Aktualitet

Gjithçka e planifikuar/ Skenari i rikthimit të Bashës në krye të PD-së së vulës

Lulzim Basha u rikthye këtë të premte mes deputetëve të Partisë Demokratike për t’i dhënë votën Gazment Bardhit si kryetar i grupit parlamentar. Rishfaqja e Bashës mes deputetëve të PD-së i jep fund tërheqjes njëvjeçare nga politika aktive, që nga Marsi i vitit 2022, kur humbi thellë zgjedhjet e pjesshme në 6 bashki.

Rishfaqja e Bashës ndodh në një moment kur nisi të flitej për një skenar që e rikthen në PD-në e vulës.

Enkelejd Alibeaj sapo ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit “të komanduar”, ndërsa Berisha sapo ka marrë një goditje të fortë politike nga humbja e 14 Majit.

Elektorati i PD-së e ka të qartë se sherri i brendshëm i ka konsumuar energjitë për të bërë opozitë. Të ndarë, janë më të dobët.

Situata është në dobi të Bashës. Por a kishte ai një plan për t’i krijuar këto kushte?

Në fakt, Basha asnjëherë nuk e zyrtarizoi dorëheqjen si kryetar i Partisë Demokratike. Ajo më shumë ishte një pauzë, një ngrirje që mbante peng të gjithë partinë.

Dhe për këtë u ndihmua nga i gjithë grupi i tij parlamentar.

Një vit më parë, kur zgjedhjet e 14 Majit ishin ende larg, madje data ende nuk ishte caktuar, Enkelejd Alibeaj lexoi një deklaratë në emër të grupit parlamentar, që tregon se Basha kishte një plan.

Grupi parlamentar, tha Alibeaj vendosi që Partia Demokratike do të hynte në zgjedhjet lokale, pa zhvilluar zgjedhjet e brendshme për kryetar.

Grupi parlamentar vendosi “përgatitjen e kushteve të nevojshme në të gjitha strukturat drejtuese në qendër pas zgjedhjeve lokale” u shpreh Alibeaj.

Pra, megjithëse kishte një vit kohë, Lulzim Basha dhe deputetët e tij vendosën në Mars të vitit 2022, që zgjedhjet e brendshme në parti, të bëheshin pas Majit të vitit 2023 kur ishin zgjedhjet lokale.

Koordinimi në kohë tregon se Basha e kishte planifikuar, lënien e opozitës edhe një herë si “tokë e djegur” për Edi Ramën, mbajtjen e logos dhe vulës së PD-së dhe lënien e Berishës pa parti përballë Edi Ramës. Për t’u rikthyer tani, mes një opozitë humbëse, ku prania e tij do të ishte po kaq e natyrshme.

Prandaj edhe rishfaqja e tij mes deputetëve të PD-së këtë paradite nuk ishte rastësi, por përforcon skenarin e rikthimit të Bashës në krye të PD-së, një post të cilin duket e pamundur të largohet. /Lapsi

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button