Nuk e deklaroi pasurinë e tij, del para gjykatës Goran Rakiq

Politikani serb nga Kosova Goran Rakiq ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ndaj tij është ngritur aktakuzë për mos deklarim të pasurisë.
Gjykatësja e rastit është Naime Kransiqi Jashanica.
Në maj të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq, për mosdeklarim të pasurisë.
Sipas aktakuzës, thuhet se Rakiq, në cilësinë e ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, me dashje ka vepruar në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Deklarim, Prejardhjen dhe Kontrollimin e Pasurisë së Zyrtarëve të Lartë Publikë, ashtu që i njëjti edhe pse ka qenë i obliguar të bëjë deklarimin e pasurisë në formularin e deklarimit të pasurisë, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.
Aktakuza e cila është siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thotë se Rakiq në formularin për deklarimin e pasurisë të dorëzuar më 31 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara për vitin 2020, respektivisht nuk ka deklaruar të hyrat vjetore të përfituara nga funksioni si asistent në Shkollën e Lartë Ekonomike në Pejë dhe funksionin në Ndërmarrjen Publike “Standard” në Mitrovicë.
Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se Rakiq në deklaratën e tij të dhënë në Prokurori, në tërësi e ka pranuar kryerjen e veprës penale dhe i njëjti është shprehur i gatshëm që të hyjë në negociata për pranimin e fajësisë.
#Nuk #deklaroi #pasurinë #tij #del #para #gjykatës #Goran #Rakiq
gazetablic.com