Ja si Edi Rama mori në mbrojtje Vuçiçin kundrejt vendimit të drejtë të qeverisë së Kosovës dhe si po vazhdon me stoicizëm linjën pro-ruse kundër interesave shqiptare

Kryeministri Edi Rama në një deklaratë të fundit rreth qëndrimit të tij ndaj zhvillimeve të forta në Veri të Kosovës është munduar sërish të justifikojë vëllanë Vuçiç. Kreu i qeverisë shqiptare po sillet si një personazh i huaj në raport me Kosovën. Mediat e tij të blera vazhdojnë çdo ditë të mbrojnë linjën e tij pro ruso-serbe duke sulmuar fort qeverinë e Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani. Kosova po përmbush detyrimet e saj ligjore dhe kushtetuese, ndërsa Rama vazhdon të sillet si kryeministër anti-shqiptar, pasi po akuzon Kosovën se po kontribuon në tensionet në Veri. Ndërkohë që Vuçiç që po ndez veriun e Kosovës për llogaritë e tij politike të brendshme në Serbi, pasi rrezikon të hidhet në erë nga protestat, Rama e merr në mbrojtje. “A e ndihmon kjo që po ndodh në Kosovë procesin ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve, për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë?! Me siguri jo përderisa vetë miqtë tanë më të mëdhenj shprehen thellësisht të shqetësuar! Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë,” shkruan Rama. Me këtë reagim, kryeministri shqiptar doli kundër Kurtit pasi ky i fundit tha se Kosova po zbaton vetë detyrat. “Krejt cka kemi synuar ne si Qeveri dhe institucione të Republikës është të mundësojmë që kryetarët e komunave të zgjedhur në zgjedhjet demokratike të kenë qasje dhe të punojnë në zyrat e tyre, ku duhet ti shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim feje, etnie e prejardhje. Dhe besoj që për këtë do ta kemi mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë…E kemi mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe mirë po shkon puna”, ka thënë Kurti.
Rama dhe Vuçiç në syrin e ndërkombëtarëve
Pra Vuçiç dhe Edi Rama po shihen sot si dy liderët më problematikë në rajon. Ata dallohen për drejtimin e tyre autoritar, për eliminimin e opozitarizmit, për kontrollin e plotë mbi mediat, biznesin dhe ekonominë në përgjithësi, për korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisjes, për lidhjet e forta me krimin e organizuar në majat e vendimmarrjes politike, për pastrimin e parave dhe hapjen e kufijve për trafikimin e drogave të forta. Këto shqetësime u ngritën dhe në Senatin Amerikan, por dhe raporteve ndërkombëtare dhe mediave më serioze evropiane vazhdojnë ta tregojnë çdo ditë. Madje kryeministri Rama përveç situatës me Kosovën vazhdon sërish të mbështesë akoma dhe më fuqishëm Vuçiç, në raport me besnikërinë e tij që po mban ndaj Rusisë. Në reagimet e tij Edi Rama ka kërkuar që, lufta të rrijë larg nga Ballkani dhe e vetmja mënyrë është që, perëndimi mos ti kërkojë Serbisë të prishë marrëdhëniet me Rusinë. Në fakt kryeministri shqiptar nuk arrin të kuptojë se, benefitet më të mëdha në Ballkan nga perëndimi gjatë gjithë këtyre viteve i ka pasur Serbia dhe të kërkosh që Serbia të rrijë neutrale në një moment të tillë përballë luftës në Ukrainë është e njëjta histori sikur ti thuash amerikanëve dhe europianëve të mos të bëjnë embargo për luftën në Ukrainë. Por, ky kryeministër duket se qenka shumë keq i kapur nga lidhjet e tij me Vuçicin sa me çdo kusht kërkon të justifikojë veprimet e tij kundër perëndimit si një pamundësi, duke punuar çdo ditë dhe më shumë kundër interesave shqiptare. Nga ana tjetër, Brukseli ka humbur durimin me Beogradin, ku ditën e djeshme ka hedhur idenë që të ndalet procesi i pranimit të Serbisë në BE. Në këtë mes e pëson i gjithë Ballkani Perëndimor, veçanërisht Edi Rama, si politikani që vazhdon të mbrojë Vuçiçin duke i bërë thirrje Perëndimit që të mos e detyrojnë të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Nga ana tjetër, mediat serbe po pasqyrojnë çdo ditë edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të dy liderëve. Rama ka arritur deri aty, sa disa herë ka shitur tek serbët pavarësinë e Kosovës. “Unë jam vëllai i Vuçiçit”, tha në fund të korrikut të vitit të kaluar kryeministri shqiptar Edi Rama, duke theksuar se nuk dëshiron të ndërhyjë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.