Aktualitet

Bizneset në Kosovë ankohen për mungesë të punëtorëve

Bizneset dhe kompanitë në Kosovë kanë filluat tashmë të ankohen për mungesë të punëtorëve. Madje shumica nga to po deklarohen haptas se mungesa e fuqisë punëtore është rrezik i madh. E, si zgjidhje për këtë, shohin rritjen e pagave mbi mesataren e tregut.

Kompanitë në Kosovë po e shohin rrezik të madh mungesën e punëtorëve të kualifikuar në zhvillimin ekonomik gjatë 12 muajve të ardhshme, thuhet në një matje të publikuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare të enjten.

Nga 103 biznese sa kanë marrë pjesë në këtë anketim, 58 për qind e tyre e kanë thënë se mungesa e punëtorëve është rrezik i madh, ndërsa zgjidhje për këtë, 48 për qind e shohin ngritjen e pagave mbi mesataren e tregut.

Bizneset kanë thënë se ndër masat e tjera që do t’i marrin për zbutjen e pasojave të mungesës së punëtorëve janë zhvillimi i trajnimeve brenda kompanisë, digjitalizimi i shtuar, përdorimi i shtuar i punëtorëve të përkohshëm e të tjera.

Sipas rezultateve të nxjerra nga Oda, 34 për qind e bizneseve të përfshira në sondazh e vlerësojnë si të kënaqshme punën e Qeverisë Kurti, 26 për qind të mirë, 24 për qind të keqe dhe 16 prej tyre s’kanë shprehur mendim.

“Pritshmëritë e kompanive të anketuara në lidhje me zhvillimet në sektorin e tyre krahasuar me vitin e kaluar, janë përmirësuar dukshëm. 67% e kompanive tregojnë në vitin 2023 pritshmëritë e tyre janë për një përmirësim të situatës ekonomike në sektorin e tyre. Si në vitin e kaluar, 26% thanë se situata do të mbetet e pandryshuar, ndërsa vetëm 7% pritnin një përkeqësim të saj”, thuhet tutje në raport.


Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë thuhet se janë ndër shkaqet që po e rëndojnë performancën ekonomike të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Në raport u tha se ekonomia po jep indikacione që po shkon drejt stabilizimit, por që çmimet ende janë të larta.

“Lufta në Ukrainë, dhe rritja e çmimeve të energjisë, si dhe ngadalësimi i rritjes globale, po rëndojnë performancën ekonomike të Kosovës dhe në përgjithësi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Çmimet e larta të energjisë dhe produkteve ushqimore e kanë shtyrë inflacionin në nivele të papara për shumë vite. Sidoqoftë, tashmë po shihet një trend rritës në të dhënat e viteve të kaluara. Ekonomia po jep indikacione se po vazhdon të stabilizohet, megjithëse çmimet janë ende të larta dhe nuk është kthyer ende në normalitetin e vjetër. Nga ky sondazh, shihet se çdo i treti vlerëson situatën ekonomike si jo të mirë. Megjithatë, bizneset në Kosovë presin zhvillime pozitive në 12 muajt e ardhshëm. 57 përqind presin një përmirësim të situatës në sektorin e tyre brenda 12 muajve të ardhshëm, ndërsa 12 përqind janë të brengosur për përkeqësim të situatës”.

Pritet një rritje e shpenzimeve për paga prej 18% në vitin 2023.

“Një rritje e shpenzimeve për pagat prej 18% gjatë këtij viti do të thotë një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për kostot e personelit. Kjo mund të ndikojë në rentabilitetin e një kompanie dhe mund të kërkojë përshtatje në buxhetim dhe planifikim të burimeve. Për të minimizuar ndikimin, kompanitë mund të ndërmarrin masa të ndryshme si p.sh. rishikimin e proceseve dhe rrjedhës së punës, optimizimin e proceseve të punës, zvogëlimin e punës shtesë ose rritjen e produktivitetit. Një monitorim i kujdesshëm i shpenzimeve për paga dhe një përshtatje e hershme e strategjisë së biznesit mund të ndihmojë në sigurimin e suksesit afatgjatë të kompanisë”.

Nga institucionet qendrore u kërkua luftimi i korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës për të bërë biznes, transparenca, përmirësimi i cilësisë së sistemit të arsimit profesional dhe disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar. Në krahasim me rajonin e Evropës së Mesme dhe Lindore, Kosova po konsiderohet relativisht më mirë në sektorin e biznesit.

Në periudhën kur është kryer anketimi, 12% e kompanive të anketuara theksuan se presin t’i kthehen normalitetit në 6 mujorin e parë të vitit 2023; 20% e kompanive të anketuara gjatë vitit 2023; 31% e kompanive të anketuara në vitin 2024; 8% e kompanive të anketuara vlerësojnë se nuk do t’i kthehen normalitetit asnjëherë dhe 29% e kompanive të anketuara nuk kanë dhënë përgjigje. Efektet e luftës në Ukrainë kanë patur ndikim negativ te kompanitë në Kosovë dhe ky raport trajton edhe këtë aspekt ku janë parashtruar dy pyetje për kompanitë./Monitor

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button