Nga ana tjetër, DPA po skenarët e rritjes së pagave sipas sektorëve.
Rama premtoi rritje page 40%, me llogaritë e fundit shkon në 15%
Shtesa prej 9 miliardë lekësh për pagat e administratës shtetërore, në përqindje llogaritet 11-12%. Për faktin se ajo do të llogaritet që nga muaji i kaluar, atëherë kjo shifër shkon në 15% rritje. Por, referuar premtimit të kryeministrit Edi Rama se vitin e ardhshëm do të rrisë rrogën mesatare në 900, ai detyrohet që të rrisë 40% pagat e sektorëve të tjerë të ekonomisë, d.m.th. që qeveria duhet të planifikojë edhe 30 miliardë lekë të tjera shtesë deri në vitin e ardhshëm për të financuar premtimin e saj për rritje pagash. Në seancën e fundit plenare, kreu i qeverisë Rama deklaroi se fillimisht do të rriten pagat për mësuesit, mjekët, policët dhe ushtarakët, e më pas për Presidentin e Republikës, Kryetaren e Kuvendit, vetë kryeministrin, ministrat e në fund deputetët. Kjo gjë pritet të përfundojë brenda vitit të ardhshëm.
Si do rriten pagat deri në 2025 për 5 kategori?
Kështu pra në fund të 2025-ës paga e mësuesit në arsimin 9-vjeçar pritet të arrijë në 95.550 lekë nga  54.800 lekë aktualisht, ndërsa për mësuesin në gjimnaz në 106.800 lekë. Rritja do të përfshijë mjekët e përgjithshëm që do të kenë një pagë 131.672 lekësh, kurse infermierët 87.118 lekë. Për punonjësit e sigurisë apo nivelin inspektor, paga bazë pritet të shkojë në 97.500 lekë Në të njëjtin nivel pritet të jetë rritja edhe për zjarrfikësit. Sa i përket administratës publike rritja do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave për çdo kategori, por nivelet e rritjes së tyre janë në shifrat e 10 mijë-35 mijë lekëve. Magjistratët bazë, pas vendimit edhe të gjykatës kushtetuese nuk do të kenë pagë më të ulët se 153 mijë lekë.
Nga do gjenden burimet e rritjes së pagave? Dyshimet e ekspertëve
Megjithatë, pavarësisht këtyre vendimeve për rritje të pagave, qeveria dhe mazhoranca nuk kanë argumentuar se ku do t’i gjejnë burimet financiare për të shtuar rrogat nga zyrtarët e lartë të shtetit deri te profesionet. Ekspertët e ekonomisë ngrenë shqetësimin se këto para mund të jenë siguruar në kanale informale ose mund të lënë pas dore shumë sektorë të tjerë të ekonomisë për të garantuar këto rritje. Po ashtu, ekziston dyshimi se me rritjen e pagave, qeveria dhe mazhoranca mund të ndërmarrin rritjen e çmimeve. Kryeministri Rama paralajmëroi gjatë javës së kaluar rritjen e çmimit të energjisë. Ajo çfarë ka qenë kryefjalë e ditëve të fundit është rritja e pajustifikuar skandaloze e rrogave të krerëve dhe zyrtarë të shtetit me mesatarisht mbi 100 mijë lekë, ndërsa për profesionet e ndryshme, rritja nuk shkon as në 50%.

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button